Debate në emisionin “Open” të gazetares Eni Vasili, në News24, për gjenocidin serb në Kosovë, rezolutë e dorëzuar në Kuvend nga dy palët e opozitës, ajo e Sali Berishës dhe ajo e Enkelejd Alibeaj.

Nenkryetarja socialiste e Kuvendit, Ermonela Felaj, tha se lëvizja e palëve të PD është hipokrite, ndërsa shtoi se e gjitha po bëhet për t’i rënë ndesh nismës “Open Balkan”, si dhe për rikonfirmimin dhe pastrimin e Sali Berishës.

Por, për anëtari i Komisionit të Rithemelimit, Çlirim Gjata, dhe anëtari i Këshillit Kombëtar të PD, Lisandër Hoxha, akuzuan PS dhe Edi Ramën se nuk guxon të dënojë gjenocidin serb ndaj shqiptarëve, për shkak të Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Felaj: I takon kryetares së Kuvendit, që t’i bëjë pjesë të Konferencës së Kryetarëve, të dyja ose njërën, rezolutat për gjenocidin serb në Kosovë, të dorëzuara nga Sali Berisha dhe Enkelejd Alibeaj. Është kryetarja e Kuvendit, që do të vendosë në raport me këto dy rezoluta. Është hipokrite kjo sjellje, që është bërë në modë për të kërkuar debat me mocion. Që prej vitit 2014 e deri më tani, mazhoranca po intensifikon marrëdhëniet mes Shqipërisë dhe Kosovës, gjë e cila nuk ka ndodhur para vitit 2009. Kjo shpreh vullnetin tonë për të qenë në mbështetje të plotë të Kosovës. Rezolutat e opozitës janë instrument për t’i rënë ndesh ‘Open Balkan’.

Gjata: Ky parlament duhet të shohë nëse ka pasur gjenocid serb ndaj shqiptarëve në Kosovë, tjerat janë përralla. Por, Rama nuk guxon ta bëjë këtë prej Aleksandër Vuçiç.

Felaj: Ne e kemi dënuar gjenocidin. Dhe më e rëndësishme është që tashmë kjo është në Gjykatën e Hagës. Nuk ka asnjë lloj morali, që mbështetet nga “non grata” e disa të tjerë, kur Sali Berisha e ka mbështetur politikën e Millosheviçit.

Lisandër Hoxha: E keni rrethuar Kosovën me armiq, me marrëveshje financiare, ku ajo nuk është pjesë. T’iu vijë turp për këtë. Të mos njohësh gjenocidin është tradhti e madhe kombëtare.

Felaj: Kjo është një kërkesë vetëm e një personi, që e ka emrin “non grata”. Sali Berisha do të pastrojë veten, do të rikonfirmojë veten, por kjo histori ka marrë fund.

Lisandër Hoxha: Ju i vutë traun Kosovës. Duhet të pastrohesh e të mos jesh pjesë e politikës së Edi Ramës. Ngrihuni në nivelin e interesit kombëtar. Shqiptarët nuk janë dakord me këtë që thoni ju.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb