PRISHTINE- Gjykata Kushtetuese në Kosovë konstaton se nuk ka shkelje në vendimin e Qeverisë për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë. Por sipas mediave në Kosovë, një vendim i tillë pritet që ta rëndojë shumë buxhetin e vendit.

Kohë më parë, kryeministri Haradinaj mori një vendim për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë, dhe sipas “Insajder”, nga ai vendim parashikohej se rritje pagash do të ‘gëzonin’ edhe zëvendës ministrat e qeverisë Haradinaj.

Paga e Haradinajt deri më tani ka qenë rreth 1 mijë e 500 euro, ndërsa me vendimin e ri kjo pagë bruto rritet me 100 për qind, duke shkuar në 2950 euro në muaj.

Zëvendës kryeministrat pritet që të kenë pagë mujore prej 2 mijë e 500 euro. Kurse, ministrat nga 2 mijë euro, dhe zëvendësat e tyre nga 1 mijë e 150 euro.

Sipas këtij vendimi, edhe stafi i kryeministrit do gëzojnë rritje pagash. Ata pritet që të kenë pagë mujore prej 1 mijë e 400 euro. Përjashtim bën shefi i kabinetit të Haradinajt, i cili do të ketë pagë prej 1 mijë e 670 euro.

Rritje pagash do të ketë edhe për shumë zyrtarë të qeverisë. Shoferi i kryeministrit, asistentët personalë të tij, sekretari i Përgjithshëm i zyrës së kryeministrit, zyrtarët e lartë në Zyrën Ligjore, janë vetëm disa nga punonjësit që do të gëzojnë rritje pagash.

Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj vendimin për rritjen e rrogave e ka konsideruar si tregues se është duke u punuar për vendin në mënyrë transparente.

“Unë e kam rrit rrogën time vet, e kam rrit pagën e kolegëve të mi po iu them diçka ua keni besuar këtyre njerëzve 2 milionë euro me i menaxhuar është e pa kuptim përgjegjësia politike e para, përgjegjësia edhe financiare e një kryeministër me pas rrogën 1300 euro, ose vjedh, ose është i pa sinqertë i mashtron popullin e vet. Unë po mendoj me punu, po mendoj me i shërbye vendit tem, iu kom dedikuar edhe i ftoj kolegët e mi të Qeverisë që vërtet ta respektojnë përgjegjësinë që na e kanë dhanë populli. Tani ata që mendojnë që kam gabuar që e kam bërë shpejt a ku di unë edhe ata kanë të drejtë nuk është një vendim i përkryer por sipas bindjes sime është një tregues se dojmë me punu në këtë vend edhe atë në mënyrë më transparente që i takon”, është shprehur në atë kohë kryeministri Haradinaj.

Vendimi i kryeministrit për rritje pagash nuk u prit mirë nga opozita kosovare. Ata tentuan që ta bllokojnë këtë vendim, duke e dërguar në Kushtetuese.

Më 20 dhjetor 2017, deputetja e VV-së, Albulena Haxhiu ndërmori iniciativë që këtë vendim të Haradinajt ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese. Por në vendimin e kësaj gjykate, hidhet poshtë ankesa e Lëvizjes Vetëvendosje, duke e lënë në fuqi vendimin e kryeministrit Haradinaj për ngritje pagash./Insajderi/
haradinaj1
haradinaj2

Vendimi i Gjykatës Kushtetuese lidhur me ankesën e deputetëve për rritjen e pagave të zyrtarëve qeveritarë:

KO12/18, Parashtrues: Albulena Haxhiu dhe 30 deputetë të tjerë të Kuvendit të Republikës së Kosovës, Vlerësimi i kushtetutshmërisë së Vendimit të

Qeverisë së Republikës së Kosovës, nr. 04/20, të 20 dhjetorit 2017

KO12/18, Aktgjykim i miratuar më 29 maj 2018, publikuar më 11 qershor 2018

Fjalët kyç: kontroll abstrakt, kërkesë institucionale, ndarja e pushteteve, kompetencat kushtetuese, implikimet buxhetore, konflikti i interesit, barazia para ligjit

Parashtruesit e kërkesës e kanë dorëzuar kërkesën në Gjykatën Kushtetuese për vlerësim të kushtetutshmërisë së Vendimit të Qeverisë, nr. 04/20. Parashtruesit e kërkesës pretendojnë se vendimi i cekur më lart nuk është në pajtueshmëri me nenet 3 [Barazia para Ligjit], 4 [Forma e Qeverisjes dhe Ndarja e Pushtetit], 7 [Vlerat], 65 [Kompetencat e Kuvendit], 92 [Parimet e Përgjithshme] dhe 93 [Kompetencat e Qeverisë], të Kushtetutës së Republikës së Kosovës

Gjykata Kushtetuese e deklaroi kërkesën të pranueshme për shqyrtim pasi konstatoi se çështjet e ngritura në kërkesë janë të kompleksitetit të tillë, sa që përcaktimi i tyre duhet të varet nga shqyrtimi i meritave dhe se kërkesa nuk mund të konsiderohet si qartazi e pabazuar brenda kuptimit të rregullit 36 (1) (d) të Rregullores.

Pas shqyrtimit të pretendimeve dhe të argumenteve të parashtruesve të kërkesës, Gjykata Kushtetuese theksoi: (i) nuk është dëshmuar se vendimi për rritjen e pagave përbën çështje të nivelit kushtetues; (ii) bazuar në argumentet e paraqitura, nuk rezulton se Kuvendit i është cenuar apo pamundësuar ushtrimi i kompetencave të tij kushtetuese për miratimin dhe zbatimin e buxhetit shtetëror; (iii) për sa i përket konfliktit të interesit se nuk është brenda funksionit të Gjykatës që të vlerësojë pretendimet për shpërputhjen e vendimit të kontestuar me Ligjin për Parandalimin e Konfliktit të Interesit në Ushtrimin e Funksionit Publik, sepse ajo çështje bie nën juridiksionin e organeve të tjera të përcaktuara me Kushtetutë; dhe (iv) për sa i përket shkeljeve të neneve 3 [Barazia para Ligjit] dhe 7 [Vlerat] të Kushtetutës, parashtruesit nuk kanë paraqitur fakte bindëse se pagat e parapara në Vendimin e kontestuar trajtojnë ndryshe pozita ose situata të ngjashme dhe nëse ky ndryshim në trajtim nuk ka ndonjë justifikim objektiv dhe të arsyeshëm. Gjykata, më tej shtoi se nuk është brenda fushëveprimit të saj që të vlerësojë apo të zëvendësojë politikat publike të përcaktuara nga organi legjislativ apo ekzekutiv. Parimi i ndarjes së pushteteve detyron Gjykatën Kushtetuese që të respektojë përcaktimin e politikave nga organet gjegjëse kushtetuese. Vendimet themelore të politikëbërjes për qeverisjen e vendit duhet të merren nga organet kushtetuese me legjitimitet demokratik, përkatësisht nga Kuvendi dhe Qeveria. Ato organe – për shkak të natyrës së tyre dhe të legjitimitetit demokratik – janë në pozitë më të mirë se sa Gjykata Kushtetuese për të përcaktuar dhe për të avancuar politikat buxhetore, ekonomike dhe sociale të vendit.

Në këtë drejtim, Gjykata Kushtetuese konsideroi se parashtruesit e kërkesës nuk kishin paraqitur prova bindëse për të mbështetur pretendimet e tyre se Vendimi i kontestuar i Qeverisë ka prodhuar efekte kushtetuese, në kuptim të cenimit të kompetencave kushtetuese të Kuvendit, apo shkelje të ndonjë dispozite kushtetuese, ashtu si pretendonin parashtruesit e kërkesës. Megjithatë, Gjykata vuri në dukje se aktet nënligjore të Qeverisë duhet të jenë në pajtueshmëri me Kushtetutën dhe me ligjet. Për më tepër, Gjykata theksoi se, në përputhje me natyrën ekzekutive të kompetencave të saj kushtetuese, Qeveria është e detyruar të implementojë buxhetin shtetëror, të miratuar nga Kuvendi. Andaj, është obligim i Qeverisë që zbatimin e Vendimit të kontestuar ta mbështesë në ndarjet buxhetore të përcaktuara në Buxhetin e vitit 2018 dhe në ligjet përkatëse.

Në fund, Gjykata Kushtetuese, në mbështetje të nenit 113. 2 (1) dhe 116. 2 të Kushtetutës, të neneve 27 (1), 29 dhe 30 të Ligjit dhe në mbështetje të rregullave 29, 54, 55 dhe 56 (1) të Rregullores së punës, konstatoi se Vendimi i Qeverisë së Republikës së Kosovës nr. 20/14, i 20 dhjetorit 2017, nuk është në kundërshtim me nenet e pretenduara të Kushtetutës.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb