I ftuar në emisionin “Alert” në News24 nga Granit Sokolaj, Mihallaq Qirjo drejtor Qendra Burimore e Mjedisit (Rec Albania) ka folur për raportin e BE, rekomandimet në fushën e mjedisit dhe problematikat që hasen në Shqipëri.

“Legjislacioni nuk është aty ku duhet, ka boshllëqe dhe shpeshherë vlerësimet për ligjet specifike tregojnë se jemi ende shumë larg. Në fushën e mjedisit legjislacioni ynë është 50-60% i përafruar me atë të BE. Është legjendë urbane se kemi ligje shumë të mira dhe mbetet problem zbatimi. Qartazi specifikohen 3 shtylla kryesore: Legjislacioni, institucionet dhe zbatimi i tyre dhe vë theksin në disa strategji që ende nuk janë miratuar. Në raport flitet për idenë e lidhjes së shëndetit publik me disa fusha, ku përmenden edhe elementë të cilësisë së ndotjes së ajrit, i cili ka monitorim shumë të dobët. Edhe në Shqipëri, në raporte të tjera të OBSH kemi një numër të shtuar dhe të lartë si pasojë e ndotjes së ajrit”.

“Element tjetër është çështja e cilësisë së ujërave dhe menaxhimit të tyre. Ka një proces të adresimit të ndërmarrjeve të ujësjellës-kanalizimeve, që raporti e thekson si element që duhet të çohet më tej. Në tërësi, shërbimet publike që i shkojnë qytetarit dhe ndikojnë në mirëqenien dhe shëndetin e tij, nënvizohen në raport se kanë problematika të shtuara. Çështja e mbetjeve që lidhet me mirëqenien, referohen elementët e mangësisë, për të cilat në raport thuhet se duhet të merren masa të shpejta që të zbatohet. Parimi ndotësi paguan. Që bën lidhje të përgjegjshmërisë jo vetëm me mjedisin, por edhe shëndetin publik dhe elementë që lidhen me ekonominë. Rasti i menaxhimit të kimikateve, problematikë e shtuar. Në terren, ku ne dërgojmë mbetjet farmaceutike, ilaçet e skaduara që vijnë në Shqipëri, pesticidet e skaduara apo mbetjet e tjera industriale, të cilat mund të shkojnë më tej qoftë në ushqimin apo në ujin përditshëm, duket se progresi është i kufizuar, ka mangësi edhe gjatë vitit 2021”-deklaroi Mihallaq Qirjo.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb