Kukësi ka arritur një fitore të pastër 3-0 ndaj Teutës në një betejë të fortë ku nuk kanë munguar episodet dhe kartonët e kuq, plot tre të tillë!

Verilindorët e shfrytëzojnë në maksimum asistin e djeshëm të Partizanit dhe trondisin “djemtë e detit” me dy gola të shpejtë. Limaj realizon një supergol në të pestën dhe 7 minuta më pas, zëvenduësi i Shkurajt, Kuper, nuk zhgënjen duke shënuar sërish në ndeshjen e dytë radhazi për të pas golit kundër Tiranës.

Por Kuper është në momentin e tij dhe në minutën e 35-të realizon sërish pas një kombinimi të shkëlqyer me Abazajn. Në pjesën e dytë Teuta e nis vrullshëm, por dy të verdha të shpejta të Albano Aleksit bëjnë që bregdetarët të mbeten me 10 lojtarë në të 54-ën.

11 minuta më pas tjetër karton i kuq për Teutën, kësaj radhe prekje me dorë e topit në zonë nga Beqja, që pengoi sferën të shkonte në rrjetë. 11-metërsh për Kukësin, por Musoli gabon para Frashërit, që reagon mjaft mirë.

7 minuta nga fundi i kohës së rregullt edhe Kukësi mbetet me 10 lojtarë pas Krasniqi merr të verdhën e dytë. Gjithsesi Teuta nuk ka më as kohë dhe as energji dhe në “Elbasan Arena” çdo gjë mbyllet 3-0, çka e lejon Kukësin të ngjitet në 62 pikë, 4 më pak sesa Tirana kur janë dhe tre ndeshje për t’u luajtur.

Skënderbeu ka arritur një fitore më frymën e fundit. Gripshi realizoi në minutën e 10-të për korçarët ndërsa Krymi barazoi për Vllazninë në të 72-ën. Por në kohën shtesë nëj shkodran ndëshkon kuqeblutë. Pusi realizoi golin e fitores për Skënderbeun duke zhytyr dhe më shumë Vllazninë në zonën play out.

(Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb