TIRANË

Gazetari Mentor Kikia thotë se nuk është e justifikuar që në gjykatën e Përmetit me një gjyqtar të investohen 1.5 mln euro. Në emisionin “Open” në News24, duke folur për hartën e re gjyqësore, Kikia tha se nëse nisemi nga largësia me kilometra dhe një banor i Zallbastari është 65 km nga Tirana, por kjo nuk do të thotë se duhet të çojmë gjykatë në Zallbastar. Ndërkohë kreu i Dhomës së Avokatisë së Tiranës Fatmir Braka tha se nuk janë marrë parasysh sugjerimet e avokatëve.

Kikia: Ju mendoni që të jetë e justifikuar një gjykatë dhe një prokurori në Pukë, ndjesë se nuk dua të persekutoj banorët e kësaj zone, por nga ana administrative, ekonomike justifikohet ekzistenca e një gjykate dhe një prokurorie në Pukë, në Përmet me këtë numër banorësh?

Braka: Mund të ketë shkurtime, por nuk mund të bëhet në mënyrë drastike.

Kikia: Ju keni pasur një ofertë, një propozim konkret çfarë sugjeroni dhe pse e kundërshtoni?

Braka: Në 6 tavolina të rrumbullakta, me materiale shkencore. Një propozim ka qenë nga Dhoma Kombëtare e Avokatisë që të mos jenë 6 Gjykata Apeli, por jo dhe 1, por të bëhen 4.

Kikia: Për shkallën e parë?

Braka: Për shkallën e parë ka pasur mendime, për shembull për Sarandën ngulëm këmbë që duhet të jenë. Problemi është që…

Kikia: Problemi këtu është se ne po flasim për emra konkretë. Është mbyllur në Pukë, në Përmet, Kavajë, në Pukë.

Braka: Bëmë shumë takime, folëm për shumë gjëra dhe dhamë sugjerime, nuk po flasim për Pukën apo Përmetin dhe nuk është marrë parasysh asgjë. Ky është problemi. Ne na thërritën për të thënë që u konsultuam me grupet e interesi, kur të vejë materiali.

Kikia: Është procedurë.

Të gjitha gjykatat e qyteteve të vogla janë nën normën e gjykatësve të tjerë. Nëse flasim për normë pune, në Elbasan dhe Lezhë, gjykatësit kanë një normë pune mbi 400% më të lartë se të Përmetit apo një qyteti tjetër. Gjykatat e vogla, me një gjykatës, me 2 sekretare dhe një kryesekretarë nuk do justifikojnë dot investime në nivel makro për të aplikuar dhe teknologjinë. Përqendrimi i gjykatave duhet të ishte pjesë e reformës.

Për mua nuk është e justifikuar që në gjykatën e Përmetit me një gjyqtar qeveria nesër të investojë 1.5 mln euro.

Nëse ka një standard që aplikohet se sa larg duhet ta ketë një qytetar gjykatën, është tjetër gjë. Ne kemi një popullsi të shpërndarë të gjithë territorin e vendit. Dhe në Tiranë e ke banorin e Zallbastarit 65 km që këtu, por nuk do të thotë të çojmë gjykatë në Zallbastar. Duhet adresuar realisht çfarë duhet kërkuar. Jam shumë dakord çështjes së reduktimit të një të vetme gjykatës së Apelit.

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb