TIRANE- Policia e Tiranës dhe uniformat blu të Krujës janë rikthyer sërish në vendin ku u gjet e djegur makina tip “Mercedes-Benz”, e cila është përdorur nga grabitësit e miliona eurove në aeroportin e Rinasit. Mësohet se policia ka krehur edhe një herë zonën përreth për të zbuluar ndonjë mjet tjetër që mund të jetë përdorur nga autorët e grabitjes, që mund të ndihmojë policinë dhe prokurorinë në zbardhjen e plotë të ngjarjes.

Burime pranë hetuesve të çështjes sqaruan se deri më tani nuk është gjetur asnjë provë tjetër përveç një parukeje dhe disa fijeve floku brenda saj, si dhe një bidoni plastik që dyshohet se ka qenë me benzinë.

Këto sende u dërguan në laboratorin e Policisë Shkencore, ku po i nënshtrohen një ekzaminimi. Të njëjtat burime thanë më tej për “GSH” se nga këqyrja e pamjeve të sigurisë përgjatë rrugës së aeroportit “Nënë Tereza”, vihet re se autorët e maskuar, pasi i kanë vënë flakën “Benz”- it, janë larguar prej andej me një automjet tjetër në drejtim të fshatit Laknas.

Policia ka marrë në pyetje edhe disa prej banorëve të kësaj zone, por nga dëshmitë e tyre asnjë nuk ka arritur të shohë ndonjë lëvizje të grabitësve. Burimet e sipërpërmendura bënë me dije se vetëm në dy ditët e fundit janë shoqëruar për t’u marrë në pyetje 13 persona, mes tyre edhe emra të njohur për drejtësisë. Ndërkohë, në sajë të hetimeve ka rezultuar se në disa porta të hyrje-daljeve për në pistën e aeroportit nuk ka pasur kamera sigurie, ndërsa disa të tjera nuk punonin. Grabitja spektakolare ndodhi mesditën e 30 qershorit, në pistën e aeroportit të Rinasit.

Tre grabitësit, të armatosur, të maskuar dhe me paruke, mundën të hynin në rrethimin e brendshëm të aeroportit, pasi kishin prerë menteshat e portës së jashtme, e cila ndodhet nga krahu i rrugës Rinas – Fushë-Krujë. Nën kërcënimin e armëve, autorët mundën të merrnin rreth 1 milion euro, para këto të cilat po transferoheshin me mjetet e SH.P.S.F. “Nazeri 2000”, nga terminali drejt avionit.

(el.sp/Gazeta Shqipare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb