TIRANE- Shqipëria dhe Kosova po avancojnë në projektin e përbashkët për mbështetjen ndaj diasporës duke shënuar dy arritje konkrete gjatë këtij viti, kurrikulën e përbashkët mes dy vendeve për diasporën dhe regjistrin e mësuesve. Seminaret dhe trajnimet e mësuesve të diasporës janë kthyer në një traditë të përvitshme, ku këtë vit ka qenë Tirana mikpritësja e mbi 150 mësuesve shqiptarë.

Seminari XIV “Për mësimin plotësues të gjuhës shqipe në diasporë”, është një aktivitet i përbashkët i dy ministrive; Ministrisë së Arsimit, Sportit dhe Rinisë dhe Ministrisë së Arsimit, Shkencës dhe Teknologjisë së Kosovës, me synim aftësimin dhe kualifikimin e mësimdhënësve të mësimit plotësues të gjuhës shqipe në diasporë, rritjen e cilësisë së mësimdhënies dhe nxënies, si edhe promovimin e praktikave më të mira të mësimit plotësues në gjuhën shqipe.

Në këtë aktivitet ishte e pranishme edhe ministrja Lindita Nikolla, e cila deklaroi se 2018 vjen me disa risi për mësuesit e diasporës duke forcuar rezultate e arritur dhe mbështetur në progresin e të nxënit të fëmijëve shqiptarë.

“Sivjet ne kemi disa risi të shtuara jo vetëm për faktin që kemi në Shqipëri edhe institucionin e Ministrit të Shtetit dedikuar Diasporës, por fakti që në një kohë të shkurtër së bashku me Pandeli Majkon, por edhe me Ministrin e Diasporës të Kosovës ne kemi mundur të finalizojmë më së fundi kurrikulën e përbashkët të Arsimit Plotësues në Diasporë. Ne kemi tashmë një kurrikul të njehsuar të mësimit në diasporë, që duket si një gjë tashmë e arrirë por nëse do të kujtojmë gjithë rrugën që kemi përshkuar ka qenë një proces ndërveprimi jo fortë i thjeshtë, për të bërë më të mirën e mundshme dhe për të servirur më të mirën e mundshme për gjithë ata që do të jenë pjesë e mësimit plotësues në diasporë”, deklaroi ministrja Nikolla.

Njohja dhe vlerësimi i arritjeve të nxënësve shqiptarë por edhe një numër i saktë i mësuesve që kemi në diasporë është një prioritet për Ministrinë e Arsimit, ndaj Nikolla gjatë këtij seminari nënvizoi se progresi është i pandalshëm drejt më të mirës për mësuesit misionarë që përçojnë kulturën shqiptare në breza.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb