I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Gledis Gjipali drejtor Lëvizja Evropiane në Shqipëri (EMA) foli për raportin e Komisionit Europian për Shqipërinë, sfidat që e presin, vullneti politik në të gjitha fushat dhe kostot që do përballet.

“Për shkak se Shqipëria hapi formalisht negociatat e anëtarësimit në Bashkimin Europian, kemi raport përgjithësisht pozitiv, në shumicën e fushave progresi ka vazhduar dhe duhet të jetë me hapa më të shpejtë. Mendoj që do jetë më kritik në të ardhmen, pasi do kërkohet më shumë ndaj Shqipërisë. Aktualisht pas 3 vitesh që KE rekomandon që Shqipëria duhet të hapë negociatat dhe të mbajë Konferencën e parë ndërqeveritare, gjatë kësaj periudhe ngecëm në vend në fazat e procesit. Kemi një vlerësim pozitiv edhe për shkak të kësaj periudhe që nuk jemi përballur me sfida të reja nga BE”.

“Aktualisht sfidat kanë nisur, do fillojë takimet dypalëshe që do jenë më të detajuara. Ka një kalendar diskutimesh që do vazhdojë deri në shtator të vitit të ardhshëm, me shpjegime për të gjithë kapitujt ku Shqipëria do të negociojë. Plotësimi i kushteve do varet nga shpejtësia që do ecim me reforma, mund të ketë çështje që mund të ngelin me vite të tëra atje sepse janë të vështira, dhe do ketë një farë prioriteti se ku do punohet më shumë. Do duhet kohë, të mos mungojë vullneti politik në të gjitha fushat dhe pastaj do varemi nga çështja e kostove që ka procesi, ka fusha që na kufizojnë për shkak të mundësive financiare, si mjedisi i cili ka kosto jashtëzakonisht të madhe për të arritur standardet europiane, por ato prioritete që janë pika kyçe duhet të adresohen sa më shpejt. Në raport shpjegohet se nuk ka ndryshim në fazën e përgatitjeve nga një vit në tjetrin, pasi nuk është dhënë motivimi, ai vullnet për të ecur përpara në këto fusha specifike”-deklaroi Gledis Gjipali.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb