Parkingu i katërt nëntokësor u hap sot te stadiumi kombëtar “Air Albania”. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj tha se parkingu ka 200 vende, jep siguri për makinat dhe ka disa vende të posaçme karikimi për automjetet elektrike.

“Sot është një ditë e mirë për parkimin në Tiranë. Ky është parkingu i dhjetë në total në qytet, por i katërti nëntokësor. Para 5 vitesh, parkingu nëntokësor ishte diçka e padëgjuar në Tiranë. Sot kemi parkingje nëntokësore te sheshi “Skënderbej”, te ish-stacioni i Trenit, ku fillon Bulevardi i Ri, te këndi “7 Xhuxhat”, pronë që iu rikthye bashkisë për ta riinvestuar, dhe parkim nëntokësor poshtë sheshit “Italia”. Me gjashtë parkingje në sipërfaqe dhe katër nëntokë, sot kemi 10 parkingje më shumë seç kishim para 5 vitesh”, tha Veliaj.

Veliaj theksoi se e vetmja përgjigje për të gjithë ata që hedhin baltë është puna. “Puna këtu flet shumë më shumë se të gjithë ata që ulërasin për parkingjet. Ulërasin ata që në 4 vite mirë që nuk bënë një parking, por as një shkollë. Sot jemi dita me natën: kemi zgjidhur çështjen e parkimit për pjesën qendrore të Tiranës dhe në këtë mandat të dytë, do të kalojmë te rrethi tjetër; pra, nga Unaza e Vogël, te Unaza e Tretë, për t’u siguruar që e sistemojmë parkingun edhe në blloqet e pallateve”, u shpreh ai.

Më tej, kryetari i bashkisë sqaroi edhe projektin e ri ambicioz në hyrje të Liqenit Artificial. “Në mes të hyrjes së Parkut të Liqenit ka një pronë private, një lokal i rrethuar. Ajo që po bëjmë, është që po e transferojmë atë pronë private te Garda, që të kemi pronë shtet aty për të bërë një parkim tjetër nëntokësor, ku çdo qytetar pas Akademisë së Arteve, te hyrja e Liqenit, nga ana e Gardës, të ketë mundësi të lërë makinën nën tokë dhe të shijojë Parkun e Liqenit”, sqaroi Veliaj.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: