TIRANË- Ka filluar të mendojë për vdekjen që pas operacionit të dytë për heqjen e gjirit, por pengu i saj më i madh janë dy djemtë, njëri 14 dhe tjetri 13 vjeç. Historia e dhimbshme e 39-vjeçares Ariana Gjika ishte pjesë e emisionit “Me Zemër të Hapur”, aty ku nëna e dy djemve rrëfeu për kancerin, me të cilin u diagnostifikua që në moshën 31 vjeçare.

Kjo sëmundje ka tetë vjet që e përndjek, i mori dy gjinjtë e po i përhapet në gjithë trupin, pa mundur ta ndalojë, pa mundur të kurohet për shkak të pamundësisë ekonomike. “Doktoresha më tha se duhet të ushqehesh mirë, pak mish, pak verë… Njëherë blemë pak mish unë nuk haja dot para tyre…Fëmijët nuk hëngrën e lanë vetëm për mua”.

Ajo jeton në skamje në një dhomë me kallama në fshatin Kozarë të Kuçovës bashkë me bashkëshortin dhe dy djemtë, vetëm me 90 mijë lekë të vjetra që merr nga kempi. Thotë se nuk i trembet vdekjes por vetëm varfërisë, skamjes ku do rriten dy djemtë. “Jam shumë e rënduar si nga gjendja shendetësore dhe kushtet ekonomike. Dua një ditë të jetoj edhe unë njëherë si shoqët…Mendoj vetëm për fëmijët kush do t’i rrisë”, shprehet Ariana.

“Sëmundja e saj do lekë, por ne nuk kemi mundësi që ta ndjekim me kontrolle pas operacionit”,- shprehet bashkëshorti.

Sëmundja dhe skamja e ka vënë poshtë, me lot në sy, e shoqëruar nga i biri 14-vjeçar Ariana thotë se nuk do t’i lërë fëmijët pa ujë e drita, ashtu si sot.

INTERVISTA E PLOTE
Si e kuptove sëmundjen?
Më doli një gjëndër në gjoks e pashë që më doli gjak, kjo gjëndje zgjati për dy apo tre javë…

Çfarë mendoje me veten tënde?
Thosha që diçka është, por prapë thosha që s’kam gjë unë…

Me kë e ndave këtë shqetësim?
Bashëkëshorti, më tha do shkosh për vizitë sado që nuk kemi lekë. Fëmijët i kisha të vegjël, njëri 5 dhe tjetri 4 por bëra vizitat në Berat. Bëra një vizitë dhe më tha duhet të shkosh në Tiranë, nuk më tha asgjë. Ndoshta kuptoi diçka.

Çfarë ndjeve?
Mendova që do të jetë dicka e rëndë…mjeku nuk u zgjat shumë

Çfarë ndjeve?
Mendova që do të jetë dicka e rëndë…mjeku nuk u zgjat shumë

Erdhe menjëherë në Tiranë apo e neglizhove?
Fillimisht shkova tek prindërit e mi në Lushnjë, edhe aty u vizitova ai më dha disa ilaçe po unë u mbusha me puçrra nga trupi…mendova që do më bënin mirë…Pastaj erdha në Tiranë, bëra vizitë dhe mamografi…kërcet gjak nga gjiri dhe aparati bëhet pis…Doktori flet me burrin, i thotë që duhet të heqësh një gjënder të vogël, por duhet të hiqja gjithë gjirin. Në e do nusen i tha doktori duhet ta heq të gjithë gjirin…

Ishe kontrolluar më përpara?
Nuk kisha bërë vizita më përpara… Kur dola nga salla e kuptova që nuk e kisha gjirin, më thanë për pak dhe më kishin hequr gjithë gjirin…por nuk isha e vetme, aty kishte edhe gra të tjera…

Sa luftove me dilemën që do jetoje pa njërin gji?
U mërzita që nuk më treguan të vërtetën..i thashë bashkëshortit dhe babit pse nuk më treguat??

Kur u riktheve në familje për të kuptuar se kishe edhe të dytin?
Pas 6 muajsh do fillonte kimioterapia…nuk ia uroj askujt

Kishe informacion?
E kisha me të dëgjuar, por kur e provon është ndryshe. Doktoresha më tha do t’i presësh pak flokët se do të bien. Më thoshte do bëhesh më mirë se ti je faqekuqe… Momenti i rënies së flokut që qënë shumë e vështirë. Sado që ishim zero nga ana ekonomike bashkëshorti më rrinte pranë.

Si ia shpjegove këtë situatë fëmijëve?
Doktoresha më tha se duhet të ushqehesh mirë, pak mish, pak verë… Njëherë blemë pak mish unë nuk haja dot para tyre…Fëmijët nuk hëngrën e lanë vetëm për mua

Sa zgjati kjo faza e kimioterapisë?
Zgjati 8 muaj, fillova të ndryshoj si njeri…u fryva. Falenderoj të afërmit që më kanë mbajtur fëmijët, prindërit më kanë mbështetur shumë sado që edhe ata nuk kishin gjendjen ekonomike.

Çfarë pasigurie kishe ti?
Shihja shumë, dëgjoja, ishalla jetoj mendoja…

Nuk pate mundësi të ndiqje ndonjë këshillë nga psikolgia e repartit të Onkologjikut?
Jo, por mjeku më ka mbajtur afër…

Po pjesa e rikuperimit?
Flokët filluan të rriteshin, mu bënë kaçurrela. Grave të tjera iu thosha mos shiko pamjen por shëndetin. Ju jepja kurajo edhe grave të tjera. Thosha do rri pa flokë vetëm të kem jetën…

Ku e ka zanafillën kjo kurajo jote?
Po kështu jam ndërtuar, jam tip i qeshur, i shoqëruar…

Por ti nuk ke bërë vetëm një operacion?
Kur kaluan 6 vite nga i pari mendova që ia hodha… Kam pasur stres por dhe keq nuk ka qënë. Kontrollohesha një herë në tre muaj…Kur shkoj që të bëj analizë më thotë diçka por isha vetëm…Më thotë për një gjendër në gjoksin tjetër. Lëshova djersë të ftohta, gati sa nuk më ra të fikët.

Ti e kishe kaluar një përvojë më parë…
Po, por thosha pse unë, pse prapë, mendova kushtet ekonomike, fëmijët e vegjël…

Çfarë bisedojë me shoqet?
I inkurajoja të bënin një vizitë, se e di çdo të thotë…

Iu nënshtrove edhe një operimi të dytë?
Po, ishte e vështirë po thashë do bëhem edhe njëherë e fortë. Bëja shaka me mjekët edhe qeshja…Kur hoqa të parën më thanë do shtysh 20 vjet…i thashë më ra prapë për 6 vjet…vendosa ta kaloj edhe këtë. Mendova që ishte me kaq, kur më thanë sërish për kimioterapi aty nuk u ndjeva mirë…

Si ia shpjegoje fëmijëve largimin tënd për kimioterapi?
Më pyesnin kur do vish… iu thosha që do vi për ca ditë

Si është gjendja tani?
Shumë e rëndë se më ka prekur mëlçinë, më ka prekur kockat…

Jeni e pakënaqur me pjesën e planifikimenve në shëndetësi?
Kuashtet që janë bërë tani po të them që më shumë hihemi se sa sqarohemi. Duhet çdo gjë me planifikim, por unë nuk vij dot çdo javë nga Kuçova kur sëmundja ime nuk pret. Më përpara mbarojë me dy ditë.

Ju thoni që sëmundja ka avancuar dhe përballeni me varfëri të skajshme, ma shpjego pak?
S’kemi as drita, as ujë. Marrim bukë borxh, gjithë këto vite…Marr borxh për çdo gjë, pasi burri nuk ka një punë stabël. Dhoma ku jetojmë është e ndërtuar me kallama…

Ku ke trokitur ti?
Kam shkuar dy tre herë në bashki, jam lodhur kot…kam 8 vjet pa drita.

(ma.ar/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb