NGA DAFINA KABASHI

TIRANE- N’emën të Shtetit Shqyptar, gjithë auktoritet civile e ushtërore janë të lutun me e lanë të kalojë lirisht z.Bajram Curri”, kështu shkruhet në faqen e parë e pasaportës së Bajram Currit. I njëjti shkrim është edhe në gjuhën frënge. Më poshtë shkruan se pasaporta është lëshuar në Tiranë, më 4 nëntor në vitin 1924. Në një pjesë, ku është grisur faqja e parë e pasaportës, nuk mund të lexohet çfarë shënohet tek përshkrimi “i vjefshëm”. Po kështu është edhe nënshkrimi i “kryetarit të zyrës”. Faqet vende-vende të grisura të pasaportës së Bajram Currit janë të lidhura me pe, ndërsa i mungon kopertina. Gazeta “Zëri” në Prishtinë ka botuar një shkrim ku citohet një djalë i ri nga Kosova që jeton në Francë, i cili pretendon të ketë në duar pasaportën origjinale të Bajram Currit.

POSEDUESI
I riu nga Kosova Veton Mulla-tahiri, i cili tani jeton në Lyon të Francës, ka disa javë që e mban në duar pasaportën e Bajram Currit. A thotë se e ka dhuratë nga një mik, identitetin e të cilit nuk dëshiron ta zbulojë. Pasaporta ka disa vula të udhëtimeve të Bajram Currit, ndërsa e veçanta e kësaj pasaporte thotë Mullatahiri, është se në Kosovë ka studiuar Biznes- Menaxhim. “Kam thirrur disa muze për ta dorëzuar pasaportën, por pastaj vendosa ta mbaj për vete”, ka treguar ai për “Zërin”. Mullatahiri, i cili thotë se e ka origjinalin e pasaportës së vitit 1924, tregon se e ka pranuar si dhuratë kur ka qenë në Gjenevë.

TË DHËNAT E PASAPORTËS
Në të dhënat personale në pasaportë të Bajram Currit shkruan se është i lindur në vitin 1866, është nga Gjakova, ndërsa jeton në Tiranë, me profesion është pronar, ndërsa udhëton drejt Evropës. Në shënimet për të shkruan: “Shtati: mesatar, mosha: 58 vjeç, balli: natyral, sytë: gështenjë, hunda: rregullt, flokët: të thi, mjekra: rrueme, mustaqet: të thi, ngjyra: granit”. 91 vjet më parë, një vit para se të vritej, kur Bajram Curri ishte pajisur me këtë pasaportë, siç është edhe vula në të, ai kishte shkruar në Gjenevë. Në vulën e vendosur në pasaportë shkruan se viza është valide për në Francë dhe është lëshuar më 7 tetor në vitin 1924.

Në biografinë e Bajram Currit shkruan se “në vjeshtë të vitit 1924 shkoi në Gjenevë për të paraqitur para Lidhjes së Kombeve çështjen e të drejtave të popullsisë shqiptare të Kosovës të shtypur egërsisht nga serbomëdhenjtë”. Mullatahiri thotë se vulat në pasaportë, që tregojnë disa udhëtime të Bajram Currit, i kanë bërë përshtypje.

“Vulat, që janë të vërteta, në ‘Wikipedia’ i pashë që ka pasur udhëtime në Gjenevë”, thotë ai, duke treguar se ka hulumtuar për të parë nëse pasaporta është vërtet e Bajram Currit. “Kam pyetur çka të bëj me të. Nuk dija, ta dërgoj diku apo ta mbaj për vete”, ka treguar Veton Mullatahiri, duke shtuar se pasi është nga Gjakova e Bajram Curri ka qenë i Malësisë së Gjakovës ka vendosur që ta mbajë pasaportën.

“Unë jam nip i Rexh Hotit, fisit Hoti. Gjyshi im ka pajtuar gjaqe në atë kohë, ka pajtuar edhe disa familje vonë të Rahovecit. Ai ka qenë figurë historike, kështu që pasaportën e kthej në Kosovë, në Gjakovë tek gjyshi im”, ka thënë Mullatahiri.

“E pabesueshme” i duket Vetonit fakti që në duar mban pasaportën e udhëheqësit popullor, ushtarak, senatorit të Senatit të Dhomës së Këshillit Kombëtar të Shqipërisë. “Ajo prej vitesh nuk është ruajtur në ndonjë qendër kulturore a muze, por është mbajtur nëpër duar të njerëzve deri më tani, tani e mbaj unë”, ka thënë Mullatahiri për gazetën, madje ka shtuar se nuk ka besim te institucionet e Kosovës dhe të Shqipërisë që ta dorëzojë tek ato. “Nuk e besoj se do ta dorëzoj. Në një anë e konsideroj dhuratë se për këtë qëllim e kam në duart e mia. Sado që ka vlerë nuk e mohoj, është dhuratë për mua, jo për muzeun”, është shprehur Veton Mullatahiri për pasaportën që ka 24 faqe dhe mban numrin 269.

(el.sp/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: