Para stërvitjes së djeshme, presidenti i Tiranës, Refik Halili, bëri një vizitë në “Skënder Halili”.

Presidenti i bardhebluve pasi takoi lojtarët veç e veç si dhe foli me sta fin teknik, duke qëndruar kokë më kokë për disa minuta, zhvilloi në një takim me skuadrën.

Takimi u improvizua në fushën e lojës. Me presidentin, veç stafit teknik, ishin edhe drejtues të ekipit.

TAKIMI – Presidenti i skuadrës foli gjatë para ekipit bardheblu. Për më shumë se 20 minuta, Halili u shpreh për rëndësinë e ndeshjes me kurbinasit dhe atë që la pas Tirana.

Mësohet se Halili u ka kërkuar lojtarëve përqendrim dhe fitimin e ndeshjes.

“E di që jeni të gatshëm për të bërë ndeshjen tuaj. Nuk duhet të kemi presion. Jemi Tirana dhe kemi zero presion.

Pres nga ju që të bëni ndeshjen tuaj dhe të dilni me fitore. Jam i bindur që do të nderoni, Tiranën, tifozët dhe mua”, është shprehur Halili.

Presidenti ka ngritur në qiell grupin, ndërsa u ka dhënë besim se skuadra mund të bëjë gjëra të mëdha. Presidenti ka qëndruar disa minuta me Shehin, duke folur për ndeshjen, ndërsa më pas skuadra ka punuar veçmas.

Presidenti Halili nga ana e tij pas takimit ka kontrolluar gjendjen e terreneve sportive si dhe investimeve që po bëhen në “Skënder Halili”.

12 takimet e fundit Tirana-Laçi janë mbyllur gjithmonë me një fitues. Barazimi i fundit mes këtyre dy ekipeve shënohet më 30 mars 2019, 1-1, gati tri vite më parë.

3 gola i ka shënuar Redon Xhixha Tiranës me fanellën e Laçit.

Lojtari ka qenë gjithmonë futbollist që e ndëshkonte skuadrën bardheblu.

Nuk harrohet goli në minutën e 100-të në “Selman Stërmasi”. Nga ana tjetër vetëm katër ndeshje vetëm ka fituar Laçi si udhëtuese në kryeqytet.

Triumfi i fundit shënohet në “Air Albania”, kur mundte 0-1 Tiranën dhe kurbinasit nxirrnin nga Europa bardheblutë. Panorama Sport

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: