TIRANË

Debate në studion e “Real Story” në News24 mes zëvendës ministrit të Brendshëm Besfort Lamallari dhe analistit Fatos Lubonja. Ndërsa Lamallari tha se kjo qeveri ka luftuar krimin dhe që nga nisja e operacionit Forca e Ligjit janë goditur 20 grupe kriminale, Lubonja i kërkoi emra, se cilat janë këto grupe kriminale.

Ndiqni debatin.
Lamallari: Nëse marrim në analizë atë çfarë ka ndodhur gjatë mandatit të kësaj qeverie, dy mandate ne shikojmë që sot kanabisi nuk është më, i përket historisë së shkuar. Akuzat e Rai3, e thanë dhe vetë italianët që nuk ka.

Lubonja: Gazetarët nuk kanë lidhje me qeverinë italiane se vetëm këtu kanë lidhje me qeverinë. Gazetari bën punën e vet, se ju kërkoni ta përgënjeshtrojë qeveria një gjë që e thotë gazetaria. Që këtu tregon se çfarë koncepti keni për gazetarinë dhe qeverinë.

Lamallari: Gazetaria ashtu siç ka të drejtën e fjalës, ka të drejtën dhe të respektojë tjetrin kur flet. Ajo çfarë tha Rai është një gjë, ajo që tha zyrtarisht ministria e brendshme italiane ishte ajo që pamë të gjithë. Fakt është që kanabisi i përket së shkuarës. Sigurisht çdo vend ka, asnjëherë nuk mund të pretendohet që ka zero kanabis, krimi është fenomen social, në çdo vend ka por nga ana tjetër është fakt që ishte kjo qeveri që insistoi kaq shumë për reformën në drejtësi dhe janë ato personazhe që ju edhe anatemoni qe e mbështetën këtë reformë bashkë me partnerët ndërkombëtarë. Ishte kjo qeveri prapë që me gjithë kontestimet, e bëri të mundur që të gjendej marrëveshja dhe të miratohet kjo reformë, e cila në fakt u kërkua nga vetë qytetarët sepse ata nuk besonin tek ky sistem i drejtësisë. Reforma me gjithë kontestimet ka organet e larta të drejtësisë funksionale. Nga ana tjetër sa i përket luftës me krimin e organizuar, fakt është që kjo qeveri në 2017 lançoi dhe OFL i cili me gjithë skepticizmin që e shoqëroi, u tha që do ishte show por pastaj rezultoi se drejtuesit dhe anëtarët e 20 grupeve të rrezikshme që ne dimë që nuk ishin përballur me drejtësinë përreth 17 vite apo dhe më shumë, ishin bërë tejet të rrezikshme pasi kishin fituar terren dhe në vendet europiane dhe po krijonin shqetësim dhe në raportet mes policive homologe dhe këto u goditën dhe asetet e tyre kriminale.

Të dokumentuara nëse shikoni rezultatet e OFL janë rreth 96 milionë euro të sekuestruara. Vitin e kaluar me gjithë shifrën e lartë të sekuestrimeve, që do të thotë polici, prokurori dakordësojnë që këto janë asete të kundraligjshme dhe duhen sekuestruar, gjykata i liron dhe arrin në shifrën skandaloze që konfiskimet shkojnë në shifrën 30 mijë euro. Gjykata njohu vetëm 30 mijë euro. Janë vendime flagrante, skandaloze. I njëjti subjekt që dënohet në fund dhe i merret një pjesë e pasurisë, ai autobusi rrangallë që i bën vetëm dëm shtetit dhe i lë ato makinat e shtrenjta për të mos thënë ato apartamente. Këtu vijmë tek KÇK që këtyre gjyqtarëve duhet t’u prihen krahët. Meqë u ndërtua SPAK, përdoret ky mekanizëm për të evituar këta lloj gjyqtarësh që jepnin vendime skandaloze. Tashmë është SPAK. Kanë qenë dhe mes partnerëve ndërkombëtarë që ku lançuam Operacionin Forca e Ligjit u tha shiko se do dublojë organet e reja të drejtësisë. Imagjino të kishim pritur nga 2017 sot që kemi SPAK dhe akoma BKH-në do të thotë që t’u linim terren të lirë grupeve kriminale.

Lubonja: Kush janë këto grupe, na i thoni me emra që i keni luftuar? Grupet kriminale i shohim përditë duke u vrarë ju thoni se i hoqët grupet kriminale. Apo atë që arrestuan italianët, grupin e Vlorës. Këtë të Sarandës, se unë nuk di çfarë grupesh keni arrestuar ju, u dorëzua vetë ai.

Lamallari: Ne kemi arrestuar dhe bashkë me italianët. Janë bërë publike.

Lubonja: Ore se i kemi njohur, nuk jetojmë në ajër.

Lamallari: Ju e keni vendosur që e keni njohur, nuk është nevoja të jap përgjigje.

Lubonja: Thuaja publikut mos mi thuaj mua. Cilët janë grupet kriminale që ke kapur zotëri. Ty po të lirohen përditë. Ty po dalin nëpër Bild-e emrat e kriminelëve që bashkëpunojmë me Vangjush Dakon e kompani duke vjedhur votën. Ku i ke grupet kriminale që keni kapur, thuaj emrat. Çapajt tashi thonë që kanë shkuar, u vranë në Elbasan, janë vranë këtej e andej, unë nuk di gjë që keni arrestuar gjë ju.

Lamallari: Ju po më kërkoni të them diçka që është përtej punës sime. Nuk i takon një stature politike që të merret me profilizimet pra me grupet.

Lubonja: Grupet gjithmonë janë përmendur. Edhe kur erdhi Berisha tha  morëm këtë Dajtin e ku di unë e këto e këto…

Lamallari: Pikërisht atë gabim nuk dua ta bëj unë.

Lubonja: Pse quhet gabim ajo? Atëherë pse i bëni këto shoë-t që shkoni tek këta të tjerët. nëse është gabim ajo mos bëni gabim tjetër.

Lamallari: Po kalojmë tek diçka tjetër.

Lubonja: Kapjen e grupeve kriminale e merr vesh gjithë bota.

Lamallari: Janë operacione me partnerët ndërkombëtarë, me Europol-in, i ka bërë publike dhe Europol-i.

Lubonja: Po ju pse nuk i bëni publike.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb