Gra vullnetare iraniane kanë nisur trajnime bazë ushtarake në Teheran, në një program të organizuar për përgatitjen e qytetarëve në rast të një konflikti të mundshëm me Shtetet e Bashkuara ose Izraelin.

Pamjet e publikuara nga Reuters tregojnë gra të veshura me të zeza dhe me hixhab, të cilat marrin udhëzime nga oficerë dhe instruktorë përpara se të trajnohen me armë zjarri dhe pistoleta.

Trajnimet zhvillohen në qendra të ngritura në sheshet e Teheranit dhe përfshijnë përdorimin bazë të armëve, ndihmën e parë dhe përgatitjen për situata emergjente.

Sipas raportimeve, gratë dhe burrat trajnohen veçmas. Gratë zhvillojnë seanca tri herë në javë, ndërsa secila seancë zgjat rreth tre orë.

Programi është pjesë e një fushate më të gjerë të autoriteteve iraniane për rritjen e gatishmërisë së popullsisë përballë një sulmi të mundshëm. Në shtator, qindra mijëra persona morën pjesë në një tubim të organizuar nga qeveria në Teheran, ku vullnetarëve iu ofrua trajnim bazë ushtarak dhe për emergjencat.

Një prej pjesëmarrëseve, 45-vjeçarja Raheleh Ghadiri, tha se mësimi i mënyrave për të mbrojtur familjen dhe komunitetin e saj në rast lufte e ndihmon të përballojë frikën nga një konflikt i mundshëm.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: