Të hënën u zhvillua protesta e dytë në Shkup, pas tubimit të mbajtur më 6 prill, ku u kërkua zbatimi i plotë i gjuhës shqipe në proceset institucionale dhe profesionale.
Pedagogia Elsa Skënderi, e ftuar në emisionin “Kjo Javë” në Neës24, vlerësoi protestat e studentëve si një shprehje të shëndetshme dhe idealiste të shoqërisë, duke theksuar se ato duhet të dëgjohen me vëmendje.
Sipas saj, përdorimi i gjuhës shqipe në institucionet publike nuk duhet të shihet si çështje politike apo teknike, por si një e drejtë themelore e njeriut dhe pjesë e identitetit dhe dinjitetit qytetar.
Ajo u shpreh se shqiptarët në Maqedoninë e Veriut duhet t’i gëzojnë plotësisht të drejtat e fituara ndër vite, duke theksuar rolin e tyre shtetformues dhe kontributin në shoqëri.
Skënderi solli edhe shembuj nga vendet e BE-së, duke theksuar se gjuhët e pakicave trajtohen si pasuri dhe jo si pengesë, ndërsa nënvizoi se edhe në Maqedoninë e Veriut gjuha shqipe duhet të ketë status të barabartë në përputhje me standardet evropiane.
Elsa Skënderi: Ka pasur gjithmonë një lloj qëndrimi sektar. Kujtoj këtu, kam pasur një studente që mësonte gjuhën shqipe që ishte nga Shkupi, dhe ajo thoshte që: “Unë e kam mësuar shqipen vetëm se në një moment të caktuar u bëra kurioze për këngët shqiptare, se çfarë janë.” Dhe nuk kemi asnjë lloj ndërveprimi me shqiptarët, nuk kemi asnjë lloj komunikimi. Domethënë ka një lloj qasje sektare që në një lloj mënyre ta vë në diskutim atë matricën dhe kohezionin shoqëror.
Edhe është për t’u habitur se si kjo qeverisje dhe ky shtet nuk i sheh këta të rinj, edhe shqiptarët po ashtu, si një kapital njerëzor që ty të kontribuon në shtet. Dhe si mundet që ta përligjin këtë lloj qëndrimi në përgjithësi ndaj shqipes? Se gjithë lëvizja është një lëvizje për dinjitet qartësisht, jo thjesht për një teknikalitet, për një provim që deri… deri mbase përpara një viti është dhënë në të njëjtën mënyrë në gjuhën maqedonase. Pra, kanë bërë si kanë bërë ata shqiptarët. Pse duhet të jenë gjithmonë ata shqiptarët e shkretë që bëjnë si bëjnë për të fituar, për të marrë apo për të gëzuar më saktë një të drejtë që ju takon?
E drejta për gjuhë, e drejta për arsimim, hyn te të drejtat bazike të njeriut edhe absolutisht të padiskutueshme tani në këtë kohë që jetojmë. Së dyti, në të gjitha kontekstet e vendeve të zhvilluara gjuhët shihen si një pasuri, edhe të drejtat gjyqësore respektohen në mënyrë absolute dhe nuk diskutohen. Edhe një shembull këtu mjafton që ta kuptojmë pak mjafton që të shohim qasjen. Për shembull, në Finlandë ka një 5% të popullsisë që janë suedezë, dhe vetëm ngaqë ka 5% suedezë dhe 95% finlandezë, suedishtja është gjuhë zyrtare. Dhe një i huaj kur shkon dhe do të marrë në shtetësi në Finlandë, mund të japë ose provimin e suedishtes, ose të finlandishtes. Pra gjuhët kanë status të barabartë.
E njëjta gjë ishte dashur që të ishte, me status absolutisht të barabartë është dashur që të ishte edhe në Maqedoninë e Veriut, ku përqindja është më e madhe. Edhe më e madhe seç raportohet nga censusi, se edhe kjo është… edhe ky është një aspekt.
29.5% është gati 30%, nuk është aq e vogël.
Edhe standardi i Bashkimit Europian për gjuhët është: secila nga gjuhët e shteteve është gjuhë zyrtare dhe ka 24 të tilla sot. Dhe afërmendsh që të gjitha gjuhët, dhe multikulturalizmi, multilinguizmi shihet si multikulturalizëm, si një shumësi kulturash dhe gjuhët assesi në asnjë moment nuk mund t’i marrin të njëra-tjetrës. Është thjesht pasuri, dhe e drejtë që duhet respektuar sepse është një e drejtë që shënjon thelbin identitar dhe dinjitetin njerëzor.
