Si masë hakmarrëse ndaj Britanisë së Madhe, Rusia ua ka ndaluar hyrjen shtatë shtetasve britanikë, ka njoftuar Ministria e Jashtme e Rusisë përmes një deklarate për media.

Në njoftim nuk përmenden emrat e qytetarëve të ndaluar.
Në gusht të këtij viti, Britania kishte vendosur sanksione ndaj shtatë individëve që thuhet se janë operativë të inteligjencës ruse, e të cilët dyshohet se kanë qenë të përfshirë në “tentativë-vrasjen” e liderit opozitar rus, Aleksei Navalny.

Në listën e personave të sanksionuar ishin: Aleksei Aleksandrov, Vladimir Panyaev, Ivan Osipov, Vladimir Bogdanov, Kirill Vasilyev, Stanislav Makshakov dhe Aleksei Sedov.

Navalny, një kritik i presidentit rus, Vladimir Putin, u sëmurë rëndë teksa po fluturonte nga Siberia. Avioni me të cilin po udhëtonte bëri ulje emergjente në Omsk dhe më pas Navalny u dërgua në spital.

Navalny ka fajësuar Putinin për helmimin, por këto akuza janë hedhur poshtë nga Kremlini. Ai u arrestua pasi arriti nga Gjermania në Rusi më herët gjatë këtij viti.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: