Pep Guardiola pati një ndikim masiv në karrierën e Messit dhe futbollin modern në përgjithësi. Theksi i tij mbi posedimin e topit bëri që disa trajnerë të imitonin metodat e Pep. Pak ishin aq të suksesshëm sa Guardiola, i cili që atëherë ka fituar tituj të ligës me Bayern Munich dhe Manchester City.

Messi beson se ajo që Barcelona ishte në gjendje të arrinte në ato katër vite i bëri metodat e spanjollit “të dukeshin të thjeshta”. Si rezultat, të gjithë u përpoqën të kishin qendërmbrojtës që luanin nga prapa ose mbrojtës të krahut që avanconin në mesfushë.

Gjatë një interviste me “Movistar Plus”, superylli i Inter Miami pohoi: “Guardiola i bëri shumë dëm futbollit…Dukej aq e thjeshtë dhe e lehtë, sa të gjithë donin të kopjonin stilin e tij”. Intervistuesi Jorge Valdano u përgjigj: “Pikërisht, edhe në çdo divizion, edhe në kategorinë e tretë, qendërmbrojtësit vraponin përpara”.

Messi më pas shtoi: “Po, më vonë gjeta shumë Guardiola përreth. Pikërisht atëherë e kuptova se çfarë kishim arritur me të te Barcelona”. Kur u pyet nëse Guardiola ishte trajneri më i mirë që ka pasur ndonjëherë, tetë herë fituesi i “Topit të Artë” pranoi: “Pa dyshim për këtë, Guardiola është i veçantë. Këtu kam parasysh mënyrën se si e sheh çdo ndeshje, përgatitja dhe si komunikon me lojtarët”.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb