TIRANE- Edhe VIP-at i shkelin rregullat e qarkullimit rrugor. Kështu ka vepruar ditën e sotme repisti i mirënjohur kosovar Getoar Selimi, i cili ka thyer semaforin pranë godinës së Kryeministrisë, tek bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Momenti kur këngëtari ka kaluar semaforin me ngjyrë të kuqe, nuk i ka shpëtuar vëmendjes së policisë rrugore të Tiranës, e cila është vënë në ndjekje të tij.

Por Getoar Selimi nuk është mjaftuar vetëm me kalimin e semaforit me ngjyrë të kuqe, por si duket ka vendosur “t’i thyejë të gjitha rregullat” duke mos iu bindur shenjës së ndalimit të dhënë nga oficerët e policisë rrugore.

Megjithatë, repisti është arritur të ndalohet më pas në sheshin “Skënderbej”, dhe më pas është shoqëruar nga policia rrugore.

Për repistin kosovar është vendosur edhe masë ndëshkimore administrative 25000 lekë dhe i është hequr “Leja e drejtimit” si masë plotësuese.

Getoar Selimi me veprimin e sotëm ndëshkohet për shkelje të dispozitave të parashikuara nga neni 144/3 dhe neni 190/1 i Kodit Rrugor.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb