VLORË- Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme dhe njëkohësisht Koordinatore Kombëtare për Çështje të Luftës kundër Trafikimit të Personave, Elona Gjebrea mori pjesë në takimin e Komitetit Rajonal Antitrafik të qarkut të Vlorës.

Në këtë takim ishin të pranishëm, Prefektja e qarkut Vlorë, Etjona Hoxha, drejtues të institucioneve shtetërore vendore, si: Drejtori i Policisë së qarkut, Shërbimit Social Shtetëror, arsimit, shëndetësisë, si dhe përfaqësues nga organizatat që ofrojnë shërbime për viktimat e trafikimit apo njerëzit në nevojë, shoqëria civile.

Gjatë fjalës së saj, Zëvendësministrja e Punëve të Brendshme e vuri theksin tek domosdoshmëria e koordinimit dhe bashkëpunimit mes institucioneve shtetërore dhe organizatave kombëtare e lokale për parandalimin dhe luftën kundër trafikimit të personave. Komiteti Rajonal duhet të luajë rolin kyç në qark për adresimin dhe dhënien zgjidhje të rasteve të identifikuara si viktima apo viktima të mundshme trafikimi. Bashkëpunimi dhe mirëkoordinimi mes aktorëve antitrafikim është çelësi i suksesit në parandalimin dhe luftën kundër këtij fenomeni.

Duke qenë një nga qytetet më të frekuentuara nga turistët, kryesisht gjatë sezonit veror, Gjebrea njoftoi edhe një ndër iniciativat e Zyrës së Koordinatorit Kombëtar Antitrafik për zhvillimin gjatë periudhës së verës të një fushate kombëtare për parandalimin e trafikimit, ku do punohet me të rinjtë, komunitetin dhe me anëtarët e Komiteteve Rajonale dhe Tryezave Teknike.

Kjo fushatë do të shoqërohet me aktivitete ndërgjegjësuese, shpërndarje materialesh informuese, programe televizive dhe shkrime në media. Pjesë integrale e kësaj fushate do të jenë edhe Komitetet Rajonale Antitrafik.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: