TIRANE- Ai është Izet Onuzi, 48 vjec, jeton në Tiranë dhe nuk e pëlqen kur e trajton si invalid! Kur dëgjon jetën e tij dhe kalvarin e vuajtjeve të duket si një histori e ndonjë regjisori të famshëm dhe me imagjinatë. Këtë të premte ai ishte i ftuar ne emisionin ‘Oktapod’ të Turjan Hyskes ne Vizion Plus. Ai është i vetmi person në Shqipëri që nuk ka as duar as këmbë.

Jeta e tij ndryshon në moshën 25-vjecare, kur aksidentalisht treni i pret të te katra gjymtyrët. Ishin jo pak, por 11 vagona të trenit që i kaluan përsipër, dhe i 12-ti ndalon, për t’i mos i marrë jetën. Për Izetin nga ky moment nis jeta e tij e re. Menjëherë pas aksidentit Izetin në spital e con një italian me makinë, sepse sipas tij një shqiptar ndaloi dhe nuk pranoi ta merrte me arsyen se mund t’i bënte makinën pis, me gjak. Pas 12 orësh ai merr vesh që përveç këmbeve ai nuk kishte as duart. Në atë moment ai tentoi vetëvrasjen, duke hequr me dhëmbë serumin dhe nuk linte njeri të afrohej, por ishte nena e tij që vjen aty dhe i thotë “për hadrin tim, jeto”, dhe në atë moment ai vendos që të jetojë. Pas 4 muajsh ai vuri protezat në këmbë, dhe u frymëzua për t’u mos u dorëzuar më dhe të vazhdonte të ecte.

Ai vendosi të punonte, sepse nuk mund të rrinte në shtëpi, kështu që mori një karrocë me kalë dhe punonte mes paragjykimeve të njerëzve nëpër Tiranë. Pas disa kohësh ai mundet të sigurojë disa të ardhura më anë të karrocës me kalë dhe blen atë çfarë ai kishte ëndërr, “te blinte një dum dum”. “Dum dumi më ndryshoi jetën, ishte një dhuratë e të madhit Zot për mua, ishte një mrekulli. Ishte një mjet që më shërbeu, për mua ai ka qënë një avion dhe jo dum dum. Nuk doja të fitoja, doja vetëm të lëvizja, të jetoja”, tregon Izeti. Më vonë ai, shkon në Slloveni për të vendosur protezat në duar dhe këmbë, ku atje doktorët i sollën përsëri pasionin për muzikën, që ai pas aksidentit e kishte harruar.

Rilindja e pasionit për muzikën e ndihmoi atë shpirtërisht të ngrihej më shumë dhe sot nuk e ndan pianon nga përditshmëria e tij. Dy vite pas aksidentit ai u martua dhe sot ka dy fëmijë dhe ata ishin arsye që ai të harronte dhe duart dhe këmbët. Duke ditur se cfarë kalon një njeri pa duar dhe këmbë ai se bashku me disa miq të tij krijojnë shoqatën “Shpresa për jetën” dhe aty ndihmon me proteza personat që kanë humbur gjymtyrët e tyre. Sot ai është krenar për cfarë ka kaluar dhe bëhet frymëzim për shumë njerëz që kanë këmbë dhe duar e nuk kanë vullnet dhe dëshirë për të ecur përpara.
(ed.me/BalkanWeb)

Për t’u bërë pjesë e grupit "Balkanweb" mjafton të klikoni: Join Group dhe kërkesa do t’ju aprovohet menjëherë. Grupi Balkanweb
Etiketa: