TIRANE- Ekonomia shqiptare ka pësuar rritje progresive gjatë vitit 2016. Kështu deklaroi gjatë një konference për shtyp, Guvernatori i Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko.

Kreu i BSH-së, pohoi se inflacioni shënon një nivel deri në 2 për qind, ndërsa theksoi se norma bazë e interesit mbetet e pandryshuar.

“Inflacioni pritet të kthehet në objektiv në vitin 2018. BSH pret një përshpejtim të lehtë të rritjes ekonomike gjatë vitit 2016. Dhe inflacioni pritet ë jetë në 2 për qind. Konsumi familjar ka shfaqur përmirësim. Inflacioni shënoi një rritje të lehtë gjatë një pjesë të vitit. Inflacioni vazhdon të qëndrojë nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Situata e pafavorshëm në tregjet ndërkombëtare nuk ka ndikuar në ekonominë vendase”, tha Sejko.

Guvernatori i BSh, tha se norma bazë e interesit do të qëndrojë sërish e pandryshuar, në 1.75 %.

“Pritet rritje ekonomike, që do ndikojë në rritjen e inflacionit. Në analizën e BSH kushtet janë të përshtatshme për të siguruar objektivin e inflacionit. Banka e Shqipërisë vendos të lerë të pandryshuar normën bazë të interesit në 1.75 %. Do të ritheksoja nevojën për vazhdimin e reformave strukturore, për të vendosur vendin tonë në një plan të shpejtë rritje”, tha Sejko.

Më tej, ai u ndal edhe arritjet e vitit 2015, dhe sfidat për vitin që kemi nisur.

“Viti 2015 ka qenë një vit sfidues si një kudër të ruajtës së stabilitetin ekonomike-financiar, por edhe për punën me mekanizmat e nevojshëm. Politika monetare lehtësuese ka krijuar një ambient financiar më norma të ulëta interesi në kushtet e një tregu me likuiditet të bollshëm. Kushtet kontribuuan në konsolidimin e sistemit bankar në vend.

Këto vendime mundësuan rikthimin e besimit te institucionet bankare. Janë disa nga aktorët që kontribuuan në rritjen e besimit nga qytetarët te bankat. Politika jonë monetare ka qenë e suksesshme, duke e çuar ekonominë shqiptare në një trajektore pozitive zhvillimi. Gjatë 2015 sistemi bankar vijoi zhvillimin e tij. Kreditë me probleme janë nën nivelin 20%.

Gjithashtu u regjistrua hyrja e një investitori të ri në tregun bankar, e Bankës amerikane të Investimeve. E cilësojmë këtë si një investim të ri, dhe gjithashtu synojmë nxitjen e investimeve të tjera në këtë treg.

BSh përpos ndjekjes së zhvillimeve në bankat shqiptare me kapital grek, ndoqi edhe politikat e duhura në këtë drejtim. I kushtuam rëndësi frymës së solidaritetit mes bankave.

Kemi vijuar bashkëpunimin me FMN, BB, dhe bankat kombëtare të rajonit. Janë hartuar ndryshimet e ligjit për sigurinë e depozitave.

Gjatë vitit të kaluar ka pasur arritje edhe në drejtim të teknologjisë së informacionit. Automatizimi i shërbimit raportues, optimizimi i përdorimit të sistemit transmetues, auditimi i shërbimeve kontabël të degëve, si dhe magazinimi i informacionit; janë disa nga arritjet në këtë fushë.

Edhe për 2016 na presim sfida të mëdha. Politika jonë monetare edhe në 2016 do të jetë në krahun lehtësues. Do të dëshiroja të garantoja sistemin bankar në vend, se BSh do të vijojë me politikat mbështetëse”, tha Sejko.

FJALA E PLOTE E SEJKOS
Sot u zhvillua mbledhja e dytë e Këshillit Mbikëqyrës për vitin 2016 në të cilën u diskutua dhe u mor vendim në lidhje me normën e interesit. Në vijim do t’ju njoh më në hollësi me analizën dhe konkluzionet e dala.

Të dhënat e reja të tremujorit të tretë e të katërt 2015, tregojnë se aktiviteti ekonomik në vend po ndjek një trajektore pozitive zhvillimi. Analizat dhe parashikimet tona sugjerojnë se ekonomia shqiptare do të vazhdojë të shënojë ritme progresive rritjeje gjatë tre viteve të ardhshme. Aktiviteti ekonomik pritet të kthehet në ekuilibër gjatë tremujorit të parë të vitit 2017 dhe inflacioni pritet të kthehet në objektiv gjatë tremujorit të dytë të vitit 2018.

Këto parashikime nuk kanë ndryshuar nga vlerësimet tona të mëparshme. Kahu dhe intensiteti i zhvillimeve të pritura reflekton: (i) dinamikën aktuale të ekonomisë shqiptare; (ii) përmirësimin e pritur të ambientit të jashtëm; si dhe (iii) ruajtjen e kahut stimulues të politikës monetare gjatë horizontit të parashikimit. Të tre këta faktorë do t’i trajtoj shkurtimisht në vijim.

Ecuria e ekonomisë gjatë gjashtëmujorit të dytë të vitit 2015 ka qenë në kahun e sipërm të pritjeve tona, duke sjellë një rishikim të lehtë për lart të rritjes ekonomike të pritur për vitin. Duke u bazuar në tendencat aktuale, Banka e Shqipërisë pret një përshpejtim të lehtë të rritjes ekonomike gjatë vitit 2016, ndërkohë që inflacioni parashikohet të luhatet rreth nivelit mesatar 2% për këtë periudhë.

Sipas të dhënave të Instat-it, ekonomia shqiptare shënoi një rritje prej 2.98% gjatë tremujorit të tretë, e mbështetur kryesisht nga rritja e investimeve dhe nga gjallërimi i aktivitetit në sektorin e shërbimeve. Të dhënat e tërthorta për tremujorin e katërt sugjerojnë se rritja ekonomike ka vazhduar të jetë në territor pozitiv.

Duke analizuar informacionin e disponuar, Banka e Shqipërisë vlerëson se investimet private po vazhdojnë të rriten, të nxitura nga investimet e huaja direkte, nga përmirësimi i gjendjes financiare të bizneseve si pasojë e pagimit të detyrimeve të prapambetura, por edhe nga lehtësimi i kushteve të financimit në sektorin bankar.

Gjithashtu, konsumi familjar ka shënuar rritje, ndërkohë që faktorët përcaktues të tij – punësimi, pagat dhe besimi konsumator – kanë shfaqur përmirësim. Nga ana tjetër, eksportet shqiptare po vuajnë ecurinë e dobët të ekonomive tona partnere dhe konjukturën e pafavorshme të tregjeve ndërkombëtare. Po ashtu, shpenzimet publike kanë shënuar rënie gjatë vitit 2015, duke reflektuar konsolidimin e fortë fiskal të ndjekur nga sektori publik.

Inflacioni shënoi një rritje të lehtë gjatë tremujorit të katërt të vitit, duke arritur vlerën mesatare prej 2.1%. Inflacioni pati tendenca progresive rritjeje gjatë gjysmës së dytë të vitit, duke reflektuar pjesërisht përmirësimin e aktivitetit ekonomik dhe pjesërisht efektet kalimtare të bazës së ulët krahasuese gjatë vitit të shkuar. Megjithatë, sikurse e kemi thënë edhe më parë, inflacioni vazhdon të qëndrojë nën objektivin e Bankës së Shqipërisë. Kjo ecuri ilustron faktin se punësimi dhe shkalla e shfrytëzimit të kapaciteteve të prodhimit mbeten poshtë nivelit të tyre potencial. Ajo nënvizon gjithashtu nevojën e ndjekjes së politikave ekonomike stimuluese në afatin e mesëm.

Situata e pafavorshme në partnerët tanë tregtarë dhe në tregjet ndërkombëtare nuk ka ndihmuar zhvillimin e aktivitetit ekonomik në vend në gjysmën e dytë të vitit 2015. Zhvillimet në Greqi, çmimet e ulëta të naftës e të produkteve bazë, si dhe luhatjet e shpeshta të tregjeve financiare, kanë sjellë një kërkesë të ulët për eksportet tona dhe nuk kanë inkurajuar rritjen e kredisë në vend. Kjo situatë pritet të shënojë një përmirësim të lehtë gjatë vitit 2016. Duke monitoruar tendencat aktuale dhe parashikimet e organizatave ndërkombëtare, Banka e Shqipërisë gjykon se ambienti i jashtëm pritet të fuqizohet më tej në horizontin afatmesëm dhe të ofrojë një mbështetje gjithnjë e më të madhe për rritjen ekonomike në vend.

Gjithashtu, rritja ekonomike në këtë periudhë pritet të mbështetet nga përmirësimi i kushteve të financimit dhe nga gjallërimi i kreditimit. Kjo pritje reflekton kombinimin e një sërë faktorësh.

Së pari, kahu i fortë stimulues i politikës tonë monetare ka sjellë normat e interesit në tregjet financiare në minimumet e tyre historike. Banka e Shqipërisë vlerëson se këto norma do të vazhdojnë të mbeten poshtë mesatareve të tyre historike edhe gjatë dy viteve të ardhshme.

Së dyti, emetimi i Eurobondit ka sjellë reduktimin e huamarrjes publike në tregjet e brendshme financiare. Kjo ka shkaktuar një ulje të mëtejshme të normave të interesit – edhe përtej sinjaleve të dhëna nga politika monetare – duke ndihmuar në rritjen e stimulit monetar në ekonomi. Në përputhje me planin buxhetor afatmesëm, Banka e Shqipërisë vlerëson se ndikimi i këtij faktori do të jetë i pranishëm edhe gjatë 2 viteve në vijim.

Së treti, zbatimi i programit të masave për reduktimin e kredive me probleme do të ndihmojë në lehtësimin e standardeve të kredisë dhe në rritjen e ofertës së kredisë bankare. Për sa më sipër, rritja ekonomike do të vijë në përmirësim të mëtejshëm gjatë horizontit afatmesëm, e ushqyer fillimisht nga kërkesa e brendshme dhe më tej nga rritja e qëndrueshme e eksporteve. Kjo rritje do të ndihmojë në kthimin gradual të inflacionit në objektivin tonë prej 3%. Në analizën e Bankës së Shqipërisë, kushtet monetare aktuale janë të përshtatshme për të siguruar përmbushjen e objektivit të inflacionit brenda një horizonti kohor afatmesëm. Duke u bazuar në këtë gjykim, Këshilli Mbikëqyrës vendosi të mbajë të pandryshuar normën bazë të interesit, në nivelin 1.75%.

Në vijimësi, në funksion të përmbushjes së objektivit tonë për inflacionin dhe afrimit të rritjes ekonomike me potencialin e saj, bazuar në informacionin e disponuar, Banka e Shqipërisë gjykon se intensiteti i stimulit monetar nuk do të dobësohet përgjatë gjithë vitit 2016 dhe se kushtet monetare do të mbeten stimuluese në të dy vitet në vijim. Së fundi, dëshiroj të ritheksoj nevojën për vazhdimin dhe përshpejtimin e reformave strukturore. Këto reforma janë instrumenti i vetëm për të zhvendosur ekonominë në një plan më të shpejtë rritjeje, por edhe instrumenti parësor i forcimit të qëndrueshmërisë ekonomike dhe financiare të vendit.

(ed.me/el.sp/Balkanweb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: