Grabitja e 995 mijë eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit më 30 qershor të vitit 2016, rezultoi një ngjarje e paralajmëruar jo më shumë se një muaj e gjysmë para se të ndodhte.Grabitja e 995 mijë eurove në pistën e Aeroportit të Rinasit më 30 qershor të vitit 2016, rezultoi një ngjarje e paralajmëruar jo më shumë se një muaj e gjysmë para se të ndodhte.

Përfaqësues të Policisë, Ministrisë së Transporteve, SHISH, Albkontroll, madje edhe të kompanive ajrore kishin ngritur si shqetësim thelbësor sigurinë në aeroportin “Nënë Tereza”.

Në mbledhjen e Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil, që u drejtua nga Aleksandër Lipivani, drejtor i AAC, shqetësimet kryesore lidheshin me mosfunksionimin e kamerave, faktin që Policia e Shtetit nuk kishte akses në këtë sistem kamerash, por edhe çarja e perimetrit të jashtëm të pistës së avionëve.

Mbledhja u zhvillua pas 3 testimeve të kryera më 20 prill 2016 nga ana e Aviacionit Civil dhe Policisë, gjatë të cilave u arrit të futej edhe eksploziv në aeroport. Vetë drejtuesi i kësaj mbledhjeje, Lipivani, shprehej se vetëm 15 për qind e kamerave funksiononin. Ndërsa drejtori i Përgjithshëm i Kufirit dhe Migracionit në atë kohë, Genc Merepeza, duke konfirmuar mosfunksionimin e disa kamerave, kërkonte që të kishte akses në sallën e monitorimit.

Por nga ana e përfaqësuesit të TIA-s nuk u dha asnjë zgjidhje në këtë drejtim, duke u shprehur se Policia kishte aksesin e plotë që të instalonte vetë kamera. Ndërsa dëmtimi i perimetrit të jashtëm të pistës u ngrit si shqetësim nga përfaqësuesi i Albkontroll, i cili përmendi dy raste të tilla gjatë vitit 2015. Më poshtë, diskutimet e plota gjatë zhvillimit të mbledhjes së datës 13 maj 2016.

ALEKSANDËR LIPIVANI, DREJTOR EKZEKUTIV I AVIACIONIT CIVIL

Si drejtor ekzekutiv dhe kryetar i Komitetit të Sigurisë Kombëtare të Aviacionit Civil Shqiptar, jam i detyruar t’ju informoj mbi një çështje që është shumë sensitive e që unë e konsideroj shumë të rëndësishëm dhe për të qenë korrekt, dua ta ndaj me ju. Është fjala për një inspektim që autoriteti ynë ka kryer ne aeroportin ndërkombëtar “Nënë Tereza”, Rinas, ose më saktë, një testim i fshehtë për sigurinë që kreu ky institucion atje.

Për të qenë korrekt me të gjithë ju, duhet thënë se kishim tjetër pritshmëri, por faktikisht nuk na rezultoi ajo që duhet të ishte. Unë do të doja t’ju bëja një panoramë të shkurtër të kontrollit, inspektimit që zhvilluam në aeroportin “Nënë Tereza”, ky ishte një testim i fshehtë. Ky test u zhvillua në tri etapa. Njëri në perimetër dhe dy në pikat e kontrollit me rreze X, duke përdorur pajisje simuluese eksplozive dhe armë të ftohta, të cilat janë në listën e artikujve të ndaluar, pra që nuk lejohet të futen në zonën e kufizuar të sigurisë apo të transportohen.

Të tri këto teste, fatkeqësisht rezultuan negative. Për këtë testim ne kemi bërë një raport, që do të doja ta diskutonim bashkërisht pasi këtu kemi dhe përfaqësuesin e TIA-s, por në këtë moment jemi në ndryshim pronarësh mesa kemi informacion. Unë këtë raport e kam diskutuar dhe me eprorët në ministri, bashkërisht do të dalim dhe me një konkluzion, por duke qenë se pronarët e rinj duhet të vihen në lëvizje për situatën jo vetëm për investime në njerëz, por dhe në infrastrukturë.

ILIR ALIMEMA, PËRFAQËSUES I TIA-S

Ne jemi në dijeni të gjithë kësaj, por nuk jemi në dijeni të raportit dhe pa u njohur me të, themi se nuk jemi në raport të barabartë. Kur raporti të vijë zyrtarisht dhe të njihemi konkretisht me gjetjet, do të shprehim dhe ne sugjerimet tona. Për sa u takon pronarëve të rinj, kjo është në proces, por theksoj se aeroporti e ka një pronar dhe sa kohë nuk është e zyrtarizuar, nuk është koha të diskutojmë pronarë të rinj e pronarë të vjetër. Menaxhimi i ka detyrat e tij, pavarësisht se kush është në drejtim e pronësi të aksioneve të TIA-s. Do propozoja që ai raport t’i bëhej i ditur TIAs zyrtarisht dhe ne ta shikonim dhe të parashtrojmë sugjerimet tona dhe aty mund të dalë çfarë është e çfarë duhet bërë.

ALEKSANDËR LIPIVANI

Raporti do t’ju vijë, por problem është dhe sistemi i kamerave, të cilën e kemi diskutuar dhe 2-3 herë këtu në komitet dhe shohim se nuk ka asnjë përmirësim të tyre dhe nga të cilat punojnë vetëm 15 % e kamerave. Kjo është e patolerueshme.

GENC MEREPEZA, DREJTOR I PËRGJITHSHËM I KUFIRIT DHE MIGRACIONIT

Së paku, kjo është diskutuar në gjitha takimet që kemi pasur, problemi i kamerave. Problem tjetër është dhe ai i rrethimit të perimetrit, i cili në disa vende është i dëmtuar.

BAHRI SHAQIRI, ZV.MINISTËR I TRANSPORTEVE

Të gjitha këto probleme që tha Genc Merepeza janë të mbartura dhe nuk vihet re asnjë lloj ndryshimi nga ana e kompanisë suaj. Unë do të këshilloja dhe për një mbledhje tjetër jashtë radhe të komitetit pas përgjigjes që do të dërgojë kompania, në të cilën të shikojmë për sugjerimet dhe masat që do të marrë për përmirësimet e menjëhershme të situatës.

GENC MEREPEZA

Në lidhje me problemet në Aeroportin e Rinasit, meqenëse kemi dhe përfaqësuesin e aeroportit këtu, do të doja një përgjigje të sinqertë në lidhje me kompaninë që kryen shërbimin e sigurisë, e kryen siç duhet ajo detyrën apo jo. Thjesht duam vetëm mendimin tuaj, se në disa raste vëmë re se çedojmë në këtë kontroll, ashtu që mund të them dhe rastet pozitive që nëpërmjet shërbimit të skaneristëve tuaj arritëm që të kapim një pistoletë, e cila ishte në bagazhet e një pasagjeri të huaj. Ne duhet të punojmë shumë që të mos themi “o bobo” nesër.

Besoj se disa përfundime do t’i thotë zv.drejtori i SHISH-it. Sapo na erdhi një informacion nga shërbimet tona në aeroport, të cilat na thonë se disa kamera nuk punojnë mirë. Kjo situatë e kamerave ka që në kohën kur Papa Françesku vizitoi Shqipërinë. Disa kamera që janë të vendosura shikojnë vetëm murin, megjithëse ne kemi qenë në sallën e kamerave vetë me z.Nikolla aty dhe kemi vërejtur disa probleme me mbikëqyrjen e aeroportit. Ajo që më shqetëson është ajo që ne si Polici nuk kemi akses në këto kamera në kohë reale në aeroport. Në qoftë se do të duhet një ndërhyrje e menjëhershme e Policisë, do të duhet një sërë procedurash zinxhir derisa Policia të veprojë. Ne kemi një sistem kamerash tonat, të cilat nuk kanë asnjë lidhje me kamerat e aeroportit. Ne kemi akses në kamerat e vendeve ndërkufitare që mbikëqyrim kufirin dhe nuk kemi akses në kamerat që mbikëqyrin aeroportin tonë.

FRANCESCO POPESELLI, PËRFAQËSUES I KOMPANIVE AJRORE

Duke iu referuar rasti të raketës që u gjend para disa muajve në Beograd, dua t’ju përmend se ishte roli i stafit të aeroportit, personat që mundësojnë futjen në mënyrë të fshehtë të sendeve të ndaluara në aeroport. Prandaj është shumë e rëndësishme që duhet të njihet shumë mirë i gjithë stafi për sigurinë e aeroportit. Para disa ditësh, në aeroportin e Glaskout një makinë është përplasur me aeroportin. Ky ka qenë sulm terrorist. Jam i shqetësuar për sigurinë në aeroport, prandaj e them këtë sepse kam parë në aeroportin e Tiranës që vijnë mjete, të cilat afrohen mbi trotuarin e këmbësorëve dhe sidomos kur bie shumë shi afër Bar “P…”. Shqiptarët janë shumë kreativë dhe sigurisht e bëjnë për të mos u lagur nga shiu, por nganjëherë ky kreativitet vendos në dyshim sigurinë e aeroportit.

GENC MEREPEZA

Në qoftë se ka informacion zotëria, mund të na thotë se cili aeroport ka më shumë refuzime për hyrje. Ne vitin e kaluar kemi refuzuar kalimin e rreth 12000 shtetasve për problem (dyshime) me ISIS apo mos pasje mjetesh financiare të mjaftueshme të udhëtimit, si dhe kërkesa për biletën e kthimit, që faktikisht nuk duhet t’ua kërkojmë ne. Mos na duhet dhe ndihma e kompanive ajrore për vendet e destinacionit, pasi në shumë raste shtetasit tanë shikohen si “delja e zezë”. Siç u tha që, automjetet kur bie shi afrohen dhe hipin mbi trotuar, por kjo do të thotë që duhet të shkojmë më tej dhe te Policia, sepse në aeroport kemi dhe ne një strukturë, e cila rregullon trafikun e automjeteve dhe nëse dhe ato e kane lejuar këtë, kjo është vërtet e rëndë.

ILIR ALIMEMA

Për sa i përket problemit të aksesit të kamerave, ne kemi një detyrim kontraktor që është kontrata e koncesionit dhe çfarë do të thotë, që ju të keni akses aty tek ato kamera. Kamerat janë vendosur për efekt të sigurisë, për të cilat ne jemi përgjegjës, besoj se ju nuk e keni të ndaluar aksesin të instaloni kamerat tuaja. Kur thua akses, çfarë nënkuptoni?

GENC MEREPEZA

Të duam të kemi akses për të marrë pamjen në kohë reale, pse unë duhet të pres që të marr një telefonat tënden që po ndodh ngjarja, ose të ketë një punonjës të Policisë të akomoduar në ambientet e sallës së kamerave me numrin e vetë, me butonin e vetë që të japë alertin në momentin e duhur.

ILIR ALIMEMA

Pa e paragjykuar kërkesën, por mendoj se një kërkesë specifike duhet t’i drejtohet TIA-s të ardhur nga autoriteti juaj për këtë aksesin e kamerave si ju e konceptoni dhe çfarë kërkoni, pra të detajuar që çfarë ne mund të bëjmë dhe çfarë ju duhet të bëni. E thënë kështu, duket sikur TIA i ka mbyllur derën Policisë dhe kjo nuk është e vërtetë.

GENC MEREPEZA

E kemi parë në sallën e kamerave që ju keni monitorët dhe ju na keni thënë që s’keni ku mund të qëndroni, pasi ambienti është i vogël dhe janë operatorët.

SOKOL RUÇI, PËRFAQËSUES I ALBKONTROLL

Vitin e kaluar kemi pasur dy raste të futjes së kafshëve (qenve) në pistë, e cila ka detyruar pilotin që të mos bëjë uljen, pasi konsiderohet që pista është e zënë dhe kështu që ka zgjatur procedurën e uljes. Me sa di unë, ka pasur një vend të zbuluar te gardhi, por ka ndodhur 2 herë në 2 vende të ndryshme. Nisur nga kjo, ndoshta ka nevojë për t’u parë e gjithë infrastruktura e rrethimit të aeroportit./ Panorama

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb