TIRANË

Analisti dhe pedagogu Agron Gjekmarkaj shprehet se të thuash që testi ishte i rregullt dhe pa gabime është idiotësi intelektuale dhe poshtërsi morale.

Gjekmarkaj tha në “Real Story” në News24 se ata që kanë bërë testin e gjuhë-letërsisë nuk duhet të merren më me arsim dhe dije pasi është fyerje duke iu sugjeruar vendin e ministres së Arsimit Besa Shahini.

“Sot QSHA ende nuk ka nxjerrë pikëzimin dhe ka pasur një deklaratë sot që janë mbledhur mësuesit dhe e kanë gjetur testin të rregullt dhe pa gabime. Të thuash një gjë të tillë është idiotësi intelektuale dhe poshtërsi morale. Unë e dëgjova dhe më bëri përshtypje. Prisja një tjetër deklaratë nga ministrja Shahini për hir të së vërtetës ishte më tepër një sfidë se një tentativë për të kuptuar revoltën e këtyre maturantëve që po emancipojnë dhe prindërit e vetë dhe krejt shoqërinë. Duhet që këta që kanë bërë këtë test të mos merreshin më me punë arsimi, me punë dije sepse e fyejnë dijen dhe arsimin. Le të bëheshin drejtorë në ministri, zëvendësministra ose ndonjë edhe në vend të Besa Shahinit nëse e heq Edi Rama për këtë budallallëk që ka bërë por ndoshta jo por ama duhet të kenë një emër e një mbiemër dhe t’u kërkojnë falje këtyre të rinjve dhe të reja, mundësisht t’iu japin një mundësi që ky test të ribëhet. Çdo gjë tjetër është butafori dhe është thjesht arrogancë”, deklaroi Gjekmarkaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb