Policia e Kosovës ka ndërmarrë këtë të enjte një operacion të rëndësishëm brenda Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës, duke arrestuar disa zyrtarë të dyshuar për përfshirje në korrupsion.

Në mesin e të ndaluarve është edhe Florije Kelmendi Selimi, nëna e artistit të njohur Getoar Selimi, e cila njihet për angazhimin e saj në institucione publike.

Sipas njoftimeve zyrtare nga Policia e Kosovës, arrestimet janë kryer me urdhër të Prokurorisë kompetente dhe janë pjesë e hetimeve për veprën penale “Keqpërdorim i pozitës apo autoritetit zyrtar”. Përveç saj, janë ndaluar edhe dy zyrtare të tjera të kësaj ministrie.

Zëdhënësi i Policisë, Baki Kelani, tha se aksioni është ndërmarrë në Prishtinë, me qëllim hetimin e personave të dyshuar për shkelje të detyrës zyrtare. Prokuroria Themelore në Prishtinë konfirmoi zhvillimin e hetimeve, përmes zëdhënëses Kaltrina Shala, e cila theksoi se veprimet po kryhen në bashkëpunim të ngushtë me Policinë e Kosovës.

Ndërkohë që informacionet janë ende të pjesshme, pritet që pas përfundimit të fazës fillestare të procedurave ligjore, autoritetet gjyqësore të japin më shumë hollësi për përfshirjen dhe përgjegjësitë e secilit nga të ndaluarit.

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb