KOSOVE-Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi ka mbajtur sot konferencë për media, ku ka thënë se marrëveshja me Serbinë i siguron Kosovës njohjen nga Serbia.

Kreu i shtetit ka thënë se nuk do të ketë ndarje të Kosovës, por se do të ketë kujdes më të afirmuar për serbët e Kosovës. Ky kujdes ndaj serbëve sipas tij, nënkupton respektim të plotë të standardeve të këtij komuniteti.

“Respektim i plotë sipas standardeve më të larta të komunitetit serb, sipas standardeve më të larta evropiane që ata të ndihen komod, mirë dhe të rehatuar për të jetuar në Kosovë dhe për t’u integruar në institucione, pa të drejtën e vetos sepse ne nuk mund të mbesim edhe më tutje të bllokuar edhe më tutje nga një grup i tillë parlamentar apo pse është shkruar diçka e tillë në dokumentin e Ahtisarit”, deklaroi Thaçi, raporton “Zeri.info”.

Ai më tej, tha se me arritjen e marrëveshjes finale do të ndryshohet edhe dokumenti i Ahtasarit.

“Ne duhet ta kuptojmë se në rast të arritjes së marrëveshjes Kosovë-Serbi, me njohje reciproke, do të ndryshohet edhe kushtetuta e Kosovës, do të plotësohet dhe ndryshohet edhe dokumenti i presidentit Ahtiasari dhe do të kemi një dokument të përputhshëm me realitetin e ri që do të krijohet”, tha kreu i shtetit.

(BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: