Kryetarja e LSI-së, Monika Kryemadhi e ka nisur mëngjesin e sotëm me një takim në Vorë, ku ka dëgjuar shqetësimet e disa banorëve të kësaj bashkie.

Gjatë fjalës së saj, Kryemadhi tha se gjithçka është e errët dhe se duhet program. Sipas saj, LSI është partia që di t’i mbajë premtimet, ndërsa shtoi se ndryshimi vjen nga të rinjtë.

“Situata në vend është tepër e vështirë, pasi kemi njerëz që kanë humbur vendet e tyre të punës, bizneset po shkojnë drejt falimentimit, taksat e larta, çmimi i lartë i energjisë elektrike janë gjëra që çdo ditë e më shumë po ja marrin frymën ekonomisë dhe familjes shqiptare.
Unë dje kam qenë gjithë ditën në qytetin e Fierit dhe edhe në këtë qytet, edhe atje çdo gjë ishte e bllokuar. Ndërkohë sot jemi këtu në Vorë, ku në orët e para të mëngjesit duhet të ketë një lëvizshmëri të madhe për shkak të zonës, që është një zonë industriale dhe bujqësore, por që është kthyer në një qytet fantazmë, për shkak të asaj politike jo vetëm diskriminuese por edhe që ka grabitur pronën e qytetarëve të Vorës. Ne kemi qenë edhe më përpara në pallatet e dëmtuara nga tërmeti, ku faktikisht banorët jo vetëm që nuk kanë asnjë bonus qiraje, por nuk kanë asnjë plan se ku do të jetojnë, nëse pallatet e tyre do të shemben apo do të rindërtohen, apo rikonstruktohen. Është shumë e kollajshme për të thënë që po menaxhon një situatë për shkak të rindërtimit, apo për shkak të tërmetit, por nga ana tjetër mungesa e sigurisë dhe e garancisë që shteti i jep banorëve është shumë e madhe. Jo më larg se para disa ditësh, ditën e diel, ne patëm një denoncim nga mjekët dhe infermierët e qendrës shëndetësore të Vorës, të cilët i kanë drejtuar një peticionin ministres së Arsimit dhe Drejtorisë Shëndetësore të Tiranës për shkak të mungesës jo vetëm të vëmendjes, por edhe të mbrojtjes së tyre. Mungesa e maskave, mungesa e dezinfektantëve, mungesa edhe e respektit të këtij personeli. Dhe reagimi i institucioneve është zero dhe nga ana tjetër shikojmë një propagandë që bëjnë sikur po përgjërohemi për mjekët, nga ana tjetër pastaj një degradim të sistemit shëndetësor që është kthyer në gjobë vënie. Pra, kemi disa anë monedhe, që kanë krijuar hapësira të mëdha abuzimi me këtë kategori. Ndërkohë që nga ana tjetër kemi edhe bujqësinë, si pjesë kryesore të mbijetesës, që po ashtu është totalisht e harruar në vizionin e qeverisë, ndërkohë që njerëzit duan jo vetëm ndihmën ekonomike, por edhe garancinë për shitjen e prodhimeve. Ne flasim për TVSH-në e inputeve që u bë me tam-tam-e të mëdha që ne nuk do të rimbursojmë ose do të heqim TVSH-në për inputet, kur në fakt çmimet tek inputet janë po aty dhe vazhdojnë dhe paguhen akoma më shtrenjtë.

Për të mos vazhduar më tej me mungesën e punësimit për të rinjtë dhe të rejat që në Vorë jam e bindur që është zero. Për të mos folur më pastaj për gruan e cila e ka të pamundur jo vetëm mundësinë për tu punësuar, por edhe për të pasur një pavarësi ekonomike, e për të mos folur më për fuqizimin e saj ekonomik. Po ashtu për të mos folur për mungesën e kopshteve dhe të çerdheve, ku ne kemi qenë në një shkollë, e cila jo vetëm është shkatërruar dhe rrënuar, por ka vetëm dy grumbuj me zhavorr dhe edhe pse paratë ua dhënë firmave fituese, përsëri nuk kemi asnjë tentativë për të filluar ndërtimin e saj.
Pra, çdo gjë është aq e errët saqë njerëzit në një farë mënyre kanë të drejtë edhe të revoltohen, por mendoj që pika jonë më e fortë dhe kryesore është jo vetëm mundësia për të shpalosur programin tonë, por edhe ky lloj bashkëbisedimi ne na ka bërë të mundur për të kuptuar që shumë programe partish politike, të cilat mund të jenë shumë mirë të shkruara në letër, janë të pazbatueshme në të ardhmen.”, tha Kryemadhi.

Më tej Kryemadhi shtoi se; “Ne e kemi shumë të qartë tashmë, jo vetëm fokusin dhe përqendrimin tonë, por kemi avantazhin kryesor, që është mbajtja e premtimeve. Kudo që takohemi me njerëzit, ne jemi aq ballëhapur me ta, që ne e mbajmë premtimin, që ne i qëndrojmë fjalës së dhënë, dhe kjo ka qëndruar, ka ekzistuar dhe ne duhet ta forcojmë dhe ta bëjmë akoma më prezentë. Unë e ndjej të domosdoshëm komunikimin me njerëzit, sidomos me pjesën më vitale të shoqërisë shqiptare, që janë të rinjtë dhe të rejat, jo se burrat dhe gratë nuk janë vitalë, përkundrazi ndonjëherë pensionistët janë më vitalë sesa disa të rinj dhe të reja që ne mendojmë se duhet të bëjnë ndryshimin, por plani i tyre për të ardhmen, plani i tyre për të rritur dhe krijuar hapësirat, jo vetëm për punësimin, por edhe për zhvillimin ekonomik të vendit, por edhe për faktin se ato duan të ndërtojnë familjet e tyre në Shqipëri.
Dhe ne jemi shumë të vendosur në rrugën tonë për të krijuar punësim të mirë paguar për të rinjtë dhe të rejat, uljen e taksave gjë që është e domosdoshme sot për biznesin, në mënyrë të tillë që ti krijosh atij një hapësirë për të funksionuar, sepse sot në kuadrin e gjithë këtyre masave shtrënguese të pandemisë, pasi Shqipëria është një nga vendet me më shumë biznese të mbyllura si pasojë e pandemisë, ne kemi sot mbi 9 mijë biznese të mbyllura, ndërkohë që në Kosovë janë vetëm 1300-1400 biznese.
Pra, ne nuk i kemi krijuar absolutisht biznesit hapësirë për të mbijetuar, ne nuk i kemi krijuar asnjë lloj komoditeti apo ndihmë ekonomike që të vijë si rezultat nga qeveria shqiptare, qoftë kjo me paketën e parë ekonomike, apo të dytë e të tretë, kur ndërkohë Kosova po i shpërndan. Ne i kemi pasur vetëm në kuadrin e propagandës.

Kështu që kjo kafe mëngjesi ka një lloj pozitiviteti le të themi, pasi ne jo vetëm e fillojmë ditën shumë herët me njerëzit për tu takuar dhe për të biseduar me ta, por më pas u japim edhe orientimin shumë njerëzve të tjerë, apo edhe ditës tonë, për të vazhduar për të ecur përpara për të realizuar atë plan që ne kemi. Vetëm 25 ditë na ndajnë nga 25 prilli dhe unë do t’i kërkoja çdo qytetari, dhe nëpërmjet jush kujtdo që 10 minuta në ditë ti përkushtohemi një miku, një shoku, një familjari për tra çuar në kutinë e votimit më 25 prill, e cila nuk do të jetë më thjesht kutia e votimit, por do të jetë kutia e ndryshimit, që do të sjellë ndryshimin e madh, të cilin shqiptarët e kanë pritur me padurim të madh.”.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb