TIRANE– Katër prej të arrestuarve si autorë të dyshuar për grabitjen e parave të bankës së nivelit të dytë në Qafë Kashar, kanë dalë sot para Gjykatës së Krimeve të Rënda për t’u njohur me masën e sigurisë ndaj tyre.

Ndaj Fation Xhyliu, ish-punonjës i policisë private; Ditjon Memlikës, ish-efektivi i FA-së; Neim Avdulajt, dhe Ernest Kupës, Krimet e Rënda kanë vendosur masën e sigurisë “arerst me burg”.

Komunikim i masës ndaj tyre, u bë pasi çështja për grabitjen e parave të bankës i kaloi Gjykatës së Krimeve të Rënda.

Fation Xhyliu besohet se ëshë personi që ka dekonspiruar grupin e grabitësve. Më herët, edhe Gjykata e Tiranës ka dhënë ndaj tij masën e sigurisë “arrest me burg”. Por në atë seancë Xhyliu ka mbajtur qëndrim pohues edhe përpara gjykatës, duke mos kundërshtuar në asnjë moment provat dhe akuzat e prokurorisë. Ndërkohë që kjo e fundit i është referuar më tepër provave dhe fakteve që kanë të bëjnë më së shumti me grabitjen e dhjetorit të vitit 2015, ku Xhyliu ka patur rolin e informatorit, pasi ishte pjesë e policisë private, që kishte marrë përsipër transportin e vlerave monetare.

Ndonëse vetë Xhyliu u shpreh i penduar në sallën e gjyqit, duke pranuar grabitjen, por ende nuk dihet nëse ai e ka fituar statusin e bashkëpunëtorit të drejtësisë, ndërsa avokati i tij mbrojtës akuzoi prokurorinë se ka shkelur të drejtat e klientit të tij.

Më pas Gjykata e Tiranës ka dhënë të njëjtën masë sigurie edhe për Ditjon Memlikën, ish-efektiv i Forcave të Armatosura.

Sipas prokurorisë, të dy të akuzuarit në fjalë janë të dyshuar edhe për grabitjen e para disa ditëve në rrugën e Rinasit.

Qëndrim pohues ndaj akuzave ka mbajtur edhe ish-efektivi i FA-së, Ditjon Memlika, i cili gjithashtu nuk ka kundërshtuar faktet e paraqitura nga prokuroria.

(el.sp/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb