Nga: XHENSILA KODRA*
TIRANE – Prokuroria e Tiranës ka nisur ekzaminimin e parave të sekuestruara nga tre të arrestuarit e operacionit “Depërtimi”. Burime pranë hetuesve të çështjes, sqarojnë se do të bëhet krahasimi i numrave serialë të parave të gjetura në banesat e Roland Litit (Zekaj), Alan Babamatos dhe Robert Kullës me ato të grabitura në bankën e nivelit të dytë në ish-Bllok.

Sipas të njëjtave burimeve mësohet se prokuroria ka kërkuar informacion nga banka për sa u përket numrave serialë të kartëmonedhave të cilat janë deklaruar të vjedhura, dhe tashmë është në pritje të përgjigjes.

Pavarësisht provave të gjetura në vendin e ngjarjes, krahasimi i numrave serialë të parave do të jetë një provë bindëse për organin e akuzës. Pak ditë më parë, policia e Tiranës arrestoi si të dyshuar tre personat e sipërpërmendur, të cilët pohuan para gjykatës se nuk kanë asnjë lidhje me grabitjen e ndodhur më datë 8 gusht të këtij viti. Kështu, nëse numrat serialë të kartëmonedhave të sekuestruara do të korrespondojnë me ato të deklaruara të vjedhura, atëherë alibitë e tre personave të arrestuar do të rrëzohen.

Ndërkaq, në vendin e ngjarjes u gjetën një sërë provash të cilat u përkisnin personave të arrestuar, si: leva hekuri, kriko automjeti, pllaka metalike, tuba metalike, bidon uji 1.5 litër dhe një fishek brave i thyer. Nga ekspertiza e bidonit plastik rezultoi se shenjat e gishtave të lëna mbi të korrespondonin me ato të Roland Litit. Menjëherë pas kësaj, ai u vu në përgjim, ku rezultoi se pjesëmarrës në grabitje ishte edhe Alan Babamato. Vetëm një ditë pas grabitjes, të dy këta persona janë larguar drejt Malit të Zi, ndërsa Liti është futur në Shqipëri në mënyrë ilegale.

Sipas hetuesve të çështjes, largimi i tyre jashtë vendit është bërë në mënyrë që ata të humbnin gjurmët. Ndërkohë, të shtunën, gjykata vendosi masën e sigurisë “arrest me burg” për Roland Litin (Zekaj) dhe Alan Babamaton, si dhe 30 ditë burg për Robert Kullën, djalin e ish-të fortit të Tiranës, Nehat Kullës. Gjatë seancës, Liti ka treguar se ditën që ka ndodhur grabitja ka qenë në shtëpi dhe se ikja e tij në Mal të Zi ka qenë për faktin se kishte shoqëruar disa miq të tij që kishin ardhur nga Gjermania. Përfshirjen në ngjarje e mohoi edhe Babamato, i cili tha se më 8 gusht ndodhej me familjen në Vlorë. Kurse, Robert Kulla ka deklaruar se paratë që i janë gjetur janë të fituara nga qiratë e disa bizneseve që ai i ka lëshuar me qira.

Sendet e sekuestruara në banesa
Më 31 gusht, ditën kur u arrestuan tre personat si të dyshuar në grabitjen e 190 milionë lekëve të vjetra, policia tha zyrtarisht se në banesat e tyre u gjetën dhe sekuestruan disa sende dhe një shumë parash. Konkretisht, u sekuestruan: një automjet i markës “Benz ML” me targë AA205KA; një automjet i markës “Opel Corsa” me targë AA178NC; një shumë prej 16.730 dollarësh amerikanë; një shumë prej 10.480 eurosh; 2,625.000 lekë të vjetra shqiptare; karta SIM dhe aparate celularë; një sasi fishekësh arme gjahu; si dhe sende të tjera që shërbejnë për hapje dyersh, brava, çelësa të ndryshëm.
(er.nu/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb