TIRANË

Çështja Berisha, përjashtimi i tij nga grupi i PD dhe deklaratat e ish-kryeministrit kanë sjellë debate në studion e “Real Story” në Neës24. Analisti Arian Vasjari deklaroi se Lulzim Basha, kishte një rrugë, t’u thoshte amerikanëve unë ose do t’ia çoj strukturës, ose që sot iki dhe se tashmë ka një shans nga Berisha, duke iu thënë demokratëve të zgjedhin.

Nga ana tjetër Agron Gjekmarkaj mendon se do kishte qenë egoiste që Basha të dorëhiqej dhe se ai ka marrë përsipër një përgjegjësi e barrë të rëndë. Ndërkohë Gjekmarkaj i qëndron bindjes se Berishës i është bërë një padrejtësi me vendimin e DASH.

Vasjari: Sikur po pranojmë analizën tënde. Po merrem me pjesën që ky Lulzim Basha paska qenë gjithë kohën nën influencën e Berishës, nuk është arsye e mjaftueshme që ai të zhduket nga PD.

Do të mjaftonte vetëm kjo që nuk është e vërtetë. Vendimet e Bashës janë vendime autentike të tij. Do ishte arsye e mjaftueshme për t’i thënë Bashës, je i paaftë për vendime autonome, arsye e mjaftueshme që PD të mos mbajë ty kryetar.

Aktet e Lulzim Bashës është akt imoral së pari. Ka moralitet në politikë. Flas nga pozitat që kam 8 vjet që kritikoj Bashën dhe Berishën. Një rrugë kishte Lulzim Basha, t’u thoshte amerikanëve unë ose do t’ia çoj strukturës, ose që sot iki. Një akt i tillë, do të prodhonte një shizmë në PD që nuk e kishte njohur në këto 30 vite.
Produkti i aktit është ky që pamë ne sot. Sali Berisha po i thotë Lulzim Bashës, po të jap një shans, dil legjitimohu në bazë. Të mora nga askushi të bëra ministër, të mora nga hiçi të bëra kryetar bashkie, të mora në mënyrë të pamerituar dhe të bëra kryetar të partisë së parë opozitare të Shqipërisë, më në fund po të jap një shans që ta meritosh, unë po dal në piazë, ti dil atje tek shoqëria dhe thuaju demokratëve unë për një, dy, tre arsye e vrava Berishën, tani zgjidhni, ose mua ose Berishën. Le ta bëjë.

Gjekmarkaj: Do kishte qenë shumë zgjedhje egoiste që Basha të dorëhiqej në kushte presioni dhe do kishte qenë shumë i madh dëmi për PD. Mund të ishte zgjidhje morale, por shpesh herë janë të vogla. Paradoksi është që ndoshta analistët kryesorë të këtij vendi, i krijojnë një dekor bezdie me mbështetjen që i japin Lulzim Bashës duke i dhënë akuza të gatshme atyre që e sulmojnë.

I kanë kërkuar gjithmonë ta largojë Sali Berishën. Dukej sikur hija e Sali Berishës e dublonte gjithmonë Lulzim Bashën. Unë nuk e di sa ndikim ka pasur. Bindja ime është që vendimet i ka marrë Lulzim Basha. Në momentin që Basha merr një vendim në rrethana të jashtëzakonshme dhe mund të jetë i qortueshëm. Faktorët janë tre, SHBA, Sali Berisha personalitet dominues në PD, Lulzim Basha. SHBA-të i kërkojnë me forcë largimin, me ultimatum. Nuk e di çdo të ndodhte pas këtij ultimatumi me fatet e PD në raport me SHBA-të. Unë nuk e di cili është ultimatumi, po di që ka pasur një ultimatum, ka pasur një diktat. Lulzim Basha në mbledhjen e grupit parlamentar tha disa gjëra, por tha se janë disa gjëra të tjera që unë nuk do t’i them kurrë, nuk do t’i bëj publike. Por ai tha që i është kërkuar në mënyrë të panegociueshme, pa hapësira dhe SHBA-të nuk kanë bërë tratativa me PD-në, nuk i kanë thënë që ne po bëjmë transparencë, po ju sjellim fakte, pastaj ju merrni vendimin. Nuk e kanë pasur fare këtë delikatesë, thjesht kanë lënë një ultimatum. Nga pikëpamja morale duket një shëmti. Unë e kam thënë që ditën e parë kur u shpall vendimi. Më është dukur i padrejtë vendimi i Blinken për Sali Berishën, si shqiptar, si i djathtë. I padrejtë me ato që unë di. Në këtë situatë nuk e di si do kisha vepruar në vendin e Lulzim Bashës. Unë e kam thënë në mbledhje që kjo është një procedurë e qortueshme. Ka marrë përsipër një barrë shumë të rëndë, nga ato që të dridhen këmbët ta mbash. Është një përgjegjësi, një vlerë. Po e mban ai, por unë vetë mendoj që i është bërë një padrejtësi Berishës, në raport me PD-në.

Kam pasur një respekt stabil për Sali Berishën dhe e kam përsëri. Mënyra se si i kombinohet fundi i politikës, më duket jo e mirë, por a kishte zgjidhje Lulzim Basha për të vepruar ndryshe. Unë mendoj që nuk kishte.

Vasjari: Dakord, është një vendimmarrje e vështirë, ndonëse nuk jam dakord sepse është një aberracion logjik ajo që unë e mora vetë vendimin në mënyrë që mos t’ia lija strukturave. Së pari strukturat do votonin në mënyrë të fshehtë sepse do votonin për individ. Këtu nuk kishte lidhje fare, hedh një argument i cili cedon logjikisht.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb