NGA: ERMELINDA HOXHAJ*
Hepatitet janë një ndër vrasësit kryesorë të shqiptarëve, por edhe në mbarë botën. Sipas të dhënave të OBSH (Organizatës Botërore të Shëndetësisë) hepatitet janë shkaktarë të 2.7% të vdekjeve në nivel botëror dhe parashikimet janë që të renditen ndër shkaktarët kryesorë të vdekjeve në dy dekadat në vazhdim. Ndaj me të drejtë hepatitet konsiderohen si një ‘epidemi e heshtur’. Shqetësim hepatitet, sidomos hepatiti B dhe C, janë edhe në vendin tonë, pasi sipas të dhënave të Institutit të Shëndetit Publik, ISHP, të rrezikuar janë 10% e shqiptarëve. Pra 1 në 10 persona është i rrezikuar nga infeksioni i hepatiti viral. Specialistët e ISHP, sqarojnë se: “Hepatiti B sot është një problem për shëndetin publik edhe në Shqipëri. Nga studimet e kryera në popullatën e përgjithshme rezulton se hepatiti B, ka një prevalencë 7-9% dhe hepatiti C, një prevalencë 0.5-1%, duke mbetur kështu një vend endemik për hepatitin viral B, krahasuar kjo dhe me vendet e rajonit”. Sipas saj gati 80% e rasteve me kancer në mëlçi shkaktohen pikërisht nga infeksioni i hepatiti B dhe C. Ndërsa më të rrezikuar sipas mjekëve janë disa kategori, por kryesisht janë personat e droguar dhe marrin drogë intravenoze si dhe personat që kanë një jetë të ‘shthurur’ seksuale, me shumë partnere apo partnerë të rastësishëm.

HEPATITET
“Hepatiti është infeksioni i mëlçisë i njohur si verdhëza. Ekzistojnë disa lloj hepatitesh, A, B, C, D dhe E, në vartësi të llojit të virusit që i shkakton. Hepatitet janë sot një problem i shëndetit publik mbarëbotëror, për shkak të barrës së sëmundshmërisë dhe vdekjes që ato shkaktojnë. Testimi për hepatitin B dhe C mund të kryhet në çdo laborator mikrobiologjik/ imunologjik në sektorin publik siç janë laboratorët mikrobiologjike pranë Drejtorive të Shëndetit Publik në rrethe, spitale, qendra të këshillimit e testimit vullnetar si dhe në laboratorë apo klinika private. Çdo person që rezulton pozitiv megjithëse mund të mos ketë shenja klinike duhet të ndiqet nga mjeku specialist përkatës, i cili do të sugjerojë kryerjen e testeve të mëtejshme”,- sqarojnë specialistët e shëndetit. Mjekët japin alarmin se virusi i hepatitit B dhe C po paraqitet gjithnjë dhe më kërcënues për shëndetin e popullatës seksualisht aktive në Shqipëri, por edhe në mbarë botën. Pasi nga të dhënat rezulton se një në 10 persona në vendin tonë është i rrezikuar.

“Në Shqipëri ka një tendencë në rritje të hepatitit B dh C me një prevalencë rreth 7-9% për hepatiti B dhe 1 % për hepatitin C. Të dhënat tregojnë se 57% e rasteve të cirrozës së mëlçisë dhe 78% e rasteve me kancer në mëlçi janë pasojë e infeksionit të hepatiti B dhe C”,-tregojnë të dhënat e ISHP. Specialistët veçojnë si tepër shqetësues përhapjen e shpejtë të hepatitit tek përdoruesit e drogave intravenoze, si dhe tek personat që kryejnë marrëdhënie seksuale me shumë partnerë. “Personat më të rrezikuar nga virusi i hepatitit janë personat që injektojnë droga, personat që marrin gjak/produkte të gjakut të infektuara, fëmijët e lindur nga nënat e infektuara me virusin e hepatitit C, personat me partnerë seksualë të cilët janë të infektuar me virusin e hepatitit C si dhe personat të cilët kanë bërë tatuazhe apo pirsing. Virusi i hepatiti B është 50 deri në 100 herë më infektues se virusi i HIV-it, dhe reziston shumë në mjedisin e jashtëm. Ka edhe trajtim, por është shumë i kushtueshëm dhe për shumë njerëz është i papërballueshëm. Kushton qindra mijëra dollarë në vit. Vaksina e hepatitit B ka hyrë në vaksinimin bazë që ju bëhet fëmijëve. Dhe fëmijët të lindur që nga viti 1994 dhe në vazhdim janë të vaksinuar dhe të mbrojtur nga hepatiti B”,- bëhet e ditur nga ISHP.

TRANSMETIMI
Rrugët e transmetimit të virusit të hepatitit janë të njëjta me përhapjen e SIDA-s ndërkohë që në shumicën e rasteve njerëzit nuk e dinë se janë të sëmurë derisa sëmundja nuk është e dukshme. Hepatiti është një nga sëmundjet më të përhapura dhe të rënda infektive në botë, ku çdo vit rreth 1 milion vdekje i atribuohen hepatitit viral. Çdo njeri që bie në kontakt me gjakun apo lëngje të tjera të trupit të një personi të infektuar me virusin e hepatitit B është i rrezikuar të infektohet. Hepatiti nuk merret nga prekja, konsumim me të njëjtat enë kuzhine apo kollitja. Për sa i përket simptomave, infeksioni akut me virusin e hepatitit C është zakonisht asimptomatik. Periudha e inkubacionit për hepatit C është 2 javë deri 6 muaj. Pas infektimit fillestar, përafërsisht 80% e njerëzve nuk shfaqin asnjë simptomë. Ata njerëz që shfaqin shenja mund të kenë ethe, lodhje, rënie të oreksit, të përziera, të vjella, dhimbje barkut, urinë të errët, feçe të çngjyrosura në gri, dhimbje të kyçeve, si dhe zverdhje të lëkurës dhe të bardhës së syve.
(ed.me/Gazeta Shqiptare/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: