Edy Reja shprehu dëshirën për një barazim lart me gola, profecia e tij mund të ishte bërë realitet, nëse do të ishin pak më të kujdesshëm në fazën mbrojtëse, pak më altruist, apo të kishim pak më shumë fat. Sigurisht në futboll nuk flitet më nëse, fakt është që Italia ishte më e fortë, ishte më konkrete në lojë, por fakt është gjithashtu që Shqipëria luajti pa frikë, me një futboll të hapur dhe sulmues në kërkim të një rezultati historik.

Miqësorja e luksit rezultati një ndeshje fantastike, me shumë emocione, 4 gola të shënuar, shtylla, traversë, raste për shënim, por dhe gafa, praktikisht një ndeshje e bukur për tu parë që tifozët në Air Albania e shijuan në maksimum.

Me 5 lojtarë të Serie A në fushë, Shqipëria e nisi vrullshëm ndeshjen, në minutën e 16-të, Broja lë në vend Bastonin duke fituar një goditje dënimi. Nedim Bajrami hodhi në zonë një kros perfekt, ku Ismajli me kokë dërgoi topin në trekëndësh duke realizuar një super gol, i pari në histori që Shqipëria i realizon Italisë.

Si gjithnjë festa për Shqipërinë zgjat shumë pak, vetëm 4 minuta, pasi Italia përfitoi nga një përgjumje e mbrojtjes kuqezi, ku Di Lorenzo i pa shqetësuar në zonë, nga zhvillimet e një rivënie anësore, dërgoi topin në rrjetë duke barazuar shifrat. Azzurrët nuk u mjaftuan me kaq, por 5 minuta më pas, një gafë e Kumbullës i dha mundësinë Raspadorit të shërbente për Grifo që nuk fali duke kaluar Italinë në avantazh. Fundi i pjesës së parë u mbyll me një episod të rëndë, ku Tonali pas një dueli ajror me Keidi Baren u përplas në tokë. Mesfushori i Milan doli nga fusha me barelë.

Ashtu si në pjesën e parë, edhe në të dytën Shqipëria e nisi në sulm, me Kumbullën që ngacmoi Meret, ndërsa një minutë më pas Broja doli nga fusha i dëmtuar. Italia godet shtyllën me Grifo në minutën e 52-të, por vetëm dy minuta më pas Uzuni iu përgjigj në të njëjtën formë duke goditur traversën, më të vërtetë i pafat.

Sfida vijoj zjarr ku nuk munguan as përplasjet në fushë, ndërsa në minutën e 63-të ishte Nedim Bajrami që u ndal në traversë, tjetër shans i artë për të barazuar shifrat. Në momentin më të mirë të Shqipërisë, Grifo me një ekzekutim perfekt dërgoi sërish topin në rrjetë duke kompletuar dopjetën e tij personale, goli i tretë për Italinë.

Zëvendësimet e shpeshta nga të dy kampet ulën ndjeshëm ritmin e lojës, por Shqipëria kishte të paktën dy raste të pastra për të realizuar sërish, me Roshin që nuk shërbeu për Uzunin dhe me Skukën që me një rafeshat shumë të bukur u ndal nga portieri Meret. Pavarësisht humbjes 3-1, lojtarët dhe tifozët kuqezi këtë herë u ndanë në paqe, të vetëdijshëm se dhanë gjithçka në fushë.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb