Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së, Pete Hegseth, të mërkurën përsëriti kërcënimet e qeverisë amerikane ndaj Iranit , duke deklaruar se ushtria amerikane është e përgatitur ta godasë fort Teheranin nëse nuk arrihet një marrëveshje për t’i dhënë fund konfliktit midis dy vendeve. Deklaratat e tij erdhën disa orë pas paralajmërimeve të ngjashme nga Presidenti i SHBA-së, Donald Trump .

Duke iu drejtuar zyrtarëve të Komandës Qendrore të SHBA-së (CENTCOM) në Tampa të Floridës, Hegseth theksoi se udhëheqja ushtarake amerikane po punon me qëllimin e vetëm për të zbatuar objektivat e Shtëpisë së Bardhë.

“Ne jemi absolutisht të përkushtuar ndaj rezultatit që presidenti dëshiron në emër të popullit amerikan dhe kemi bërë përparim të konsiderueshëm. Siç tha presidenti sot, nëse ata nuk do të bëjnë një marrëveshje, atëherë ne do t’i godasim fort”, tha ai.

Sekretari i Mbrojtjes i SHBA-së vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë bërë tashmë përparim në operacione dhe përpjekje diplomatike, por e bëri të qartë se Uashingtoni mbetet i gatshëm të përshkallëzojë presionin ushtarak nëse Teherani nuk i përmbush kërkesat e tij.

Komentet e Hegseth pasuan deklaratat e reja të Donald Trump, i cili akuzoi Iranin se po i vononte shumë negociatat.

Në një postim në mediat sociale, presidenti amerikan shkroi se Teherani “zgjati shumë për të negociuar një marrëveshje që do të kishte qenë shumë e mirë për ta” dhe paralajmëroi se “tani do të duhet të paguajnë çmimin”.

Pak kohë më vonë, duke folur nga Zyra Ovale, Trump u tha gazetarëve: “Do t’i godasim, do t’i godasim shumë fort”.

Në të njëjtën kohë, ai pohoi se forcat amerikane e kishin goditur Iranin një ditë më parë dhe se operacionet do të vazhdonin.

“Ne i goditëm ata fort dje dhe do t’i godasim përsëri fort sot”, tha ai, duke përsëritur thirrjen e tij drejtuar udhëheqjes iraniane që të vazhdojë me nënshkrimin e një marrëveshjeje.

Nga ana e tij, Presidenti iranian Masoud Pesekian u përgjigj nëpërmjet një postimi në platformën X, duke deklaruar se vendi i tij “do të mbetet i palëkundur përballë çdo presioni apo kërcënimi”.

Në të njëjtën kohë, zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme iraniane, Esmail Baghaei, akuzoi Shtetet e Bashkuara për minimin e procesit diplomatik përmes mesazheve kontradiktore, ndryshimeve të vazhdueshme në qëndrime dhe shkeljeve të përsëritura të armëpushimit.

Ai tha se Teherani po shqyrtonte faktet e situatës, duke argumentuar se çdo proces diplomatik kërkon një nivel minimal stabiliteti dhe parashikueshmërie.

© BalkanWeb
Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb