Prokurorët kanë hequr disa nga akuzat ndaj një gruaje australiane të akuzuar për vrasjen e tre të afërmve dhe plagosjen rëndë të një tjetri përmes një dreke me kërpudha helmuese. Erin Patterson nuk do të përballet me gjyq për akuzat se ka tentuar të vrasë bashkëshortin e saj, pasi këto akuza janë tërhequr.
Ajo ende përballet me katër akuza: tre për vrasje dhe një për tentativë vrasjeje. 50-vjeçarja ka pretenduar gjithmonë pafajësinë e saj. Gjyqi i saj pritet të fillojë të mërkurën në Gjykatën e Lartë të Viktorias. Tre persona ndërruan jetë në spital disa ditë pas drekës në korrik të vitit 2023, përfshirë ish-vjehrrin dhe ish-vjehrrën e Patterson, Don Patterson, 70 vjeç, dhe Gail Patterson, 70 vjeç, si dhe motrën e Gail, Heather Uilkinson, 66 vjeç.
Bashkëshorti i Heather, pastori baptist 68-vjeçar Ian Uilkinson, mbijetoi pas disa javësh trajtimi në spital. Juria është përzgjedhur dhe po merr udhëzime nga gjyqtari para se të nisin deklaratat hapëse, të cilat priten të mërkurën.
Gjyqtari Christopher Beale i tha jurisë se shumica prej tyre ndoshta kishin dëgjuar për akuzat e mëparshme ndaj bashkëshortit të Patterson, por theksoi se Prokuroria i kishte hequr ato.
Ai gjithashtu i kërkoi jurisë që të vlerësojë provat “në mënyrë të paanshme”, duke përdorur arsyen dhe jo ndjenjat. Gjyqi po zhvillohet në një gjykatë të vogël në Moruell, rreth 60 km nga Leongatha, Victoria, ku prokurorët pretendojnë se është shtruar dreka helmuese.