Gjykata e Tiranës ka lënë të lirë 7 inspektorët dhe ish-inspektorët e Tatimeve Tiranë, si dhe administratorin e subjekteve “Martini Petrol” dhe “Pe-trol Impex”. Këta persona u arrestuan tri ditë më parë në kryeqytet, me urdhër të prokurorisë, pasi akuzoheshin për veprat penale të “Shpërdorimit të detyrës”, “Fshehje e të ardhurave” dhe “Mospagim i taksave dhe tatimeve”.

Konkretisht, organi i akuzës vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie” me mbikëqyrje elektronike për biznesmenin 57-vjeçar, Iliaz Fishekun. Për inspektorët e Tatimeve Platon Solis, Dhimitër Veshi dhe Arjan Daja, të cilët ndodheshin ende në detyrë, gjykata vendosi dje masën e sigurisë “Detyrim paraqitje”. Ndërsa, për ish-inspektorët e Tatimeve Ajaz Shehu, Saimir Kaziu, Bajram Frangu dhe Gentian Subashi, gjykata vendosi masën e sigurisë “Arrest shtëpie”.

Sipas të dhënave të policisë, u raportua se personat e sipërpërmendur, në bashkëpunim me njëri-tjetrin i kanë kushtuar buxhetit të shtetit një dëm në vlerën 101.805.583 lekë të reja, i konsideruar evazion fiskal. Hetimi ndaj këtyre tetë personave ka zgjatur rreth një vit, i kryer nga Drejtoria e Hetimit Tatimor Tiranë në bashkëpunim me Njësinë Task Forcës të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë.

Ndërsa, prokuroria bëri me dije se nga përllogaritja që ka bërë Drejtoria e Tatimeve, subjekti tregtar, i cili ka pasur një pikë të palicencuar karburanti në Tiranë, është shmangur nga detyrimet fiskale, si edhe nuk ka paguar sigurimet shoqërore dhe shëndetësore të punonjësve për periudhën 2010-2014. Shmangia nga detyrimet e subjektit tregtar është realizuar edhe me ndihmën e inspektorëve të Tatimeve, të cilët kishin për detyrë të kontrollonin zonën ku ushtronte aktivitetin e paligjshëm kjo pikë karburanti.

Ndërkohë, në njoftimin e policisë thuhej se “Inspektorët, gjatë ushtrimit të detyrës së tyre funksionale kanë favorizuar subjekte të ndryshme tregtare, ndër ta dhe subjekti tregtar ‘Martini Petrol’ me aktivitet në fushën e tregtimit të karburanteve, duke e lejuar atë të kryejë aktivitet tregtar pa u regjistruar në QKR dhe organet tatimore”.

(m.k/GSH/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb