TIRANË

Prokurori i Përgjithshëm Olsian Çela i është përgjigjur sot interesit të gazetarëve për çështjen e operacionit të prokurorisë italiane kundër Ndragheta-s ku u zbuluan dhe përgjime që implikonin zyrtarë shqiptarë.

Çela deklaroi pas votimit për dy anëtarët e rinj të Këshillit të Lartë të Prokurorisë se ligji i ri iu mundëson të nisin kryesisht hetimet për çdo fakt penal për të cilin ata vijnë në dijeni.

“Prokurori i Përgjithshëm përgjatë gjithë vitit 2020, ka marrë të gjitha masat administrative të cilat garantojnë prokurorët për të hetuar në pavarësi të plotë. Kjo është detyrë e prokurorit të Përgjithshëm”, theksoi kryeprokurori.

Duket se po sulmoni prokurorë të caktuar të cilët nuk veprojnë për të nisur hetime për ngjarje kriminale apo raste korruptive?
Ky është ligji dhe është mirë që dhe media të nisë të kuptojë mekanizmat e legjislacionit. Sot kjo është garancia më e madhe që i është dhënë sistemit, i është dhënë drejtësisë, pavarësia e prokurorëve. Askush nuk mund t’i pengojë prokurorët sot, drejtuesit e prokurorisë të nisë hetimet për çështje të cilat janë në kompetencën e tyre lëndore dhe tokësore.

Po thoni që SPAK-u nuk po zbaton ligjin?
Këtë nuk e thashë. Sot është një ditë e rëndësishme sepse KLP i cili është organi që garanton karrierën e prokurorëve do të plotësohet me dy prokurorë të rinj. Ajo që është e rëndësishme dhe duhet të kuptohet nga prokurorët, është që marrëdhëniet që ata duhet të ndërtojnë me karrierën e tyre, me institucionet duhet të jenë marrëdhënie të transparencës dhe llogaridhënies dhe jo vetëm të tyre ndaj institucioneve, por edhe të institucioneve ndaj prokurorëve. Do vlerësoja shumë nëse prokurorët do të kishin iniciativën, të organizoheshin dhe do të kërkonin nga institucionet të cilat vendosin për karrierën e tyre të kërkonin nga ta të ishin transparentë, të plotësonin standardet dhe të kishte një lloj qasje proaktive të vazhdueshme jo vetëm në ditën në të cilën kryhet votimi, por dhe në ditët që vijojnë deri në momentin që sërish ky Këshill apo Këshillat do të ripërtërijnë mandatin e tyre. Kështu duhet të funksionojnë institucionet.

Kjo do të thotë që ju po shfaqeni kritik ndaj KLP?
Ajo çfarë unë mendoj është që përtej garancisë që i është dhënë prokurorëve në drejtim të pavarësisë që ata kanë në marrjen e vendimeve, unë vlerësoj se sot sistemi i prokurorisë ka nevojë për rregullime të vogla ligjore të cilat do të krijojnë balancat e duhura mes institucioneve. Mendoj se sot ka një zhbalancim të dukshëm mes përgjegjësive institucionale dhe kompetencave të cilat institucionet kanë në bazë të ligjeve të reformës.

Ne si prokurori e Përgjithshme do të avancojmë me propozime konkrete për t’i zgjidhur çështjet të cilat janë të diskutueshme.

Ku konsistojnë këto ndryshime dhe propozime?
Unë vlerësoj se kolegjialiteti që ka sot prokuroria në administrim, fragmentarizimi i prokurorisë në mënyrën se si është konceptuar sot i krijon Prokurorisë një dobësi strukturore në mënyrën se si funksionon dhe kjo ka nevojë patjetër për përmirësime në legjislacionin ekzistues. Kështu e shikon Prokurori i Përgjithshëm situatën aktuale.

Është detyrë e çdo prokurori të jetë i përgjegjshëm para ligjit dhe institucionet duhet të kontrollojnë mënyrën se si ata plotësojnë detyrimet që ata kanë ndaj ligjit, ndaj qytetarëve.

A mendoni se prokurorët po abuzojnë me pavarësinë e tyre totale?
Kjo nuk është detyra ime ta jap këtë përgjigje. Sot kjo vjen si rrjedhojë e një sërë procedurash që lidhen me monitorimin e veprimtarisë së prokurorëve të cilat më pas pasohen me procedura disiplinore nëse ka elementë të cilët tregojnë për shkelje disiplinore nga ana e tyre dhe më pas vijojnë me të dhëna të cilat i shkojnë KLP që mund të marrë masa.

Ajo që Prokuroria e Përgjithshme do të marrë është një qasje proaktive në drejtim të monitorimit të veprimtarisë së prokurorëve, mënyrën se si ata zbatojnë ligjin procedural dhe material. Kjo është detyrë e prokurorit të Përgjithshëm në sistemin aktual. Se çfarë do të ndodhë më pas në vijim të këtyre monitorimeve, me mënyrën se si janë zbatuar udhëzimet e Prokurorit të Përgjithshëm, atëherë është çështje që do shikohet gjatë vitit.

(m.k/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb