Damian Gjiknuri flet pas propozimit të draftit të PS me ndryshimet kushtetuese për Kodin Zgjedhor në mbledhjen e Këshillit Politik.

Ai thotë se ky draft meriton të diskutohet në Këshillim Politik, aty ku e fton opozitën të marrë pjesë, pavarësisht se mund të mos bjerë dakord. Gjiknuri kështu iu përgjigj edhe kërkesës së Opozitës së Bashkuar për t’ju drejtuar OSBE-ODIHR për ekspertizë.

Ai tha se OSBE-së i shkohet me një draft konkret të dalë nga diskutimet dypalëshe dhe jo me një draft të njëanshëm. Ai tha se PS e kishte një draft dhe se i takon PD-së tashëm të bëjë propozimet e saj, të sjellë drafte, të diskutohet dhe në fund produkti final t’i shkojë edhe OSBE-ODIHR-it për ekspertizë.

“Besoj që të gjithë e patë që fatkeqësisht PD bojkotoi Këshillin Politik. E bllokoi me të njëjtat qëllime të hedhin peng procesin të mbajnë peng ndryshimet kushtetuese. Nga ana tjetër stiset një debat i kotë, po bëjnë sikur zihen për procedurë a duhet ODIHR tani, a duhet pastaj. ODIHR është organizatë e specializuar që jep mendim për produktet konkrete, ne e sollëm një produkt zgjedhor aty parashikohen koalicionet dhe mekanizma që përcaktojnë ndarjen e mandateve, se zgjedhësi voton edhe për partinë edhe për kandidatët. ODIHR nuk i shkohet për sherre teorike, jep opinion për drafte. Ka qenë këtu për rekomandime po gjetët rekomandim që thotë ODIHR se si zbatohen ndryshimet kushtetuese…hajde të punojmë, koha nuk pret. Në tetor të fillojë nga puna KQZ e re.

Afati është i shkurtër dhe shkurtohet përditë. Ne kemi definicion për koalicionet aty. Më gjeni një pikë të 5 qershorit që ka qenë e debatueshme çështja e koalicioneve. Për ta kuptuar shqiptarët: PD nuk do vazhdimin e kësaj tryeze, do ngecjen e saj. Nëse e ndjejnë veten të fortë ata i kanë votat, por ky është sebep për të justifikuar krizën e tyre të brendshme. Nuk jam i dashuruar me ato që kemi sjellë, mund të kemi edhe ne defekte po ama hajde të diskutojmë për to, pastaj të nisë debati. Unë i pres në mbledhje ata kërkojnë qiqra në hell. Nuk mund të kemi ekspertizë pa pasur draft më parë. Unë nuk dua që ODIHR të gjykojë draftin tonë të njëanshëm, duhet edhe opinioni i PD, i shkohet me produkt konkret ODIHR-it”,- tha Gjiknuri.

Ndërsa kërkoi me ngulm që opozitarët të shkojnë në mbledhjen e Këshillit Politik, Gjiknuri tha se kanë mundësinë të shprehin edhe kundërshtinë e tyre në mbledhje. Afati i fundit që ata kanë sipas tij, është 30 shtatori.

“Unë jam i detyruar që më 30 shtator ta dorëzoj këtë draft në Kuvend. Qëllimi i tyre është të krijohet një situatë politike e humbësve”.

(m.a/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: