Një debat është hapur në Shkodër mbi figurën e Hasan Riza Pashës nëse ishte mbrojtës i Shkodrës apo një pushtues i Perandorisë Osmane. Ambasada e Turqisë në Shqipëri përkujtoi në Shkodër 109-vjetorin e fitores në luftën e Çanakalesë, një ndër betejat më të mëdha në luftën e parë botërore. Turqia u shpall fituese përballë ushtrisë angleze dhe franceze. Ambasadori turk në Shqipëri Tayyar Atay këtë ngjarje e përkujtoi te lapidari i Hasan Riza Pashës të cilin e quajti mbrojtësi i Shkodrës.

“Si çdo vit jemi përsëri bashkë këtu në Shkodër, pranë monumentit të Hasan Riza Pashës i vetmi në gjithë Shqipërinë, mbrojtësit të Shkodrës për të festuar këtë fitore të madhe në 109 vjetorin e luftës në Çanakale dhe për të përkujtuar të gjithë dëshmorët tanë. Hasan Riza Pasha edhe pse me mungesa të shumta mbrojti me heroizëm qytetin e Shkodrës, është një komandant që ka një vend të veçantë jo vetëm në zemrat e popullit turk por edhe në atë të kombit shqiptar. Nga ana tjetër fitorja e Çanakale tregoi se populli turk me dashuri dhe vendosmëri për atdheun mund të kapërcejë kushtet e pafavorshme dhe se kjo fitore ishte një pikë kthese ku shpirti luftarak i kombit tonë ndriçoi rrugën në luftën për Pavarësi dhe krijimin e Republikës. Hymë në 100 vitet e ardhshme nga Pavarësia e Turqisë me të njëjtin përkushtim dhe ndjenja të forta. Sot festojmë edhe 103 vjetorin e himnit tonë kombëtar, i themeluar nga Mehmet Akif Ersoy poeti me origjinë shqiptare, një figurë shembullore dhe krenari për të dy kombet tona. U prefshin të paqe të gjithë heronjtë që bënë të mundur që Republika jonë të vijë deri në ditët e sotme”, tha ambasadori.

Ndërkohë një pjesë tjetër, si famullitari i Kukelit në Vau Dejës dom Nikë Ukgjini e cilëson Hasan Riza Pashën si një pushtues në vendin tonë dhe luftën e Çanakalesë si një ngjarje që nuk na përket pasi në atë betejë humbën jetën 25 mijë shqiptarë.

  • foto galeri
  • foto galeri

“Lufta e Çanakalas, ose beteja e Gallipolit në prill 1915 deri më 9 janar 1916 në Turqi, nga njëra anë luftonin ushtritë Angleze dhe Franceze dhe në anën tjetër luftonte ushtria osmane me ndihmë nga Austro-Hungaria dhe Gjermania. Në këtë beteje, pësuan pa ndonjë arsye të logjikshme tragjikisht rreth 25.000 shqiptar, kryesisht të shpërngulur dhunshëm para vitit 1912 në Turqi dhe të tjerë të organizuar nga disa qytete të trojeve arbërore. Me këtë rast në rolin e një intelektuali, shtrojë pyetjen, perse na u dashka kjo ngjarje nga Ambasada Turke të përkujtohej në Shkodër e pikërisht të përkujtimorja e komandantit pushtues, Hasan Riza Pasha, e ngritur para disa viteve në mënyrë enigmatike !? Përgjigjen i takon të jap Ministria e Punëve të Jashtme e Shqipërisë dhe pushteti lokal në Shkodër”, shkruan kleriku i kishës katolike Ukgjini i cili është një studiues i ngjarjeve historike. Ukgjini reagoi edhe në fillim të muajit mars për një tjetër aktivitet të autoriteteve turke në universitetin e Shkodrës mbi figurën e Hasan Riza Pashës.

Për Turqinë, Hasan Riza Pasha tregoi një heroizëm të veçantë në mbrojtje të Shkodrës thotë Mahmut Çevik, zëvendës kryetar i TIKA-s në shtetin turk.

“Përkujtojmë me mëshirë fitoren e madhe të Çanakale 109 vite më parë. Fitorja e Çanakale është një ndër të dhënat më të rëndësishme të dashurisë së kombit turk për atdheun. Vendosmëri për të jetuar të lirë dhe të pavarur. Kjo fitore e madhe është ndër ngjarjet më të rëndësishme të historisë botërore nga e cila duhen nxjerrë mësime. Njerëzimi e pa në Çanakale se të qenurit superior numerikisht nuk është një garanci e fitores. Historia nuk është një grup ngjarjesh të kaluara por është një gjë e gjallë që ndikon në të ardhmen me atë që ndodh. Fitorja e Çanakale e cila ndryshoi rrjedhën e luftës së parë botërore, përshpejtoi kolapsin e Rusisë cariste, çoi në një ndryshim të qeverisë në Angli dhe eliminoi besimin se forcat perëndimore ishin të pathyeshme. Është gjithashtu një deklaratë për botën se tapitë e pronësisë së ngushticës të Boazit dhe Anadollit i përkasin kombit turk. Jo vetëm kombi turk mysliman por edhe popujt që ishin koloni myslimanë dhe jo muslimane e pranuan këtë fitore si shembull për çlirimin e tyre. Eposi i Çanakale është një fitore e arritur me besimin dhe solidaritetin e gjithë gjeografisë osmane. Hasan Riza Pasha tregoi një heroizëm të veçantë për Shkodrën dhe e përkujtojmë me respekt dhe po ashtu gjithë heronjtë nga Ballkani që luftuan në Çanakale”, tha Çevik.

Në përkujtimin e luftës së Çanakalesë në Shkodër munguan drejtuesit vendor duke vendosur që të mos marrin pjesë. Lufta e Çanakalesë u zhvillua nga 25 prilli i vitit 1915 deri më 9 janar 1916 në Turqi duke qenë ndër betejat më të mëdha në luftën e parë botërore përballë ushtrisë angleze dhe franceze e cila u mbyll me fitoren e turqve në një luftë që mori jetën e afro 280 mijë personave mes të cilëve 25 mijë shqiptarë.
(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: