Në fillim të gushtit, Ministria e Infrastrukturës dhe Energjisë prezantoi një paketë ligjore si pjesë të ambicies për transformimin e sistemit hekurudhor në vend; sektor i zhytur prej dekadash në amortizim dhe humbje ekonomike.

Propozimet plotësojnë kuadrin nënligjor të Kodit Hekurudhor të Shqipërisë, i miratuar në vitin 2016 si detyrim i Planit Kombëtar të Integrimit Europian dhe përafrimit të legjislacionit shqiptar me atë të Bashkimit Europian.

Në njërin prej 5 drafteve, Ministria propozon ndarjen e Hekurudhës Shqiptare dhe ngritjen nga hiri i saj i katër shoqërive aksionere, të cilat do të menaxhojnë më vete infrastrukturën, transportin e udhëtarëve, atë të mallrave si dhe mjetet lëvizëse aktuale.

Megjithatë, paketa ligjore e qeverisë nuk i jep zgjidhje dilemës shumëvjeçare nëse Shqipëria duhet apo jo të mbajë në këmbë gjigandin e ndryshkur hekurudhor, i cili zvarritet prej dekadash me humbje dhe i kushton taksapaguesve shqiptarë miliona euro për paga.

Të dhënat e siguruara nga BIRN përmes një auditi të Kontrollit të Lartë të Shtetit, një hetimi të Prokurorisë si dhe dy vendimeve të gjykatës tregojnë se shoqëria Hekurudha Shqiptare, HSH mbijeton prej vitit 2007 falë subvencionit të dhënë nga buxheti i shtetit – i devijuar në shkelje të dyshuar të ligjit si fond pagash për qindra punonjësit e vet.

Çdo vit, qeveria shqiptare i akordon shoqërisë HSH rreth 400 milionë lekë subvencion për rimbursimin e biletave të udhëtarëve dhe përgjatë 10 viteve llogaritet një vlerë prej më shumë se 36 milionë eurosh në total.

Vetëm për periudhën 2014-2017, KLSH evidenton se Hekurudha ka marrë 1.2 miliardë lekë  [rreth 10 milionë euro] dhe i ka shpenzuar për paga dhe sigurime shoqërore në kundërshtim me disiplinën buxhetore dhe legjislacionin përkatës.

Auditi i KLSH-së zbuloi gjithashtu se ndërsa pretendon se është në kolaps ekonomik, Hekurudha kishte tejkalim të numrit të punonjësve, ndërsa akuzohet se ka shpërdorur para për pagesa të faturave “fantazmë” si dhe ka shmangur procedurat tenderuese në kundërshtim me ligjin.

Gjendja aktuale e Hekurudhës dhe perspektiva e saj gjejnë pak hapësirë në paketën ligjore të propozuar nga ekzekutivi. Në mungesë të planeve për zhvillim, Ministria e Infrastrukturës duket megjithatë e prirur të ruajë status quo-në, duke legjitimuar edhe “de jure” përdorimin e subvencionit si fond pagash.

“ Në programin Buxhetor Afatmesëm 2020-2022 është parashikuar fondi 400,000,000 lekë për mbështetjen e Sektorit të Hekurudhës HSH. Aktualisht me këtë fond mbulohen shpenzimet për paga/sigurime shoqërore përkatësisht për punonjësit ekzistues të administratës që do të shpërndahen në katër shoqëritë e reja që dalin nga ristrukturimi,” thuhet në projektligjin “Për ndarjen e Hekurudhës Shqiptare”.

Ndërsa kompanitë e reja aksionere pritet të trashëgojnë asetet dhe punonjësit e shoqërisë e HSH, Ministria e Infrastrukturës nuk parashikon të shpenzojë asnjë lek shtesë nga buxheti i shtetit për projektin e saj të transforimit të transportit hekurudhor.

“Hekurudha do të mbyllej”

Drejtoria E Përgjithshme E Hekurudhave Durrës 1 600x338
Drejtoria E Përgjithshme E Hekurudhave Durrës 1 600×338

Sistemi hekurudhor në Shqipëri, simbol i lëvizjes së udhëtarëve gjatë sistemit komunist, menaxhohet prej vitit 2000 nga një shoqëri aksionere e quajtur Hekurudha Shqiptare në pronësinë e Ministrisë së Financave dhe Ekonomisë.

Në inventarin e saj numërohen 25 lokomotiva, 66 vagona udhëtarësh dhe 225 vagona mallrash, por sipas të dhënave të publikuara nga Instituti i Transportit ka një rënie drastike të transportit në të dyja kategoritë.

Gjatë vitit 2018 udhëtuan me tren nëpër Shqipëri rreth 76 mijë pasagjerë dhe 199 mijë ton mallra; shifra këto më shumë se të përgjysmuara nga viti 2014. Linjat hekurudhore janë tejet të amortizuara dhe gjendja është e njëjtë edhe për trenat e vjetër, gjë që tregon mungesën e theksuar të investimeve në 25 vitet e fundit.

Me 1 milion dollarë humbje në vit, Hekurudha – e cila është shigjetuar në të shkuarën si “fabrikë punësimesh politike” numëron megjithatë 999 punonjës.

Nga viti 2010, shoqëria ka shkurtuar 678 punonjës dhe ndonëse planet për ristrukturim kanë qenë të shpeshta, ato kanë mbetur në vendnumëro.

Në qershor 2018, Kontrolli i Lartë i Shtetit kallëzoi në Prokurorinë e Durrësit problemet e konstatuara gjatë një raporti auditi mbi shkeljet ligjore në përdorimin e subvencionit, mangësitë e konstatuara në procedurat e prokurimeve si dhe në likujdimin e pagesave për kompanitë e ruajtjes fizike.

Sipas KLSH-së, HSH nuk ka zbatuar procedurat ligjore për subvencionin prej 1.2 miliardë lekësh dhe e ka devijuar atë për të mbuluar fondin e pagave dhe sigurimeve shoqërore, në shkelje të tre ligjeve, një VKM-je dhe dy vendimeve të Komisionit të Ndihmës Shtetërore.

Në hetimin e saj, Prokuroria e Durrësit bie dakord me KLSH-në për shkeljen e disiplinës buxhetore për subvencionin me vlerë 1.2 miliardë lekë, por kërkoi pushimin e hetimeve me argumentin se nuk gjendej përballë veprës penale të shpërdorimit të detyrës.

Hetimi fajëson institucionet kontrolluese që e kanë miratuar në heshtje devijimin e fondit, por që edhe në këtë drejtim nuk janë konstatuar persona përgjegjës.

“Nga ana e Hekurudhës për vitet 2015 deri 2017 janë dërguar zyrtarisht kontratat për marrjen e subvencionit në Ministrinë e Transporteve dhe Infrastrukturës, ku konstatohet se ministrat përkatës nuk i kanë nënshkruar këto kontrata, por sidoqoftë subvencioni është miratuar me ligjet e buxhetit të shtetit ndër vite dhe është lëvruar dhe ka vazhduar të jepet në vazhdimësi nga Ministria e Financave dhe Thesari,” konstaton prokurori i çështjes, Edmond Koloshi.

Drejtues të Hekurudhës, të marrë në pyetje nga Prokuroria janë justifikuar me faktin se përdorimi i subvencionit për paga dhe sigurime shoqërore i ka zgjatur jetën sistemit, pasi në të kundërt ndodheshin përballë dy opsioneve; ose të rrisnin çmimin e biletave ose të ndërprisnin për fare shërbimin publik.

“Të dyja këto opsione nuk kanë qenë pjesë e vendimarrjes së Hekurudhës, por kanë qenë mundësi dhe zgjedhje për Qeverinë shqiptare dhe organeve që ajo ka caktuar për mbikqyrjen e hekurudhës,” citohet të ketë thënë juristi i shoqërisë.

Të njëjtin qëndrim ka mbajtur edhe ish-administratori i shoqërisë, Ilir Dashi, i cili ka pohuar se kjo mënyrë është pranuar edhe nga Ministria e Transporteve dhe ajo e Financave, për shkak se vetë Hekurudha nuk arrinte të mbulonte fondin e pagave për punonjësit.

“Nëse nuk do të veprohej në këtë mënyrë, atëherë Hekurudha Shqiptare do të mbyllej si shoqëri dhe aktivitet prej kohësh, por ka qenë interes i shtetit shqiptar që ta mbajë aktiv shërbimin hekurudhor, kjo edhe për shkak të perspektivës së saj,” citohet të ketë thënë Dashi në prokurori.

Rreth 8 muaj pas nisjeve të hetimeve, Prokuroria e Durrësit i kërkoi gjykatës pushimin e hetimeve të procedimit penal. Por argumentet e parashtruara nuk e bindën gjyqtarin Paulin Çera, që e vlerësoi kërkesën të pabazuar dhe vendosi që aktet të rikthehet në Prokurori për hetime të tjera.

Gjykata arriti në këtë konkluzion pasi konstatoi se nuk është kryer akti i ekspertimit kontabël për të përcaktuar se cila ka qenë gjendja financiare e shoqërisë HSH, krediti dhe debiti i saj si dhe destinacioni i subvencionit të dhënë nga shteti për këtë shoqëri të audituar e të kallëzuar nga ana e Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Prokuroria zgjodhi që të mos e rihapte hetimin, por t’i drejtohej Gjykatës së Apelit të Durrësit me një ankesë kundër vendimit të shkallës së parë. Më 15 maj 2019, trupa gjyqësore e Apelit të Durrësit e përbërë nga Izet Dushaj, Anita Mici dhe Arben Vrioni vlerësoi se vendimi i Gjykatës së Shkallës së Parë Durrës nuk është i bazuar në prova dhe në ligj.

Sipas Apelit, akti i ekspertimit ishte i panevojshëm pasi “përcaktimi i të ardhurave dhe shpenzimeve të hekurudhës” nuk ka lidhje me hetimin e kësaj çështje.

“Objekti hetimi ka qenë ndryshimi i destinacionit të subvencioneve të dhëna nga shteti në vlerën 1,230,000,000 lekë,” thuhet në vendimin e Apelit.

“…çmojmë se në rastin konkret rezulton e provuar se veprimet nuk janë kryer për qëllim përfitimi apo abuzimi me detyrën, por janë kryer me qëllim të drejtpërdrejtë shlyerjen e pagave dhe sigurimeve shoqërore të punonjësve të H.SH. dhe qëllim të përgjithshëm mbajtjen në funksion të shërbimit hekurudhor në Republikën e Shqipërisë, pasi prej dhjetra vitesh kjo shoqëri është me bilanc negativ dhe punonjësit e saj paguhen me pagë minimale,” përfundon vendimi i Apelit.

 Kontrata “fantazmë”

Kontrolli I Lartë I Shtetit 1 600x338
Kontrolli I Lartë I Shtetit 1 600×338

KLSH e kallëzoi Hekurudhën edhe për faktin se ish-drejtues të shoqërisë kanë likuiduar fatura për shërbim me roje private, të cilat nuk janë firmosur nga blerësi, nuk ishte përcaktuar vendi i kryerjes së shërbimit, nuk janë shoqëruar me procesverbale dhe me dëm të llogaritur në vlerën e 115 mijë eurove.

Kontratat lidheshin me ruajtjen e stacioneve të hekurudhës në Përrenjas dhe Durrës nga kompanitë Madid dhe Therepeli, por edhe për këtë pjesë të kallëzimit, Prokuroria e Durrësit nuk ka gjetur persona përgjegjës.

Ndërkohë, drejtuesit e Hekurudhës u mbrojtën para Prokurorisë me argumentin se kompanitë ishin paguar me vonesë për shkak të gjendjes së keqe financiare dhe se procedurat e tenderimit ishin shmangur për shkak të mungesës së fondeve në dispozicion.

Ish-drejtuesi i Njësisë së Biznesit, E.D i tha Prokurorisë se shtesat e kontratës ishin bërë me pëlqimin e administratorit të Hekurudhës, pasi nuk disponoheshin fonde për të hapur procedurën e tenderimit.

“Unë i jam drejtuar disa herë me shkresë administratorit të shoqërisë që të hapë procedurat e tenderimit, por nga ana e tij është kthyer përgjigje që të bënim shtesat e kontratave, me qëllim që të mos liheshin në mëshirë të fatit një numër lokomotivash që ishin në konservim në stacionin e Përrenjasit,” ka pretenduar ai.

Një tjetër punonjëse e Hekurudhës, e cila mbante postin e shefes së financës ka dhënë një arsye tjetër mbi pyetjen se pse janë paguar fatura pa u firmosur nga administratori i shoqërisë.

“Përsa i përket mosfirmosjes së faturës nga ana jonë theksoj se midis administratorit të shoqërisë Therepeli dhe administratorit tonë kishte divergjenca për shkak të mospagesës në kohë të shërbimit të kryer. Faturat vinin me postë dhe ktheheshin përsëri, për shkak të problemeve të mësipërme,” ka thënë ajo.

Zyrtarët e Hekurudhës, të cilët u pyetën nga Prokuroria u ankuan për andrallat e shumta për shkak të problemeve ekonomike, të tilla si pagesat me vonesë të faturave, bllokimin e të gjitha llogarive në banka për shkak të detyrimeve të papaguara si dhe mungesës së vazhdueshme të fondeve për të kryer procedura të rregullta prokurimi.

Prokuroria e Durrësit në hetim nuk rezulton të ketë dalë me konkluzion për këto raste, megjithëse ishin referuar si indicie për shkelje penale nga Kontrolli i Lartë i Shtetit duke proceduar përfundimisht me mbylljen e hetimit./BIRN

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb