Një produkt mishi pa etiketë nuk është thjesht një produkt që i mungon informacioni. Është një produkt për të cilin konsumatori nuk mund të dijë nga vjen, ku është rritur kafsha, ku është therur dhe në çfarë kushtesh ka përfunduar në banakun e dyqanit. Për Alban Zusin, drejtor ekzekutiv i Albanian Food Industry (AFI), mungesa e etiketimit kthehet në një problem serioz të sigurisë ushqimore dhe të gjurmueshmërisë.

I ftuar në emisionin “Alert” në News24, Zusi ngriti shqetësimin se produktet e mishit po tregtohen pa informacionin bazë që do t’i lejojë konsumatorit të di se çfarë po blen.

“Nëse sheh produkt pa etiketë, aty nuk ke siguri” u shpreh Zusi, duke sjellë si shembull edhe mishin e kafshëve që mund të kenë probleme shëndetësore apo që janë parashikuar për asgjësim.

Sipas tij, problematika shfaqet edhe te tregtimi i pulave. Një nga rastet më të raportuara është shitja e pulave të ngrira, pasi shkrihen, si produkte të freskëta. Nëse produkti është i etiketuar si i ngrirë, konsumatori mund ta identifikojë dhe të vendosë nëse dëshiron ta blejë. Por, kur etiketa mungon, gjurmueshmëria humbet.

“Kur nuk kam etiketë, si ta marr? Pula është një industri e mirë dhe ne duhet t’i japim shans, por kur nuk kam etiketë, si ta di se çfarë po blej” tha Zusi.

Një tjetër problem i ngritur lidhet me pulat që dalin nga cikli i prodhimit të vezëve. Sipas ekspertit, pula të tilla mund të përfundojnë në treg si mish, madje edhe të shiten si “pulë fshati”, pa informacionin që i tregon konsumatorit origjinën reale të produktit.

“Gjurmueshmëria fillon nga etiketa” theksoi Zusi, duke argumentuar se mungesa e saj i hap rrugë abuzimeve dhe e lë konsumatorin të pa mbrojtur nga ajo që konsumon.

“300 inspektorë të AKU-së nuk vënë re këto problematika. Është e rëndë për shëndetin publik” tha Zusi, duke paralajmëruar se në treg mund të përfundojnë edhe produkte me përmbajtje toksike.

Në një treg ku konsumatori shpesh vendos vetëm mbi bazën e çmimit dhe pamjes së produktit, mungesa e etiketës heq edhe mundësinë për të verifikuar origjinën e ushqimit.  Dhe kur gjurmueshmëria mungon, konsumatori nuk ka më se si ta dijë nëse produkti që vendos në tryezë është realisht ai që i është premtuar në banak.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb