Në mjediset e Fakultetit Ekonomik të Universitetit të Shkodrës “Luigj Gurakuqi”, dekani i Fakultetit të Universitetit “Luarasi” profesor dr.Sherif Bundo promovoi tre veprat më të fundit që pasurojnë krijimtarinë e tij: “Dollia Shqiptare”, një libër monografik antropologjik, “Sepetet e Gjyshes”, një përmbledhje me novela, si dhe romanin “Brenga e Babait”.
Tre botime e Sherif Bundos që vijnë nga fusha të ndryshme, por që kanë në qendër njeriun, historinë dhe realitetin shqiptar, u vlerësuan nga akademikë dhe studiues.
Promovimi i tre veprave të Sherif Bundos mblodhi në Shkodër pedagogë, studentë dhe dashamirës të librave të tij, të cilët ndoqën nga afër prezantimin e këtyre veprave që prekin zhanre të ndryshme letrare.
