Nga Gjet Kadeli

Pjesa e tretë
Publikohen disa dokumente arkivore të nxjerra nga Autoriteti për Informimin e Dosjeve të ish-Sigurimit të Shtetit, ku ndodhet një dosje voluminoze (dosja formulare e përpunimit dhe ajo hetimore e gjyqësore ) në ngarkim të Gjet Kadelit, me origjinë nga fshati Bulshar i Oroshit të Mirditës dhe me banim në Bushnesh e Mamurras të Kurbinit, ish – i burgosur politik në regjimin komunist të Enver Hoxhës dhe pasardhësit të tij, Ramiz Alia, i cili kaloi plot 16 vjet në kampet dhe burgjet komuniste, si në Spaç, Burrel, etj.

Siç do të shohim nga dokumentet që ndodhen në dosjen në ngarkim të Gjet Kadelit, e cila publikohet për herë të parë nga Memorie.al, survejimi dhe ndjekja ndaj tij, ka filluar që në vitin 1957, kur ai ishte në moshën 17 vjeçare, me raport-informacionin e oficerit të Sigurimit të Shtetit, Fahri Kraja, (në bazë të të dhënave të bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Dylli i Bardhë”, me miratimin e Kryetarit të Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, nënkolonel Muhedin Kërxhalliu), ka vazhduar më pas edhe gjatë periudhës që ai ndodhej në kampe dhe burgje, si në Spaç, ku pas revoltës së majit vitit 1973, Gjeta u ri-dënua, pasi ishte ideatori kryesor për ngritjen e flamurit pa yllin komunist, duke vijuar më pas në burgun e Burrelit, me raport-informacionet e Punëtorit Operativ, Piro Nuredini, etj., për bisedat e Gjetës me të dënuarit e tjerë të atij burgu, si: Pjetër Arbnori, Daut Gumeni, Abdulla Sallaku, Spartak Ngjela, Avni Aliko, Luan Burimi, Çaush Çoku, Kapllan Resuli, Bardhosh Gjonzeneli, Bashkim Shehu, etj.

Survejimi dhe ndjekja ndaj Gjet Kadelit, ka vijuar edhe pas daljes nga burgu në vitin 1987, duke vazhduar deri në janarin e 1991-it, me shembjen e regjimit komunist, kur dosja e tij u mbyll përfundimisht duke u arshivuar në arshivën sekrete të ish-Sigurimit të Shtetit. Po kështu, një vend të rëndësishëm në dosjet e në fjalë, zë edhe korrespodenca me letra e Gjetës dhe familjes së tij, me babanë e tyre, Pjetër Kadeli, ish-ushtarak i Monarkisë së Zogut, i cili pasi kishte shpërthyer qelitë e burgut të Degës së Brendshme të Rrëshenit, qëndroi disa kohë në male në arrati e më pas në vitin 1949, mori dhe djalin e tij, Gjonin dhe u arratis në Jugosllavi e, më pas në SHBA-ës, ku qëndroi si emigrant politik, deri në fillimin e viteve ’90-të, kur u kthye përgjithmonë në Shqipëri.

Gjatë kësaj periudhe kohe 35 vjeçare, që Gjet Kadeli është ndjekur dhe survejuar nga Sigurimi i Shtetit, ndaj tij janë angazhuar dhe aktivizuar 33 bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit, që kanë dhënë raportet e tyre, duke filluar nga “Dylli i bardhë” në 1957-ën, e deri te “Dallëndyshja e Malit” në 1990-ën, të cilat, do të pasqyrohen të plota, ashtu siç ndodhen në dosjet përkatëse.

  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri
  • foto galeri

Vijon nga numri i kaluar

Raporti sekret i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, major Muço Ibro, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Mbrehja”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij me persona të ndryshëm

Marrë: P.Op. Major Muço Ibro

Dhënë: B.p. “Mbrehja”

Raport i dt. 13 .3.1962

Më datën 11.3.1962, ora 10 paradite, në Mamurras, ai ka biseduar me Gjet Kadelin dhe Gjeta i thotë se: “Në Shqipëri, do të ndryshoj sistemi i mëparshëm dhe do të vendoset sistemi i Kinës, ku çdo bujku, do t’i jepen 30 dynym tokë. Një gjë të tillë, Enver Hoxha, e pranoi, por nuk don Mehmet Shehu. Veç kësaj, Gjeta, atij, i kërkon shtatë fishekë “Parabeli” gjerman, me këmbëngulje për t’ja dhënë atij arsimtari që, i ka dhënë “Beretën”, dhe që për këtë, herët përmendet në raportin e datës 9.3.’62. Këto fishekë, do t’ja japi atij arsimtarit, për t’i marrë një pushkë austriake.

Ai i thotë, se: “Neve o Gjetë, kemi biseduar çdo gjë bashkë dhe më vjen keq që, nuk më flet hapur, për çdo gjë që kemi”. Gjeta i thotë, se: “Unë ty nuk të fsheh asgjë, por, për personin që më ka dhënë revolen, jam betuar dhe nuk mundem me të diftu, por duhet të dish, se armët i kemi këtu afër, të cilat i ka një person që nuk të shkon kurrë mëndja, se ai ka armë”. Gjeta përsëri, ja ka kallëzuar atij revolen dhe i thotë, se nga ai arsimtari mirditas, e ka blerë 15 mijë lekë dhe Gjeta e ka marrë revolen për ta mbajtur përkohësisht, por nuk ja ka blerë, veç se i ka thënë, mbaje sa të duash se unë kam armë tjetër.

Nga ana tjetër, Gjeta i ka thënë atij, se Bib Kaçorri, nga Bushneshi, është besnik, kurse i vëllai i Bibës, Gjergj Kaçorri, nuk i besoj. Këtu kuptohet se nga vetë kjo bisedë, Gjeta e ka të besuar Bib Kaçorrin dhe duhet t’i ketë kallëzuar çdo gjë, mbasi e ka dajë. Bib Kaçorri, sot është me gradë nën/toger rezervë.

Përveç sa sipër, Gjet Kadeli, ka kushëri dhe shoqëri të ngushtë, që bisedon dhe shoqërohet sa herë që del në Mamurras, me policin, Nikollë Zef Prengën, nga Bilanji, efektiv i policisë së Mamurrasit.

I ati i Gjergj Dobrozit, nga Bushnshi, Vlash Dobrozi, para tre javësh, ka shkuar në shtëpinë e Gjet Kadelit dhe i ka thënë që të shkoj te Dom Marku (prifti i Zhejës), dhe t’i thuash se: kur ka ardhur prifti në Bushnesh, ka bërë gabim, që nuk ka ardhur tek unë, pavarësisht se djali im, është anëtar partie, por ai ka ngelur kështu dhe mbeti a.p., por në fakt, është me neve.

Dom Marku, ta kërkoj me këmbëngulje, ofendimin që i ka bërë i biri i Haxhi Senës, kur ka ardhur në Bushensh. Kjo me qëllim, për të dëmtuar të birin e Haxhi Senës dhe të sidomos fenë.

“Mbrehja”

Detyrat:

Shoqërohu gjithmonë me Gjet Kadelin dhe nëpërmjet bisedash i thuaji se: unë do të mundohem të të gjej fishekët, por kjo nuk është kollaj dhe po më vë në pozitë të vështirë. Nga ana tjetër, mundohu të mësosh se, cili është ai person që ka armë dhe i ka dhënë “Beretën”, përkohësisht, por kjo me takt dhe me kujdes që, te Gjeta të mos lind ndonjë dyshim.
Nëpërmjet bisedash, të mësosh se si e konsideron Gjeta të birin e Vlash Dobrozit (Pjetër Dobrozin), nëse është njeri i mirë dhe besnik i tij?
Punëtori Operativ

Major Muço Ibro

Raporti sekret i Punëtorit Operativ të Sigurimit të Shtetit, Fejzo Behaj, me të dhënat e bashkëpunëtorit të Sigurimit me pseudonimin “Manushaqja”, lidhur me ndjekjen e survejimin e Gjet Kadelit dhe bisedat e tij me persona të ndryshëm.

TEPËR SEKRET

Marrë P.Op. Fejzo Behaj

Dhënë: B.p. “Manushaqja”

Raporti i dt. 1.3.1967

Burimi njofton se me datën 18.2.1967, është takuar me Pjetër Lugjin nga Mamurrasi, i cili punon në Thumanë si Bojaxhi. Ai u takua në kaldajë dhe ndër bisedat e tjera, ai i tha se nuk ma merr mëndja, që të arratisen Preng Bardhi dhe Gjet Kadeli, në këtë kohë, Pjetri, i tha atij, se ata do të arratisen patjetër, dhe shpejt, se unë mbrëmë isha tek Gjeta dhe i kërkova një gur xhami, që atij i kanë ardhur nga Belgjika, se atje ka të vëllanë dhe të atin. Gjeta, më tha: mos u mërzit se unë do t’i jap të dyja këto, se do të iki jashtë, me legatën e Belgjikës, se kam takuar ata të legatës dhe e kemi lënë, që të takohemi tek Qafa e Mamurrasit, aty do t’i hipi makinës së legatës dhe do të shkojmë në Jugosllavi.

Në këtë kohë, ai i tha: po ti Pjetër, si e lejon një gjë të tillë, se ti e ke tënden të shoqen e Prengës, Pjetri i tha atij, se për këtë gjë, nuk po pyes shumë. Ai i tha përsëri, shiko mirë, mos ngatërrohesh ti në këtë punë, Pjetri i tha, se unë nuk i kam njohur mirë ata, të Sigurimit, se do t’ju them, po tani nuk i kam parë, me kaq biseda u mbyll.

“Manushaqja”

Detyrë:

Sqaro kur dhe ku janë takuar me legatën e Belgjikës dhe të dy, apo vetëm Gjeta.
Kur e kanë lënë për të ikur me ata të legatës dhe si do ta marrim vesh se legata është nisur që të dalin këta për ta pritur.
Çfarë përgatitje kanë bërë për të ikur, pasi makina e legatës, deri në afërsi të kufirit, mund t’i marrë, ose në të kundërtën, si do t’i fshehi legata këta, kur të venë në kufi.
Kush tjetër është në dijeni për këtë gjë, përveç Pjetrit.
Inkurajo në mënyrë indirekte, Pjetrin, që të bëjë denoncimin tek neve, por, duke i vënë rrezikun që ka ai, po të mos tregojë, për këtë gjë, duhet të kesh shumë kujdes.
Vlerësimi i të dhënës:

E dhëna ka mjaft rëndësi, pasi kemi të bëjmë me arratisje dhe në këtë rast, këta të dy, na dalin se kanë lidhje me legatën belge ku dhe me ndihmën e tyre, duan të arratisen.

Sqarim:

Gjeta ka jashtë të atin dhe vëllain, aktualisht i ka në Belgjikë, të dy këta, me Prengën, kanë përbërje politike të keqe.

Punëtori Operativ

Fejzo Behaj

Dokumenti me plan-kombinacionin e miratuar nga Kryetari i Degës së Punëve të Brendshme të rrethit të Krujës, Dhosi Pecani dhe Kryetari i Degës së II-të të Sigurimit të Shtetit, Jani Naska, për survejimin me aparate përgjimi, të Gjet Kadelit

APROVOHET

KRYETARI I DEGËS P. TË BRENDSHME

DHOSI PECANI

KRYETARI I DEGËS SË II-TË

JANI NASKA

Plan – Kombinacioni dhe vijë sjellje “për burimin “Oratori” në drejtim të objektit Zullapi”.

Sipas burimit, “Oratori”, rezulton se objekti ka lidhje me një përfaqësi të huaj diplomatike në Tiranë, njëkohësisht ka dhe tendenca arratisje jashtë shtetit. Në këtë drejtim, objekti i ka thënë burimit ndërmjetës, ndër të tjera: “Baba më ka dërguar letra, nëpërmes legatës belge në Tiranë. Në këtë përfaqësi, kam takuar dy herë dhe kam mbetur dakord, që kur të kalojnë në rrugën e Mamurrasit për në kufi, do të ndaloj, të hipim në automjetin e saj dhe të shkoj deri në kufi, nga ku do të arratisem për të kaluar matanë”.

Burimi shton, se në muajin nëntor 1966, në një mbas dite, kanë qenë bashkë me objektin, në Tiranë, i cili më shëtiti në territorin ku janë disa legata të huaja, për t’u takuar me përfaqësinë belge. Në fakt, megjithëse kishte lënë takim, kjo nuk u realizua. Si rrjedhim, mbasi qëndruam rreth një orë e gjysëm, u larguam, vamë të hamë bukë.

Me qëllim që të vërtetojmë këto të dhëna, mendojmë, të dëgjoja bisedat midis tyre me anën e T.O.

Për t’ja arritur këtij qëllimi, mendoj të vëmë në jetë këtë lloj kombinacioni e vijë-sjellje:

Të bisedohet me burimin, dhe t’i thuhet se “Zullapi”, ka në Tiranë një shokun e tij, i cili është njëkohësisht edhe i besuari jonë, por që në një rast, ka nguruar, të takohet me “Zullapin”. Arsyet nuk i dimë, ndoshta e takon, por e mbron atë. Dhe tani, organit tonë, mendon që të sqarojë pozitën e X-it me anën tuaj. Po qe se burimi do të jetë dakord, do të veprohet si më poshtë:

-Brenda datës 8 mars 1967, burimi të takojë me objektin dhe ndër të tjera, t’i thotë: Kam dashur me të tregu diçka interesante (duke bërë dhe buzën në gaz)…”. Burimi me siguri, do të bëhet kurajoz të mësojë këtë gjë dhe do të pyes…! Kur t’ju pyes, gënjeje, duke i thënë: “Më ka dërguar haber, e ka mbetur dakord me Marash Kolën nga Durrësi, që të më japë për grua kunatën e tij, por mbasi, ta kemi parë më parë njeri tjetrin në Tiranë, gjë për të cilën, pres nga ai, të më dërgojë një letër. Kur të më vijë letra, do të vete ta shoh, po deshe, eja dhe ti ta shohim bashkë se mos më mbyllen sytë, kur të vijë ajo, dhe mbytem përjetë. Bile, meqenëse vakti i martesës po më shkon, nuk do t’i tregoj askujt, sepse, po qe se nuk më pëlqen, do të thonë bota, akoma dhe të afërmit e mi, se ajo nuk më ka pëlqyer. Si pasojë, bëhem me turp. Prandaj, dhe ti mbaje sekret këtë gjë, po qe se më don të mirën”.

Në qoftë se “Zullapi” do të jetë dakord, të vijë me ty në Tiranë, pastaj, në një takim tjetër të afërt, do të të japim një letër, sikur ta ka dërguar Marashi, me këtë përmbajtje: “U mora vesh me familjen e gruas, e cila nuk ma ndau pa të parë dhe çupa, prandaj, këtë javë do të vijë me makinën e ndërmarrjes, më prit përpara Sahatit në orën 19.00, deri më 20.00, të datës ….! Në qoftë se, mund të vonoj më shumë, zë vend në Hotelin “Vollga”, ku do të vijë të fle dhe aty bisedojmë, mbasi të nesërmen, do të vijë nga Durrësi ajo me taksi, bile, interesohu për vend në hotel, edhe që të kalojmë natën”.

Këtë letër, nxirre nga xhepi dhe ja lexo i gëzueshëm objektit dhe kur të veni në Tiranë, veproni sipas porosive të Marashit. Në përfundim, thuaj objektit, se këmbët na u lodhën duke pritur, koka filloj të më dhëmbi dhe ora kaloi, prandaj, shkojmë dhe presim në hotel. Kur të veni në hotel, lutju atij për të pushuar e pritur Marashin.

Kur të shkoni në dhomë, të jetë ora 20.30 deri në 21.00, në mënyrë që, në orën 22.00, të kemi dërguar e t’ju gjejë aty X-si (shoku i objektit), i cili do të trokasë disa dyer, për të maskuar ardhjen, pastaj do të trokas në derën tuaj, gjoja, se kërkon një person tjetër dhe sikur aksidentalisht, takoi me objektin. Me këtë rast, ti qëndro indiferenten prit nëse, do të prezantoj objekti me X-in, apo jo dhe kryesisht, dëgjo më vëmendje, nëse midis tyre, do të zhvillohen biseda dhe të ç’karakteri do të jenë ato.

Ne, (organeve tona), na intereson, (do t’i thuhet burimit, se do të ishte mirë, që X-si, t’ju gjen në biseda të thella në dhomë, për të parë se si do të reagojë objekti, kur të vijë X-si. Prandaj, mbas orës 21.00, futu në temën që na intereson, pa ardhur akoma X-si. Bisedën, mendoj ta filloni kështu: “Po qe se do të biem dakord me Marashin, do të gëzoj shumë, do të fluturoj në hava. Por, përderisa të martohem, do të kem telashe, kam frikë, mos më vëne kondita të rënda për lek, apo për rroba, megjithëse, andej nga Durrësi, më duket, se këto zakone, i kanë hequr me kohë. Sidoqoftë, më duhet të mendoj seriozisht, për dy gjëra:

Për të kursyer lekun, 2. Për të gjetur kumbar. Natyrisht, vështirësi do të jem për të krijuar një buxhet të mirë, ndërsa për kumbar, po qe se do të jemi këtu…e kam të zgjidhur problemin, bile jo vetëm me kaq, por edhe problemin e parë, do ta konsideroja të zgjidhur, në qoftë se do të dërgoj ndonjë çek të rëndë babai, apo vëllai, prej andej, fundja, ndonjë palë rroba të mira, kundrejt pagesës me këste për veten time, ose për gruan e cila do të gëzoj, pa masë. Po në qoftë se, juve do të arratiseni tek babai, me anën e legatave të huaja, sipas atij planit që me ke treguar, atëhere unë, do të vras mendjen, të gjej kumbarë, se çekun do ma dërgosh ti, apo jo…”! Këtu ndalu, e lëri rast që të flas edhe objekti. Në qoftë se, të thotë, se do të iki, atëhere thuaji, mirë ke menduar, por, por sikur të prishet automjeti i legatës dhe aty të të kapin? Ose sikur në kufi të ngatërrosh rrugën, të të kapin, ose të të vrasin? Nuk do ishte më mirë që kokën të mos e vini në rrezik, përderisa babai të dërgon për të jetuar? Po për familje, nuk duhet menduar? Babai, besoj se do të zemërohet po të marrë vesh se ti mendon në atë mënyrë. Po legata, çfarë interesi ka në këtë mes, që të të nxjerrë ty, për deri sa babanë e ke andej? Asaj, them unë, se i intereson më mirë, të jemi këtu, për punët e saj, apo jo? Këtu ndalu dhe prit, se çfarë do të thotë ai.
Pastaj, kur të vij X-si dhe ju të keni mbaruar këto muhabete, jo vetëm, bën sikur, nuk të interesojnë fjalët e tyre, por, po qe se, do të futen në të tilla gjëra, dëgjoji deri në fund dhe pastaj, u thua, se këto janë shaka me zarar, por lëri ato fjalë, se do t’u marrë dreqi. Këto fjalë, në fund fare, do t’i thuash, që të mundemi të nxjerrim nga telashet, sido që të vij puna.

Të nesërmen, thuaji, si i revoltuar, do t’i…nanën atij pse nuk erdhi, harxhova paratë, pastaj, arsyeto e përsëri thuaj, pa le se si do t’i këtë vërë vaki, do t’i vete vetë në Durrës, apo mos vallë vjen sot, e të tjera llafe, për të justifikuar mungesën.

Në përfundim, silluni atë ditë bashkë nga të dojë objekti, nëpër Tiranë, dhe kur ta shihni të arsyeshme, kthehuni në Mamurras.

Edhe gjatë shëtitjeve nëpër Tiranë, mundohu të zbulosh ata që mund t’i afrohen objektit dhe qëllimin pse. Njëkohësisht të vërtetoni vendin ku objekti ka vajtur për takime me përfaqësuesit e huaj.

Që ky kombinacion, të japi rezultatin e dëshiruar, të kryhen edhe detyrat e poshtëshënuara:

Të kërkohet nga Durrësi, urgjent një zarf me pull e vulë të PTT-së Durrës, të pashkruar, për ta plotësuar Dega e Krujës, sipas nevojës së saj.
Të bashkëpunohet me Degën e Dytë në Tiranë, për caktimin e Hotelit ku kanë T.O.
T’i kërkohet Degës së Dytë, ndihma e nevojshme, për të organizuar survejimin dhe ndëgjimin me anë të T.O.
Për çdo eventualitet të Punëtorit Operativ të Krujës, të vihet në dispozicion të Degës së Dytë. “….Peçi Mandi”. /Memorie.al
ZV/KRYETARI I DEGËS SË BRENDSHME

GOLE BASHARI

Krujë, më 6.3.1967

Vijon numrin e ardhshëm

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb