Gazetari Osman Stafa ka publikuar një dokument zyrtar të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza” (QSUT), ku institucioni u bën thirrje qytetarëve dhe donatorëve të kontribuojnë për blerjen e pajisjeve mjekësore, duke argumentuar se ato janë të nevojshme për përmirësimin e shërbimit ndaj pacientëve.
Në dokumentin zyrtar, QSUT kërkon si donacion dhjetëra pajisje jetike, mes tyre 15 respiratorë, 6 defibrilatorë, një aparat brakiterapie, monitorë për terapinë intensive, mikroskopë kirurgjikalë, aparate anestezie, kulla endoskopie, pompa infuzioni, EUS, EKG, EEG dhe shumë pajisje të tjera, me një vlerë të përgjithshme që llogaritet në rreth 3.4 milionë euro.
Publikimi i këtij dokumenti vjen në një moment kur qeveria shqiptare vendosi të financojë me 4 milionë euro (rreth 4 miliardë lekë të vjetër) koncertin e artistit amerikan Kanye West.
Sipas gazetarit Osman Stafa, dokumenti ngre pikëpyetje të forta mbi prioritetet e financimit publik.
“Nëse spitali më i madh universitar në vend detyrohet t’u kërkojë qytetarëve donacione për pajisje bazë dhe jetike për trajtimin e pacientëve, ndërsa shteti gjen 4 milionë euro për të financuar një koncert privat, atëherë debati nuk është më vetëm për fondet, por për mënyrën se si janë zgjedhur prioritetet. Është absurditeti më i madh. Spitali universitar s’ka pajisje mjekësore e kërkon para nga qytetarët për t’i blerë, ndërsa shteti paratë i çon për spektakël”.
Dokumenti i publikuar tregon se nevojat e QSUT-së nuk kufizohen vetëm te pajisjet e teknologjisë së informacionit, por përfshijnë pajisje që përdoren çdo ditë në sallat e operacionit, terapinë intensive, onkologji, kardiologji, neurologji dhe shërbimet e urgjencës.
