Hallet e vatanit na çuan në Bundestag të Gjermanisë neve një grup deputetesh të PD dhe PS. Na priten me temenara e respekt siç u ka hije bujarëve e si e lyp sedra e të vegjëlve.

Ndonjëherë thamë gjëra me një barrë mend ku çuditem gjithë ata që na dëgjuan e herë tjetër këputëm ndonjë qyfyre a thagmë ashtu si tradita na e do.

Jo pak na thahej fyti për një kafe safi si ato që pimë në Tiranë gjithë jaranllëk se helbete zgjasnin ato të bekuara takime dhe mpiheshim nëpër karrige.

I larmishëm qe delegacioni që i primë si desh këmbore, më shumë Klotilda se unë me konsensus të heshtur. Njëri pas tjetrit takuam burra e gra të nemcës duke ju rrëfyer çfarë ndodh në Shqipërinë tonë e cila lyp integrim, marifet e lezet europian pas shumë shekujsh e përpëlitjesh nëpër rrëpirat e historisë.
Mbi një vit ka kaluar që asgjë nuk keni dëgjuar për Çyrben e “krimit”, deputetin nga Shijaku kaq shumë të thirrur kësisoj prej nesh dhe Liderit tonë të dorëhequr.

E kisha parë në Parlament po nuk përputhja emrin me fytyrën. Një qerrata zeshkan as i shkurtër as i gjatë, të cilin me një farë droje e pyeta, më fal po nuk me kujtohet emri! Ai fap pa të keq dhe me një farë hareje tha jam “Çyrbja i krimit”! Mbeta një moment sa mblodha veten i thashë po ti qënke more lanet! Unë tha i tëri e i bëri! Po të dija të madh bina, të gjatë, me dorë të rëndë, shikim të vrenjtur siç një kriminel duhet të jetë, po ani se Berlini ti heq veset dhe fillojmë një proces purifikimi e shenjterimi konstatova e sugjerova.

Nejse kjo meriton një trajtim më të gjatë! Por disa fakte me tërhoqën vëmendjen posaçërisht!!
Klotilda foli herë pas here duke buzëqeshur siç di ajo, ndërsa Çyrbja rrinte rënde si re e zezë! Ajo fol, ky thartohej dhe qartazi rrebeshi po afrohej.

U kthyem në hotel dhe nuk pipëtinte as miza rrugës. Çyrbja si komisar drite i printe çetës së vogël me 15 veta në mes të Alemanjes.

U ulem në kafe si në vaki, kur befas ai mori fjalën dhe një rrebesh me breshëri, vërejtje a qortime ra mbi Klotildën, e cila e kishte bërë rrugën me vetëdijen që detyrën e qau.
Ti i tha ha bukën e Babos dhe bën duanë e Gaz Bardhit!! Qyqja qyqja psherëtiti ajo. Mbajte gjithë ato fjalime dhe askund nuk e zure Babon me gojë, reformat e tij, sukseset botërore, famën dhe dashurinë që njerëzia ka për të! Budalla e di ti këtë Genc Gjonçajn që një e dy thoshte “Qoftë levdue Babo gjithmonë e jetës” e përkulej me veneracion, ose “mirë jeni ju gjermanet po të kishit një si Babon më lart do të ngriheshit në kohë sfidash!”

Të gjithë këtë pezëm e shoqëronte një tundje gishti dhe fjala jazëk nga pas si refren kumbonte.

Mu dhimbs Etilda përpelitej po jo ashtu e jo kështu, se ato që thashë në të mirë të Babos venin, pastaj Babon e njeh gjithë Bota, nuk është nevoja t’jua përsërisim. E njohin e njohin tha Çyrbja me tersëllamë po përsëritja është nënë e dijes e prapë t’jua kujtoje.

E mirë u dorëzua Klotilda e shkretë! Saimir Koreshi duke thyer çdo paragjykim mbi trimërinë lëshoi një pasthirrme tallëse për Babon! Desh u bë nami. Çyrbja çoi dorën në brez ku rri zakonisht alltia, por s’kishte gjë në brez! Atëherë mori shishen e birrës dhe me të i ra tavolinës që u copëtua në mijëra copa! “Mos e thuaj dy here atë fjalë se baj të kjaj e zeza nanë”, iu drejtua Sajmes, shikimi i të cilit ishte përskuqur si ai i Akilit para duelit!

Vetëm hija e rëndë e Alibeajt dhe lotët e Ilir Barjabes e Aurora Mares që u shfaqen befas në atë prag kasaphane, ndalën më keqen. Gaz Bardhi si Homeri shkruante epopenë.

Ciflat e xhamave qëndruan në ajër aq sa zgjati zemërimi. Nuk pipëtiu më as miza! Të tillë dashuri për Babon e kaq trimëri per të në mes të Evropit veç Isa Boletini kishte dëshmuar në Londër për Ismail Qemalin!
Po ai e caktoi Isën komandant të ushtrisë kombëtare! Tani në prag të zgjedhjeve lokale pas këtij akti sublim për të cilin Dhurata Çupi tha që nuk mjaftojnë dhjetë jetë për ta rrefyer e as 100 rapsode për ta kënduar, sipas Eduard Ndrecës që nuk është ndeshur kurrë më parë, Babo të vërë dorën në zemër ose t’ja mbështesë kokën Çyrbes në gjoks si Taos dhe ta bëjë ministër të pushtetit lokal, ashtu hijerëndë e të murretyer duke i rënë pash më pash pazarit rrethuar me zaptie që do mbrojnë votën e lirë!

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: