PRISHTINE- Në seancën e jashtëzakonshme të Kuvendit të Kosovës deputetët e kanë votuar dy herë për rezolutën me anë të cilës kërkuan lirimin e Ramush Haradinajt dhe të ngrihet notë protestë për shtetin slloven. 65 deputetë kanë votuar pro dhe 5 kanë abstenuar. Kurse në votimin e parë kjo rezolutë morri 51 vota pro dhe 7 abstenime, shkruan Express.

Deputetë të Kuvendit të Kosovës kërkuan lirimin e menjëhershëm të liderit të AAK-së, deputetit Ramush Haradinaj. Deputeti nga PDK-ja, Adem Grabovci kërkoi që praktikat si në rastin e liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt të ndërpritet. Shqetësimi më i madh sipas Grabovcit është se kanë të bëjnë me një shtet mik siç është Sllovenia.

“Rasti i tillë është edhe një provokim i rëndë që po i’u bëhet qytetarëve dhe institucioneve të Kosovës”, tha Grabovci në seancën e Kuvendit, duke kërkuar angazhim serioz nga të gjitha institucionet që këto praktika të ndërpriten. Ismet Beqiri nga Grupi parlamentar i LDK-së kërkoi që situata të zgjidhet sa më shpejt dhe diçka e ngjashme të mos përsëritet. Ndërsa, Glauk Konjufca nga Vetëvendosje tha se ndalimi i Haradinajt është i papranueshëm.

Sipas tij, ky fletë-arrest nga Serbia është lëshuar kur Haradinajt po i përgatitej gjyqi i Hagës. Ai tha se kjo që ndodhi nuk e amniston as Qeverinë e Kosovës sepse është hera e tretë që i përsëritet zyrtarëve tonë dhe nuk rregullohet. “Njëherë me Agim Çekun, pastaj me Fatmir Limaj dhe tash me Ramush Haradinaj”, tha Konjufca, duke kërkuar lirimin e menjëhershëm të Haradinajt. “Të mos i biem në qafë më shumë Sllovenisë se Serbisë. Problemi i vërtetë është shteti serb, jo Sllovenia”, tha Konjufca.

AAK PROTESTON SËRISH PARA AMBASADËS SLLOVENE NË PRISHTINË PËR NDALIMIN E RAMUSH HARADINAJT
Ora 15:10 Dhjetëra qytetarë, përkrahës të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës po qëndrojnë para Ambasadës së Sllovenisë në Prishtinë.

Veç deputetëve të partisë së Ramush Haradinajt, aty kanë shkuar edhe disa deputetë të partive tjera opozitare, të Vetëvendosjes dhe të Nismës për Kosovën, raporton Koha.net.

Për t’u solidarizuar me të pranishmit aty kanë shkuar edhe Glauk Konjufca e Rexhep Selimi të Vetëvendosjes, si dhe Haxhi Shala dhe Enver Hoti të Nismës për Kosovën.

Glauk Konjufca, që njëherësh është edhe shef i grupit parlamentar në një fjalim të shkurtër para të pranishmëve, ka thënë se kjo nuk është fyrje që i është bërë vetëm Ramush Haradinajt.
“Por është fyerje ndaj deputetit të Kuvendit të Kosovës. Është prek sovraniteti i Kosovës”, ka thënë Konjofca, raporton gazetarja e Kohës Ditore.

Ndërsa Avni Arifi i AAK-së, ka thënë se pavarësisht se mbrëmë është ndërprerë protesta në orët e mbrëmjes, kjo nuk do të ndodhë sonte, dhe se ata janë të vendosur të qëndrojnë aty deri në lirimin e Haradinajt dhe kthimin e tij në Kosovë.

PROKURORI SERB, VUKÇEVIÇ: RASTI HARADINAJ DO TË PËRFUNDOJ SHPEJT
Prokurori për krime të luftës në Serbi, Vlladimir Vukçeviç, thotë se është i befasuar me zhvillimet lidhur me ish-kryeministrin e Kosovës, Ramush Haradinaj. “Edhe vetë jam i befasuar, dhe nuk dua të komentoj”, tha Vukçeviç dhe ka shtuar se “mendoj se kjo në mënyrë rutinore do të përfundoj shumë shpejt”.

Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, dje është ndaluar në aeroportin ndërkombëtar të Lubjanës në Slloveni, sipas një fletarresti të Serbisë. Bashkëpunëtorë të afërt të tij, që gjenden së bashku me zotin Haradinaj në Lubjanë, i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se janë në pritje të procedurave gjyqësore për lirimin e liderit opozitar të Kosovës.

VAZHDON PROTESTA E AAK-SË

Ora 14:00- Zyrtarë të lartë dhe deputetë të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, bashkë me një numër qytetarësh po vazhdojnë protestën pranë Ambasadës së Sllovenisë në Prishtinë.

Protesta është thënë se do të vazhdojë deri në lejimin e Ramush Haradinajt, kryetar i AAK-së, që të vijë në Kosovë, pas ndaljes nga organet e sigurisë sllovene në Lubjanë.

THAÇI: BRUKSELI DUHET TA ZGJIDHË KËTË ÇËSHTJE PËRFUNDIMISHT
Ora 12: 20- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme Hashim Thaçi ka shprehur shqetësimin e tij në lidhje me ndalimin e kreut të AAK­së në Lubjanë të Sllovenisë. Teksa e ka quajtur të pajustifikueshme ndalimin, sipas tij kjo çështje duhet të diskutohet seriozisht në Bruksel dhe të zgjidhet njëherë e përgjithmonë.

Ai, ka kërkuar që incidentet si ky i kreut të AAK-­së, por që kanë ndodhur edhe më herët me Agim Çekun, Fatmir Limajn dhe me vetë atë, të mos ndikojnë në prishjen e raporteve bilaterale dhe të shkëlqyera që Kosova ka me Slloveninë.

MUSTAFA TELEFONON KRYEMINISTRIN SLLOVEN, KËRKON TË RISHIKOHET LISTA E INTERPOLIT
Ora 12:20- Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, zhvilloi sot një bisedë telefonike me kryeministrin slloven, Miro Cerar. Të dy kryeministrat shprehën gatishmërinë që bashkërisht të punojnë në drejtim të evitimit të situatave të tilla, duke kërkuar nga Interpoli që të rishikohet lista e fletë-arresteve për të cilat tashmë ka vendime shfajësuese nga instancat më të larta të drejtësisë ndërkombëtare.

Kryeministri Mustafa, në mes tjerash, shprehu brengosjen e tij lidhur me ndalimin e ish-kryeministrit të Kosovës dhe deputetit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.

Mustafa e ripërsëriti se nuk ka asnjë arsye që Haradinaj edhe më tutje të përballet me situata të tilla, sidomos kur kemi parasysh se pafajësia e Haradinaj është dëshmuar edhe në gjykatat ndërkombëtare.

“Të dy kryeministrat shprehën gatishmërinë që bashkërisht të punojnë në drejtim të evitimit të situatave të tilla, duke kërkuar nga Interpoli që të rishikohet lista e flet-arresteve për të cilat tashmë ka vendime shfajësuese nga instancat më të larta të drejtësisë ndërkombëtare”, thuhet në komunikatë.

Kryeministri slloven, Cerar i premtoi kryeministrit Mustafa se procedurat ndaj Haradinaj do të zhvillohen sa më shpejt dhe në përputhje të plotë me ligjin dhe detyrimet ndaj Interpolit, përderisa kryeministri Mustafa apeloi te homologu Cerar që z. Haradinaj t’i mundësohet kthimi sa më parë në Kosovë.

HARADINAJ MUND TË NDALOHET EDHE NË SHQIPËRI
Arrestimi i Ramush Haradinajt në Aeroportin e Lubjanës në Slloveni nxjerr edhe një herë në pah se autoritetet serbe kanë “nxirë” shumë prej figurave të luftës, aktualisht në pushtet, duke i futur në listat e Interpolit në të katër klasifikimet.

Specialistë të Policisë Kufitare në Morin të Kukësit kanë bërë të ditur për “Kohen Ditore” se ndaj shumë liderëve aktualë, ish­figura dhe komandantë të luftës në Kosovë, mund të kishin vepruar si në Lubjanë, por megjithëse kanë rezultuar “pozitiv” janë lënë të lirë falë dashamirësisë së shtetit shqiptar, ku inspektorët e Interpol­Tirana kanë gjetur mënyrat e duhura për të bindur kolegët e tyre në Lion të Francës për t’i lënë të lirë, shkruan sot “Koha Ditore”. Në pikëkalimin kufitar të Morinit, thekson specialisti, kanë rezultuar “pozitiv” apo më të “kuqe” edhe figura si Naser Shatri, Ruzhdi Saramati, Azem Syla, etj., por që janë lënë të lirë falë mirëkuptimit të shtetit shqiptar. Shumë prej këtyre figurave kalojnë në Shqipëri edhe me eskortë pa qenë e nevojshme që të kontrollohen.

GJYKATA SLLOVENE VENDOS SOT PËR HARADINAJN
Gjykata e Krajnit në Ljubjanë pritet të marrë sot një vendim për Ramush Haradinajn, që edhe pse u lirua, pasaporta e tij mbahet e bllokuar nga autoritetet sllovene. Ky zhvillim ka tensionuar marrdhëniet mes dy vendeve. Ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi ka thënë se ndalimi i Haradinajt mund t’i dëmtojë këto marrëdhënie. “Ne besojmë se autoritetet në Slloveni nuk do të bëjnë veprime të tilla që cenojnë raportet tona. Mbi bazën e fletarresteve politike nuk mund të merren veprime të tilla të pakuptimta”­ka thënë Rexhepi. Ndërkohë, ambasadori i Sllovenisë në Kosovë, Miljan Majhen, ka theksuar se ndalimi i Haradinajt nuk është politik, por është në bazë të fletarrestit ndërkombëtar.

SHAIP MUJA: T’I SHKËPUSIM TË GJITHA RAPORTET BIZNESORE ME SLLOVENINË
Deputeti i pavarur, Shaip Muja në seancën e jashtëzakonshme lidhur me ndalimin e Ramush Haradinajt në Slloveni dorëzoi pasaportën diplomatike, duke thënë një pasaportë e tillë nuk vlen fare. Shaip Muja e ka quajtur të turpshëm reagimin e shtetit karshi shkeljes së të drejtave të Haradinajt, në Slloveni. Muja është zotuar se ai do t’i ndërpresë të gjitha raportet e tij biznesore me Slloveninë dhe ka bërë thirrje tek të gjithë qytetarët dhe institucionet ta bëjnë të njëjtën.
“Ne duhet shumë shpejtë të shohim cdo ratifikim që e kemi bërë me Slloveninë dhe t’i anulojmë dhe kërkoj në këtë seancë të sillen të gjitha ratifikimet që i kemi nënshkruar me Slloveninë”, ka thënë Muja.
“Duhet t’i ngrijmë të gjitha raportet dhe të bëjmë një aktakuzë drejtuar kryeprokurorit të Republikës së Kosovës dhe ta padisim Vucicin, Dacicin dhe të gjithë ata që i fshehin krimet që janë bërë karshi viktimave kosovare”, ka thënë më tej Muja.

(ed.me/m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb