NGA EGLANTINA ALLIAJ*

TIRANË- Grupi parlamentar i Partisë Socialiste ka diskutuar në mbledhjen e sotme rezultatin e zgjedhjeve vendore të mbajtura më 21 qershor, ku është vendosur që në muajin shtator të bëhet një analizë e thellë dhe e detajuar.

Burime brenda grupit bëjnë me dije se kryeministri Edi Rama ka deklaruar se në zgjedhjet e 21 qershorit, në disa zona Partia Socialiste pati një rezultat të kënaqshëm, por në disa bastione të majta, pati një rezultat jo të mirë, dhe kjo meriton një analizë të thellë, duke lënë të nënkuptohet se do të ketë përgjegjës për këtë rezultate, si në qendër ashtu edhe në strukturat e PS-së në rrethe.
Rama ka shprehur edhe objektivin që e majta ka si synim të arrijë për tu shtuar në rreth 150 mijë anëtarë.

I pyetur nga mediat, deputeti Koço Kokëdhima tha se rezultati i Aleancës për Shqipërinë Europiane në këto zgjedhje pritej.

Ndërkohë në mbledhje është diskutuar edhe riorganizimin e partisë pas këtyre zgjedhjeve. Të njëjtat burime bëjnë me dije se në shtator do të mblidhet Asambleja Kombëtare, do të prezantohet dhe një platformë për organizim të strukturave, ndërsa në fund të këtij viti Partia Socialiste do të mbledh edhe kongresin.

Kjo ishte mbledhja e parë pas zgjedhjeve vendore, ku ra në sy mungesa e zërit kritik të së majtës, deputetit Ben Blushi.

 

(m.k/BalkanWeb)

 

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: