KOSOVË

Gjykata Themelore në Prishtinë ka dënuar me dhjetë vjet burgim, ish-rezervistin e policisë serbe, Zoran Vukotiç për kryerjen e veprës penale të dhunës seksuale gjatë luftës në Kosovë. Ky është rasti i parë që dikush dënohet për një krim të tillë nga gjykatat e Kosovës.

Ministrja e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dënimin e Vukotiçit e cilësoi si “lajm të mirë për të gjitha viktimat e dhunës seksuale të luftës, për qytetarët, por edhe për historinë dhe të ardhmen e Kosovës”.

“Drejtësia për krimet e luftës do të bëhet dhe për këtë do të angazhohemi çdo ditë”, tha Haxhiu përmes një postimi në rrjetin social Facebook.

Ndërkaq, sipas Qendrës Kosovare për Rehabilitimin e të Mbijetuarve të Torturës (QKRMT), dënimi i Vukotiqit shënon “një moment kthese dhe shprese”, jo vetëm për viktimën, që ka dëshmuar kundër Vukotiçit, por edhe për të mbijetuarit e tjerë “që një ditë drejtësia do të vihet në vend”.

Sipas të dhënave të prezantuara nga institucionet në Kosovë, gjatë luftës së fundit, janë rreth 20 mijë raste të dhunimeve seksuale nga pjesëtarë të forcave serbe./rel

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb