Ish-Presidenti i Republikës Bamir Topi i ftuar në studion e emisionit “Frontline” në News24 ka folur në lidhje me situatën politike para zgjedhjeve të 14 majit.

Topi komentoi mbi situatën aktuale të largimit të kandidatëve për bashkitë dhe këshillat bashkiakë të Partisë Demokratike të drejtuar nga kryetari i komanduar Enkelejd Alibeaj, teksa tha se alibia e tyre se po tërhiqen për të mos dëmtuar partinë është falsitet.

Sipas tij grupimi i Alibeajt është denigruar vazhdimisht nga ai i Berishës dhe në një pikë kur as kreu i kësaj force nuk ka integritet politik, nuk mund të ketë as për anëtarët e kësaj force në rrethe, të cilët sipas Topit e shohin veten se nuk mund të fitojnë.

Ish-Presidenti deklaroi se pas zgjedhjeve të 14 majit do ketë një nevojë për zgjedhje brenda Partisë Demokratike dhe ky do jetë sipas tij momenti për rikthimin e Sali Berishës në krye të kësaj force politike sërish përmes zgjedhjeve brenda partisë.

“Alibia për të mos dëmtuar PD-në është falsitet në këtë pikë. Situata nuk u ekspozua sot, është e akumuluar dhe këta janë njerëz që do ta ripërsërisnin. Janë dallkautë politikë. Bëjnë një betejë të madhe dhe erdhën në këtë situatë. Nuk dua të komentoj si u futën në lojë struktura të tjera. Partia e Alibeajt nuk përfaqësonte politikisht atë që njerëzit shohin te PD-ja. Unë e kam parë grupimin e tij si një grup burokratësh parlamentarë që u strukën në ato zyrat e ngushta dhe iu gëzuan ofiqeve të parlamentit. Ky është një turp shumë i madh për atë grupim. Kjo tregon mungesë totale të personalitetit të tyre politik.

Nuk ka rëndësi se çfarë bën Alibeaj sot, pasi ka figura të tjera rreth tij që kanë marrë emër prej Berishës. Situata ka ndryshuar. Varianti i parë është se njerëzit e Alibeajt mund të dëshmojnë mungesë qëndrueshmërie, e dyta është se ai që flet mbi presion, unë shoh një presion politik publik që Berisha ka bërë ndaj këtyre. E ka kuptuar që këta janë njerëz të shantazhueshëm dhe jo me karakter të fortë. Alibeaj ka qenë ministër i tij dhe është përdorur nga Berisha në beteja të forta politike. Ai e di shumë mirë se sa mund të ecin këta me litarin që i ka vënë për të kullotur. Këta nuk ecin shumë sepse nuk janë të krijuar në mënyrë të pavarur. Ata që sillen në mënyrë të dyfishtë, pas datës 14 maj do fillojë në parashikimin tim një debat i fortë brenda PD-së.

Unë nuk e di si ka kurajë të vijojë karrierën politike pas kësaj. Pasi të fillojnë debatet dhe akuzat për të do t’i hapet rruga Berishës. Do jetë nevojë. PD zyrtare do shpallë zgjedhjet dhe zërat që luajnë me dy këmbët do jenë të parët që do thonë se duhen ftuar të gjithë. Ai që ka rrugën e hapur është Sali Berisha. Ata që nuk e kanë menduar rikthimin e Berishës janë naivë ose në funksion të kësaj loje.

Të gjithë janë produkte të Berishës dhe kanë kompleks inferioriteti ndaj tij sepse së bashku i kanë ushtruar këto metoda ndaj të tjerëve. Ata e dinë fuqinë e ekipit të Berishës për t’i denigruar politikisht. Kur nuk ka integritet ai që ka vulën, si mund të kenë ata nëpër rrethe. E shohin veten me shanse zero dhe të shantazhuar dhe largohen më pas. Historia e politikës në vend është dramatike, të kërkohet shpresa pas 32 vitesh te një njeri që ka të kaluar shumë problematike lidhur me fatet e PD-së dhe të qenit kryeministër, ta kërkosh shpresën te ai është gjëmë për vendin.

Ndjesitë dhe rreshtimet tradicionale politike do jenë në terren për ata që janë kundër Ramës. Do gjendet mënyra për të shprehur dufin ndaj tij. Duhet organizimi dhe motivi. Në këto kushte abstenimi dhe elektorati gri nuk mund të gjejë shpresë te të njëjtët aktorë, revolta e tyre do jetë me mospjesëmarrjen në votime. Këtë herë janë më problematike”, u shpreh Topi.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb