Tirana vjen në derbin e parë sezonal me stofin e një ekipi favorit, mbi të gjitha në raport me Partizanin. Jo vetëm pikët në tabelën e klasifikimit, por për momentin, bardheblutë qëndrojnë më lart se të kuqtë në shumë aspekte.

7 pikë diferencë në vetëm 5 javë janë treguesi më i qartë, por ekipi i Shehit ka në dispozicion dhe një ofensivë më në formë se kurrë, më 11 gola të shënuar në 5 javë, më shumë se 2 gola për ndeshje, repart ku Partizani ka çaluar shumë në 5 javët e para.

Tirana vjen në këtë derbi pas një fitore të madhe 3-2 përballë kampionëve në fuqi, një fitore që i jep më shumë moral dhe besim. Si gjithnjë përpara një sfidë të tillë as presidenti Halili nuk qëndron pasiv, në mënyrën e tij karikon ekipin edhe këtë herë duke premtuar një premio të majme në rast fitoreje.

Pavarësisht situatës ku ndodhen, ku presioni është mbi kundërshtarin, trajneri Shehi kërkon nga ekipi i tij qetësi dhe durim, pasi në ndeshja të tilla detajet mund të bëjnë diferencën, kush gabon më pak shpesh fiton.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb