Gjermania përgatitet për reformën më të madhe të sistemit të pensioneve në dekadat e fundit. Qeveria e kancelarit Friedrich Merz ka rënë dakord për bazat e ndryshimit të skemës, ndërsa ligji pritet të kalojë në Bundestag deri në fund të vitit 2026.
Duke komentuar zhvillimet për News24, analisti i DW, Auron Dodi, tha se reforma vjen si pasojë e dy presioneve të mëdha me të cilat përballet Gjermania: plakjes së shoqërisë dhe dobësimit të ekonomisë.
Sipas Dodit, reforma ka dy elementë kryesorë: rritjen graduale të moshës së daljes në pension dhe financimin e një pjese të pensioneve përmes tregut të aksioneve.
Sipas tij, për punonjësit që janë sot në tregun e punës, ndryshimi do të jetë i kufizuar dhe nuk bëhet fjalë për një shtyrje të menjëhershme të pensionit me vite. Ndërkohë, kancelari Friedrich Merz ka garantuar se pensionet aktuale nuk do të shkurtohen.
Një nga risitë më të rëndësishme të reformës është krijimi i një fondi shtetëror aksionesh. Punonjësit do të kontribuojnë fillimisht me 0.5% të pagës bruto, ndërsa deri në vitin 2031 kontributi do të rritet në 2%. Këto para do të investohen në tregun e kapitalit për të krijuar të ardhura shtesë për pensionistët e ardhshëm.
Dodi shpjegoi se ky model është i ngjashëm me atë të Suedisë, ku një pjesë e kontributeve investohet në tregjet financiare prej vitesh.
Sipas parashikimeve, një person që kontribuon për 20 vite në fond mund të përfitojë rreth 150 euro shtesë në muaj, ndërsa për ata që kontribuojnë për 45 vite përfitimi mund të jetë mbi 770 euro në muaj.
Një pjesë e veçantë e reformës lidhet me migrantët, të cilët sipas Auron Dodit janë bërë një faktor kyç për ekonominë gjermane.
Reforma pritet të zgjerojë edhe bazën e kontribuesve, duke përfshirë më shumë kategori si të vetëpunësuarit dhe persona që deri tani nuk kanë qenë pjesë e plotë e sistemit.
Megjithatë, sipas ekspertëve, migrantët që kanë ardhur vonë në Gjermani ose kanë pasur ndërprerje në pagesat e kontributeve mund të përfitojnë pension më të ulët, pasi sistemi favorizon ata që kontribuojnë për periudha të gjata.
Reforma gjermane po ndiqet me interes në Evropë, pasi Berlini synon të ndryshojë mënyrën e financimit të pensioneve dhe të mobilizojë kursimet private përmes tregjeve të kapitalit.
Me këtë hap, Gjermania synon të krijojë një sistem më të qëndrueshëm përballë plakjes së popullsisë dhe mungesës së fuqisë punëtore.
Intervista për News 24
News24: Në Gjermani, qeveria e kancelarit Merz u pajtua me themelet e reformës më të thellë të pensioneve prej dekadash. Ligji do të kalojë edhe në Bundestag, parlamentin federal, para fundit të 2026-s. Por çfarë do t’u sjellë ajo punonjësve, po migrantëve?
Për të mësuar më shumë jam lidhur tani në Gjermani me Auron Dodin, në DW.
Auron, përshëndetje!
Pakkush e priste këtë kthesë verore. Në se konsiston plani i madh?
A.Dodi: Qeveria gjermane përballet me dy presione: me plakjen e shoqërisë dhe me faktin që ekonomia s’po e merr veten. Prandaj qe e nevojshme të vepronte.
U ngarkua një komision prej 13 ekspertësh të njohur, që paraqiti propozime. Dhe konservatorët e CDU/CSU dhe socialdemokratët thanë menjëherë se do t’i zbatojnë të gjitha këto propozime, në 2 korrik kur u paraqit raporti i ekspertëve.
Reforma ka dy elementë qëndrorë. E para: detyrimin për ta financuar në tregun e aksioneve një pjesë të pensionit. E dyta: rritjen shumë graduale të moshës së daljes në pension.
Meqë pikërisht mosha na intereson më shumë: mosha ligjore e daljes në pension po ngjitet që tani hap pas hapi. Ajo do të arrijë 67 vjeç në vitin 2031. Prej atje, me reformën ajo do të rritet më tej, në përputhje me jetëgjatësinë mesatare në Gjermani.
Por njerëzit në Gjermani do të dalin në pension me 70 vjeç jo para vitit 2092. Kjo do të thotë se për ata që janë sot në moshë pune, reforma e shtyn pensionin vetëm me pak muaj, jo me vite. Veç kësaj: pensionet nuk do të shkurtohen, kancelari Friedrich Merz u shpreh qartë për këtë.
Suksesi i arritjes së reformës që pritet të miratohet deri në fund të vitit edhe nga Bundestagu shpjegohet edhe me dy faktorë: Qeveria ua kaloi ekspertëve propozimet më të mprehta. Gjithashtu, presioni në rritje i AfD-së, partisë së djathtë populiste, i shtyu të gjithë.
E reja qëndron te kontributi i detyruar në një fond aksionesh. Sa do t’i mbahet nga paga punonjësit?
Fillimisht do t’i mbahen vetëm 0,5 për qind të pagës bruto, shifër që deri në vitin 2031 ngjitet gradualisht në 2 për qind. Këtë kontribut e ndajnë përgjysmë punonjësi me punëdhënësin, i cili paguan gjysmën tjetër. Këto para derdhen në një fond shtetëror, që i investon në tregun e kapitalit. Kështu vepron p.sh. Suedia, që nga viti 1999.
Sa më gjatë do të kontribuojë një punonjës për aksionet, aq më shumë para do të marrë: njëzet vjet i sjellin rreth 150 euro më shumë në muaj, dyzet e pesë vjet kontribut mbi 770 euro në muaj.
Pensioni ligjor nuk do të preket. Ky fond aksionesh thjesht i shtohet atij. Për herë të parë, tregu i kapitalit do të punojë edhe për pensionet e vogla.
News 24: Le të mbetemi këtu. Krahasuar me vende të tjera, sa i lartë është pensioni i një punonjësi në Gjermani? Dhe si do të financohet ai?
Auron Dodi: Pensionin në Gjermani s’ta jep kursimi që bën. Ta paguan brezi i ri që punon sot. Kjo quhet këtu sistem shpërndarjeje (Umlageverfahren). Kontributet e atyre që punojnë sot shkojnë drejt te pensionistët e sotëm.
Niveli i pensionit në Gjermani është rreth 48 për qind të pagës mesatare. Vlen për dikë që ka punuar plot dyzet e pesë vjet. Duket pak, por s’është aq pak, kur e sheh nga afër. Franca, p.sh. premton 50 për qind. Mirëpo Franca llogarit vetëm njëzet e pesë vitet më të mira në punë. Dhe prapëseprapë e ka sistemin në vështirësi.
Me reformën synohet të zgjerohet edhe rrethi i atyre që do të paguajnë. Tani do të kontribuojnë për herë të parë të vetëpunësuarit dhe deputetët. Ndoshta edhe nëpunësit civilë. Edhe puna me pagesë minimale, ‚minijob’, do të përfshihet më shumë në sistemin e pensioneve.Kështu barra ndahet tek më shumë supe.
Një element tjetër financimit të reformës është rritja e tatimit në 47 për qind për ata që fitojnë mbi 250.000 euro në vit. Por mendohet se janë rreth 150.000 vetë, jo më shumë.
News24: Le të ndalemi te ata që harrohen ndonjëherë: te migrantët. Çfarë u sjell atyre kjo reformë?
Auron Dodi: Fillimisht duhet thënë se në një masë të konsiderueshme janë migrantët e ardhur, ata që e mbajnë në këmbë sistemin e pensioneve në Gjermani. Sot rreth një në pesë punonjës mban pasaportë të huaj. Kjo është dyfishi i vitit 2004.
Sipas burimeve zyrtare, ishte sidomos fuqia punëtore nga Ukraina dhe Ballkani Perëndimor ajo që kompensoi p.sh. në vitin 2022, boshllëkun e kontribuuesve gjermanë.
Migrantët e ardhur shquhen edhe si sipërmarrës. Përfaqësojnë 21 për qind të atyre që themelojnë biznese, megjithëse janë vetëm 18 për qind e popullsisë. Numri i tyre arriti në 773.000, brenda vitit 2018. Reforma i fut ata për herë të parë në skemën e pensioneve.
Njëkohësisht nuk duhet harruar: kush ka ardhur vonë ose ka ndërprerje në kontributet për pensionet, mbledh më pak para e pikë. Nga fondi i ri fiton më shumë ai që derdh në të herët dhe pa ndërprerje.
News 24: Evropa po e sheh me interes këtë reformë gjermane, sipas medieve. Pse?
Auron Dodi: Gjermania ecën drejt eleminimit të një veçanësie penguese. Dhe kjo do të ndihet përtej kufijve për shkak të përmasave të ekonomisë gjermane. Gjermanët i ruajnë paratë me kujdes. Por i mbajnë kryesisht në mënyrë konservatore, në libreza kursimi. Aksionet përgithësisht i kanë parë si lojë me rreziqe. Tani, fondi i ri shtetëror i aksioneve, e ndërpret këtë sjellje.
Çdo vit përmes tij do të derdhen rreth 30 miliardë euro në bursë. Kështu Gjermania vepron ngjashëm me shtete si Danimarka, Holandën dhe Suedia. Që orientohen prej kohësh fort te tregjet e kapitalit.
Një hap i tillë i një ekonomie kaq të madhe sa Gjermania, rrit shanset edhe për krijimin e tregut të përbashkët të mirëfilltë të kapitalit në BE. Ky projekt bashkon kursimet e kontinentit për rritjen. Vlen edhe për vendet e vogla. Gjithashtu, me reformën Berlini u dërgoi investitorëve një sinjal: se është në gjendje të veprojë kur do.
