TIRANE – Ish-zëvendësdrejtori i Policisë së Tiranës, Erzen Breçani ka fituar të drejtën që të rikthehet në radhët e uniformave blu. Apeli i Gjykatës Administrative ka vendosur që Breçani duhet të kthehet në detyrë me të njëjtën gradë që ka pasur, që do të thotë se duhet t’i jepet një post drejtues në Policinë e Shtetit.
Me ardhjen në pushtet të socialistëve dhe mandatimin e qeverisë “Rama” Ministri i Brendshëm Samir Tahiri firmosi shkrirjen e disa strukturave të policisë në Tiranë dhe rrethe, me qëllim reformimin e tyre, me argumentimin për një eficencë në luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionit, trafiqeve. Reforma nisi që nga Garda e Republikës. Mandej në krye të Policisë së Shtetit do të vinte Artan Didi, ndërsa u ndryshuan tërësisht drejtorët e drejtorive në Tiranë e rrethe, si dhe shefat e komisariateve. Drejtuesit e mëparshëm u transferuan në detyra të tjera, më të ulëta dhe më me pak peshë në radhët e policisë. Mes të tjerash ministri Tahiri firmosi dhe shkarkimin e drejtuesve të policisë, siç ishte rasti i Erzen Breçanit. Nga titullar në drejtorinë e policisë së qarkut Tiranë, Breçani u transferua në detyrën e zv/drejtorit të qarkut Dibër, mandej u shkri ky post dhe u emërua specialist i thjeshtë pranë kësaj drejtorie.
Erzen Breçani pretendoi se largimi i tij nga detyra ishte bërë në kundërshtim me ligjin dhe kjo sipas tij ka qenë pasojë e debateve që ka patur me ministrin e Brendshëm dhe kryeministrin, Edi Rama. Ai e çoi këtë çështje në Gjykatën Administrative, duke fituar përballë Policisë së Shtetit dhe Ministrisë së Brendshme.
(er.nu/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: